U mbajt mbledhja e gjashtë e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa

Nën udhëheqjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi, sot është mbajtur mbledhja e gjashtë e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF), ku janë shqyrtuar një sërë çështjesh me rëndësi për funksionimin e komunës.

Në fillim të mbledhjes, kryesuesi Bekim Azizi shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Pira nga Pozherani për humbjen tragjike të anëtarit të familjes, Nazim Pira, i cili humbi jetën si pasojë e stuhisë së djeshme. Ai gjithashtu u uroi shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve dhe shprehu shpresën që dëmet e shkaktuara nga stuhia, si ato materiale ashtu edhe bujqësore, të kompensohen sa më parë.

Ngushëllime në emër të Komunës së Vitisë shprehu edhe zëvendëskryetari i komunës, Hasan Aliu, i cili shprehu solidaritet me familjen Pira dhe me të gjithë qytetarët e prekur nga stuhia. Ngushëllimit iu bashkuan edhe anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa.

Pas kësaj, Komiteti shqyrtoi dhe miratoi procesverbalin nga mbledhja e pestë e Komitetit për Politikë dhe Financa. Në vazhdim, drejtoresha për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Milihate Ajeti, prezantoi Pasqyrat Financiare të Buxhetit Komunal për periudhën janar–qershor 2026. Ajo bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë inkasuar gjithsej 628,369.63 euro të hyra vetanake, që përfaqësojnë 48.54% të planifikimit vjetor. Ndërkaq, buxheti i alokuar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 ka qenë 12,607,653.70 euro, ndërsa shpenzimet kanë arritur në 11,760,937.09 euro, me një shkallë të ekzekutimit të buxhetit prej 93.28%.

Më pas, Komiteti shqyrtoi propozim-vendimin për miratimin e Planit Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave për dymbëdhjetë komunat e rajoneve të Gjilanit dhe Ferizajt (ZMM-5).

Gjithashtu, u shqyrtua propozim-vendimi për ndryshim dhe plotësim të vendimit për formimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, si dhe propozim-vendimi për shpalljen në diskutim publik të Projekt-Planit të Punës së Kuvendit Komunal të Vitisë për vitin 2027.

Pas diskutimeve, pikat e parapara për votim morën mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa. Me këtë rast, ato u rekomanduan për procedim të mëtejmë dhe pritet të shqyrtohen e të vendosen për miratim në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal të Vitisë.

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt Dëgjimi Publik Buxhetor me banorët e Fortesës, Sapniqit dhe Pataqanit të Poshtëm

Komuna e Rahovecit, përkatësisht Drejtoria për Buxhet dhe Financa, në bashkëpunim me Grupin Punues për …