Ismajl Kurteshi: Nga Lëvizje Vetëvendosje shkojnë ata që dëshirojnë të jenë mbi statutin

Ismajl Kurteshi: Nga Lëvizje Vetëvendosje shkojnë ata që dëshirojnë të jenë mbi statutin e partisë

Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, është shprehur i bindur se me ardhjen e Albin Kurtit në krye të Lëvizjes Vetëvendosjes, strukturat e kësaj lëvizje do të jenë më vitale, më aktive dhe më të përgjegjshme. Kurteshi këto komente i bëri në Këshillin e  Qendrës së Prishtinës, ku morri pjesë edhe kandidati për kryetar të Lëvizjes Albin Kurti, por jo edhe Shpend Ahmeti. Ky i fundit mungoi edhe dje kur Kurti prezantoi platformën e tij. Ndërkohë, të pranishmëve iu drejtua vetëm Kurteshi, i cili tha se është i sigurt që nuk do t’i zhgënjejnë qytetarët e Kosovës përkundër mosmarrëveshjeve të fundit që i kanë pasur brenda partisë. Ai ka folur edhe për mosmarrëveshjet që e kanë karakterizuar këtë parti muajt e fundit, ku disa anëtarë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në Vetëvendosje.

“Këto mosmarrëveshje ose do të tejkalohen ose nga Lëvizja do të shkojnë vetëm ata të cilët nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me konkurrencën e cila parashihet me statutin e Lëvizjes, ata të cilët nuk janë të gatshëm t’i respektojnë procedurat dhe statutin e Lëvizjes, sepse një gjë e tillë është e domosdoshme për ne si aktivistë. Lëvizja Vetëvendosje në përgjithësi dhe përherë e kemi ngritur zërin se ne e duam Kosovën shtet ligjor dhe nuk e dëshirojmë askënd të jetë mbi ligjin. Për secilën organizatë politike, e në këtë rast edhe për Lëvizjen Vetëvendosje vlen kjo që askush nuk është mbi ligjin, e brenda organizatës sonë nuk mund të lejojmë që dikush të jetë mbi statutin. Pra, të gjithë ne do të duhej që patjetër t’i respektojmë këto norma të cilat vetë i kemi aprovuar dhe natyrisht që edhe vetë do t’i respektojmë”, tha ai.

Kontrolloni gjithashtu

Mijëra bashkëkombas që jetojnë në Zvicërr po protestojnë në Cyrih kundër vendimit të GJS ndaj drejtuesve të UÇK

Mijëra bashkëkombas që jetojnë në Zvicërr po protestojnë në Cyrih kundër vendimit te Gjykatës Speciale …