Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi përcolli sot një mesazh me rastin e 65-vjetorit të lindjes së Heroit të Kosovës, Adem Jashari

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi përcolli sot një mesazh me rastin e 65-vjetorit të lindjes së Heroit të Kosovës, Adem Jashari

Ruçi u shpreh në mesazhin e tij se ditëlindja e Bacës dhe ditëlindja e Shqipërisë së Pavarur janë një përkim dhe simbolikë e fuqishme. Ai kujton betejën heroike të Jasharajve që humbën 55 pjesëtarë dhe të mbijetuarën e vetme, Besartën, duke i kujtuar se nuk është vetëm dhe se me të është Kosova e Shqipëria dhe të gjithë njerëzit që aspirojnë për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën.

“Adem Jashari, Heroi i Kosovës, komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot do të ishte 65 vjeç. Por prej 22 vjetësh, nga 7 marsi i vitit 1998, ai, familja, miqtë e të afërmit, Kosova, Shqipëria, të gjithë ne, e kremtojmë ditëlindjen e Adem Jasharit pa Adem Jasharin. Dhe pa pothuajse të gjithë pjesëtarët e familjes Jashari, pesëdhjetë e pesë prej të cilëve u vranë bashkë me të, pas një beteje treditore me mijëra forca, tanke e automjete të armatosura të policisë serbe, në ngjarjen që ka hyrë në histori si masakra e Prekazit. Jo vetëm ne, bashkëkombasit e Ademit, por të gjithë njerëzit e drejtë e të ndershëm anembanë globit, në ndeshjen midis tankeve e dhunës policore dhe njerëzve që luftojnë për liri, janë me njerëzit, me luftëtarët.
Nga trashëgimtarët e Adem Jasharit ka mbetur vetëm Besarta, e cila është e mbijetuara e vetme e familjes së tij, dhe që në atë ditë të masakrës ishte vetëm 11 vjeç. Më dhemb dhimbja e Besartës, që nuk uron dot Bacën në këtë përvjetor. Më ther plaga e saj, e pashëruar dhe e pashërueshme, që në këtë përvjetor, në ata që kaluan dhe në ata që do të vijnë, do të jetë pa motrat, vëllezërit, prindërit, pa familjarët e saj të dashur. Por Besartës i them se nuk është vetëm. Me të është Kosova e Shqipëria dhe të gjithë njerëzit që aspirojnë për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën. Masakra e Prekazit ishte jo vetëm rënia e Adem Jasharit dhe familjes së tij, por një thirrje për burrat dhe gratë e Kosovës, për t’u bashkuar dhe për t’i shkuar deri në fund misionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe ndërtimin e një shoqërie të drejtë, ku të gjithë qytetarët e saj të jetojnë të lirë e të barabartë”, shkruan Ruçi.

Kreu i Kuvendit thekson më tej se kjo ngjarje filloi t’i dëshmojë komunitetit ndërkombëtar të vërtetën e luftës çlirimtare të popullit kosovar, të udhëhequr nga Ushtria e tij Çlirimtare.

“Ditëlindja e Adem Jasharit përkon me ditëlindjen e Shqipërisë së Pavarur. Natyrisht, kjo është një rastësi kohore. Por ky përkim, që bashkon Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë me ditëlindjen e heroit që ra për Kosovën e lirë e të pavarur, bëhet një simbolikë e fuqishme. “Bac u kry”, ishte shprehja që, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 7 shkurt 2008, sintetizoi mirënjohjen e përjetshme të të gjithë shqiptarëve për veprën e nisur nga Adem Jashari dhe të përmbushur nga Ushtria Çlirimtare, populli dhe institucionet e Kosovës. Ditëlindja e Adem Jasharit është një moment reflektimi, për të vlerësuar e respektuar veprën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantit të saj legjendar, çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, të arritur me mbështetjen e në partneritet me aleatët e mëdhenj dhe strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n. Në 65-vjetorin e tij të lindjes është dita të kujtojmë se Adem Jashari dhe udhëheqësit e luftës çlirimtare kanë qenë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë, drejtësi të cilën e ka vërtetuar koha. Sot është dita të kujtojmë se populli, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta. Sot është dita të besojmë se asgjë nuk mund ta errësojë luftën për liri, barazi, drejtësi e dinjitet të Adem Jasharit, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit kosovar”, shkroi në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Top Channel

Kontrolloni gjithashtu

zamira.hyseni@uni-pr.edu

Visar Ymeri kritikon Albin Kurtin për kontroll mbi mendimin qytetar dhe mungesë të interesit për nevojat reale

Analisti politik Visar Ymeri ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e …