Kryetari Haliti priti në takim organizatorët e Samitit Ndërkombëtar të Rinisë për Paqe dhe të Ardhme të Qëndrueshme

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot një delegacion ndërkombëtar të përbërë nga Dr. Andrise Bass, shefe e Protokollit Diplomatik që përfaqëson Institutin për Hulumtim në Politika Publike dhe Diplomaci (IPPDR Centro), me seli në Nju Jork, SHBA, Dr. Arsène Romaric, themelues i Fondacionit Ndërkombëtar të Diasporës Latino-Afrikane, Mahah Vladimire, eksperte për Zhvillim të Qëndrueshëm pranë Kombeve të Bashkuara (OKB), si dhe Dr. Dylbere Dika, drejtoreshë e Përgjithshme e Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet (DMPP), me seli në Tiranë, me të cilët ka biseduar rreth përgatitjeve për organizimin e edicionit të gjashtë të samitit ndërkombëtar “The Youth Summit on Peace & Sustainable Future 2026”.

Gjatë këtij takimi u diskutua për organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme rinore me karakter ndërkombëtar, e cila do të mbahet nga 25 deri më 29 gusht 2026 në Viti. Ky organizim realizohet në bashkëpunim ndërmjet Komunës së Vitisë, Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP)– Misioni Diplomatik për Paqen dhe Prosperitetin dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që merret me veprimtari ndërkombëtare në fushën e diplomacisë, paqes dhe zhvillimit, e cila bashkon institucione, ekspertë dhe të rinj nga mbarë bota në iniciativa me ndikim global.

Me këtë rast, kryetari Sokol Haliti theksoi rëndësinë e organizimit të këtij samiti në Viti, duke vlerësuar se ai paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e komunës në arenën ndërkombëtare.

“Përmes këtij samiti, Vitia do të shndërrohet në një qendër ndërkombëtare të dialogut dhe bashkëpunimit, duke promovuar vlerat e paqes, mirëkuptimit dhe fuqizimit të brezave të rinj. Njëkohësisht, kjo ngjarje e vendos komunën tonë në hartën e organizimeve më të rëndësishme ndërkombëtare të rinisë dhe dëshmon besimin që partnerët globalë kanë në institucionet dhe qytetarët e Vitisë. Komuna e Vitisë mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që krijojnë mundësi të reja për të rinjtë dhe forcojnë rolin e tyre në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt, më paqësore dhe më të qëndrueshme”, u shpreh Haliti.

Nga ana e tij, Andreas Bass falënderoi institucionet komunale të Vitisë për gatishmërinë, mbështetjen dhe hapësirën e ofruar për organizimin e këtij samiti me rëndësi ndërkombëtare.

Ndërkaq, Arsenc Romaric njoftoi se vendimi i Misionit Diplomatik për Paqen dhe Prosperitetin që edicioni i gjashtë i samitit të mbahet në Kosovë, e veçanërisht në Viti, është marrë pas organizimeve të suksesshme në vende të tjera, përfshirë Meksikën dhe Parisin.

Po ashtu, Mahaha Vladimir shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me vendet e Ballkanit, duke theksuar se pjesëmarrësit nga shumë shtete të botës do të kenë mundësi të njohin nga afër Vitinë, kulturën, traditat dhe bukuritë natyrore që ofron kjo komunë.

“The Youth Summit on Peace & Sustainable Future 2026” pritet të mbledhë të rinj, ekspertë, diplomatë dhe përfaqësues institucionesh nga vende të ndryshme të botës, me synimin e promovimit të paqes, dialogut ndërkulturor dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Në Viti po zhvillohet aksioni për dhurimin e gjakut!

Kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, së bashku me stafin komunal, iu bashkuan …