Kryetari Haliti uron për festën e Zojës së Madhe, shpreh keqardhje që kremta kaloi me pak besimtarë

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka uruar klerin dhe besimtarët krishterë me rastin e festës së njohur si Zoja e Madhe në Letnicë, me dëshirën, para së gjithash për qetësinë dhe fisnikërinë e shpirtit. Ai ka thënë se rastet e festave duhet t’i shfrytëzojmë për lutje e urata. “Shfrytëzoj rastin që në këtë kohë jo të zakonshme të uroj shumë dashuri, harmoni e solidaritet midis njerëzve. Festat dhe çdo datë e shënuar, le të na shërbejmë që të reflektojmë respekt e mirënjohje të ndërsjellë”, ka thënë kryetari Haliti. Kryetari Haliti ka shprehur keqardhjen e tij dhe të institucioneve komunale që besimtarët nuk kanë mundur të marrin pjesë sa e si duhet në festë dhe në meshën qendrore që u mbajt sot në kishën e fshatit Letnicë, shkaku i gjendjes së cenuar epidemiologjike në Kosovë. “Në festën e të Ngriturit të Zojës në Qiell, në Letnicë nuk është lejuar pjesëmarrja e besimtarëve, por mesha dhe ritet fetare janë mbajtur vetëm nga personeli kishtar, duke ua mundësuar besimtarëve që ato t’i përcjellin vetëm virtualisht. Për fat të keq njëjtë ka ndodhur edhe me festat e besimeve tjera”, ka thënë Haliti. Ai ka falënderuar klerin katolik dhe besimtarët për mirëkuptimin e treguar karshi situatës me pandemi si dhe mekanizmat përkatës komunal për mbajtjen e rendit dhe ofrimin e shërbimeve adekuate, në mënyra që festa të kalojë si duhet.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Politikë dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e rregullt

Këtë të mërkurë Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt Xhavit Zariqi, ka mbajtur mbledhjën …