Kuvendi i Komunës së Malishevës, mbajti seancë solemne për nder të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka mbajtur një seancë solemne, ku fjalime kanë mbajtur Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina dhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Sinan Gegaj, të cilët kanë folur për ngjarjen e 5, 6 dhe 7 marsit, dhe rëndësinë e ngjarjes. Fillimisht Kryetari i Komunës së Malishevës, ka folur për “Epopenë e UÇK-së”, formimin e UÇK-së, në krye me komandantin Adem Jashari, zhvillimet dhe betejat tjera, deri më 5, 6 dhe 7 mars, kur edhe është flijuar Komandanti Legjendar i UÇK-së, Adem Jashari me familjen e tij. “Është rasti më unik në historinë botërore, kur një prijës i një ushtrie, flijohet me tërë familjen e tij dhe nuk dorëzohet para armikut”, tha mes tjerash kryetari Begaj, në fjalën e tij. Ai po ashtu foli edhe për rëndësinë historike të ngjarjes dhe jehonës që pati, si brenda ashtu jashtë vendit, e që e gjithë kjo ngjarje, ishte kushtrimi më i fuqishëm për luftë për liri. “Këtij kushtrimi ju bashkua e tërë Kosova dhe trojet shqiptare, por ndër të parët, ishin malishevasit, ku mijëra luftëtar ju bashkuan luftës për liri, ndërsa çdo shtëpi u bë çerdhe e UÇK-së”, tha kryetari Begaj. Për këtë ngjarje dhe rëndësinë e saj, në mënyrë kronologjike, e ka paraqitur edhe kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina, i cili në detaje foli për luftën tre ditore të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari dhe tërë lagjes Jashari. “Ishte një betejë e fuqishme e familjes Jashari kundër armikut dhe kjo ishte beteja më e lavdishme e UÇK-së dhe e familjes Jashari. Figura si e Adem Jasharit, është e papërsëritshme, pasi lufta e Jasharajve, mbylli një kaptinë të historisë dhe fillon një etapë e re, kthen dinjitetin pothuajse të përbuzur, qartëson pozicion e popullit shqiptar në raport me Serbinë, krijon rrethana të reja politike dhe diplomatike më të favorshme në raport me bashkësinë ndërkombëtare”, tha mes tjerash, kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina. Në emër të shoqatave të dala nga lufta, në këtë mbledhje foli Sinan Gegaj, përfaqësues i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, i cili tha se “familja Jashari u sakrifikua në tre breza”.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të sajë që ta shfrytëzojnë kohen e mbetur për regjistrim

Komuna e Deçanit ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të sajë që ta shfrytëzojnë kohen …