Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq pritet që sot të zhvillojnë një takim në Bruksel

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pritet që sot të zhvillojnë një takim në Bruksel

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ftuar kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një takim të ri për sot. Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini, thuhet se “në takim pritet që të dy kryetarët të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për intensifikimin e punës për të arritur një marrëveshje të detyrueshme ligjore për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, që është thelbësore për rrugën e tyre evropiane”. Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve. Por, ndonëse ishte thënë se vjeshta mund të shënojë një periudhë takimesh të ngjeshura ndërmjet të dyja palëve, takimi i fillimit të shtatorit dështoi dhe deri tash nuk ka pasur asnjë përpjekje tjetër për takim të ri. Thaçi e Vuçiq, gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve, përfshirë edhe mundësinë e prekjes së kufijve. Këto ide nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe ndarje në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në pjesët tjera të rajonit, që ende nuk është rimëkëmbur nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar kundër deklaratës së ministres, Donika Shvarc

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar në deklaratën e ministres së  Jashtme, Donika Shvarc, …