Ramush Haradinaj përjashton bashkëpunimin me LVV-në, i hapur për koalicion me PDK-në dhe LDK-në

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe kandidati për Kryeministër, Ramush Haradinaj, ka hedhur poshtë mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, edhe në rast se kjo e fundit del partia e parë nga zgjedhjet. Ai ka theksuar se AAK-ja mbetet e gatshme për partneritet qeverisës me PDK-në dhe LDK-në. Haradinaj tha se situata politike në vend mbetet pothuajse e njëjtë me herët e kaluara, pavarësisht diskutimeve për ndonjë rritje të mundshme të numrit të deputetëve. Sipas tij, Kosova ka nevojë urgjente për krijimin e institucioneve dhe nuk duhet të lejohet vonesa e mëtejme në formimin e Qeverisë. Ai e ka fajësuar kryeministrin në detyrë dhe Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadën politike, duke shtuar se ende nuk ka parë gatishmëri të mjaftueshme as nga PDK-ja dhe LDK-ja për të arritur një marrëveshje për tejkalimin e ngërçit politik. Megjithatë, Haradinaj nënvizoi se AAK-ja nuk ka vendosur kushte për opozitën dhe se tani është momenti për reflektim, në mënyrë që vendi të mos mbetet i bllokuar. “PDK dhe LDK e kanë një partner dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë”, ka deklaruar Haradinaj në konferencën për media pas përfundimit të procesit të votimit.

Kontrolloni gjithashtu

Apeli vulos aktakuzën për korrupsion ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt

Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc”, …