Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se për çështjen e presidentit të ardhshëm do të zhvillojë fillimisht bisedime me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, e më pas edhe me partitë opozitare. Në një adresim për media, Kurti tha se prioritet i menjëhershëm mbetet certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas së cilës do të procedohet me konstituimin e Kuvendit dhe themelimin e Qeverisë së re. “Së pari të presim certifikimin nga KQZ-ja. Pastaj menjëherë e konstituojmë Kuvendin dhe themelojmë Qeverinë. Jam i interesuar për bashkëpunim me opozitën, veçanërisht për marrëveshjet ndërkombëtare, Planin e Rritjes dhe marrëveshjet me Bankën Botërore,” ka thënë Kurti. Ai theksoi se bllokadat institucionale tashmë janë të pamundshme, duke shtuar se për zgjedhjen e presidentit do të nevojitet dialog politik, pasi kërkohet prania e 80 deputetëve në sallë. “Duhet të bisedojmë edhe me opozitën për presidentin e ardhshëm, por së pari do të flas me presidenten aktuale për të parë hapat e mëtejmë. Ky nuk është as hapi i dytë, por i treti. Njëherë certifikimi,” u shpreh Kurti. Në fund, ai theksoi se është ende herët për të hapur këtë temë, duke shtuar se mbrëmjen do ta shfrytëzojë për festë, me urimin për Vitin e Ri 2026, por duke garantuar se proceset institucionale nuk do të vonohen.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
