Kryetari Latifi reagon pas vendimit të Qeverisë lidhur me masat e reja anti Covid

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, ka reaguar pas vendimit të ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me masat e reja anti Covid. Ai ndër të tjera në reagimin e tij ka thënë:  Të nderuar mësimdhënës dhe prindër të Komunës së Rahovecit!

Të dashur nxënës të komunës tonë!

Vendimi i sotëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të kaluar në mësim online pas pushimit aktual pranveror, për komunën tonë është i papranueshëm. Duke përcjellë çdo ditë gjendjen në arsim në shkollat e komunës sonë, vlerësojmë se fatmirësisht gjendja me pandeminë në shkollat e komunës sonë nuk është aq alarmante, por përkundrazi është e menaxhueshme për të zhvilluar mësimin sipas skenarit A, me prezencë në shkollë. Numri i rasteve të të infektuarve nga mësimdhënësit nuk është i madh dhe në raste të caktuara kemi vepruar me kohë duke izoluar ata dhe duke i zëvendësuar me mësimdhënës shtesë. Gjithashtu, shkollat e komunës sonë janë të pajisura mjaftueshëm me mjete higjienike dhe çdo fundjavë po bëhet dezinfektimi i objekteve shkollore. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Arsimit, në vend që të zgjedhin variantin më të keq, pra skenarin C – mësimin online, do të duhej që të vazhdonte me alokimin e buxhetit shtesë të planifikuar për t’i ndihmuar komunat me mësimdhënës shtesë dhe furnizimin e shkollave me dezinfektues dhe mjete higjienike. I kujtojmë qeverisë së re, se janë edhe gjithsej 107.000, 00 € mjete buxhetore të planifikuara për komunën e Rahovecit për zhvillimin e mësimit në kushte pandemie, të cilat janë të planifikuara me buxhet për periudhën e dyte, por që  akoma nuk janë ndarë! Ndarja e këtij buxheti, do të mundësonte që pa probleme të zhvillohej mësimi në kushte pandemie sipas skenarit A, ashtu siç u zhvillua në periudhën e parë të këtij viti shkollor. Drejtoria Komunale për Arsim në Rahovec, është e mendimit që vendimi i sotëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të kaluar në mësim online, qoftë edhe për një javë , është vendim i ngutshëm dhe i gabuar, sidomos për komunën e Rahovecit. Mësimi online është skenari më i keq i mundshëm, i cili për kushtet tona nuk mund të realizohet dhe nuk ka efektivitet as 10% në realizimin e planprogrameve dhe në gjithpërfshirjen e mësimdhënësve dhe nxënësve tanë. Mësimi i tillë është mësim i humbur! Mos ta gënjejmë vetveten, kinse po mbajmë mësim!

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në komunën e Malishevës mbajti mbledhjen e tretë të rregullt

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në …