Kryetari i komunës së Vitisë z. Sokol Haliti ka mbajtur të enjtën takim pune me Bordin e Drejtorëve për prioritetet zhvillimore dhe organizimin e aktiviteteve institucionale
Në fokus të takimit ishte implementimi i projekteve dhe zbatimi i ligjit në të gjithë sektorët komunalë, si bazë për funksionim efikas, transparent dhe në shërbim të qytetarëve. Po ashtu, u trajtuan projektet e realizuara gjatë mandatit aktual, si dhe planifikimi i projekteve strategjike për katër vitet e ardhshme, në kuadër të planit zhvillimor të komunës.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua infrastrukturës rrugore, me theks në ndërtimin e rrugëve alternative që lidhin fshatrat me qytetin, duke synuar lehtësimin e qarkullimit, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe zhvillimin ekonomik lokal. Gjithashtu, u diskutua për zhvillimin dhe funksionalizimin e zonës ekonomike, si një mundësi e rëndësishme për tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Gjatë takimit u trajtuan edhe aktivitetet dhe angazhimet që do të realizohen gjatë këtij viti, çështjet që ndërlidhen me arsimin dhe aktivitetet kulturore, si dhe organizimi i aktiviteteve për shënimin e përvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, me synimin që ky përvjetor të shënohet në mënyrë dinjitoze dhe gjithëpërfshirëse.
Bashkëpunimi ndërmjet drejtorive dhe koordinimi institucional mbeten thelbësore për realizimin e projekteve dhe për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët tanë.