Kuvendi Komunal i Rahovecit, në mbledhjen e datës 30.10.2019, diskutoi për ftesat e fundit ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së nga gjykata speciale

Me rastin e ftesave nga ana e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-pjesëtarët e UÇK-së, Kuvendi Komunal i Rahovecit, në mbledhjen e datës 30.10.2019, diskutoi për ftesat e fundit ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së nga gjykata speciale:

Të bindur në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare dhe në pafajësinë e pjesëtarëve të UÇK-së, ne anëtarët e Kuvendit të Komunës së Rahovecit, konsiderojmë se ftesat e dërguara për ish – ushtarët e UÇK-së janë në adresë të gabuar. Populli shqiptar në Kosovë ka sakrifikuar shumë për lirinë e vet dhe për këtë qëllim ka dhënë shumë gjak e mund dhe ka bërë luftë të pastër për liri e dinjitet njerëzor e kolektiv. Shkaktar i luftërave dhe fatkeqësive të popujve në Ballkan kanë qenë qeveritë e Republikës së Serbisë, gjë që ka provokuar edhe ndërhyrjen ndërkombëtare për të ndalur gjakderdhjet në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Vrasja dhe zhdukja e mijëra njerëzve, shkatërrimi i pronës, dhunimet e gjymtimet e shumë banorëve të kësaj ane, janë dëshmi të bazuara në fakte të dokumentuara, prandaj mosndëshkimi i krimit dhe i kriminelëve të vërtetë, bie ndesh me parimet e proklamuara botërisht të bashkësisë ndërkombëtare. Është e drejtë dhe detyrim i popujve që të luftojnë për lirinë e vet, prandaj të akuzohen për krime lufte ata që luftuan për këtë të drejtë natyrore, konsiderojmë se është jo humane, antidemokratike dhe në kundërshtim me parimet bazë të demokracive Perëndimore. Për të qenë ironia edhe më therëse, kriminelët, urdhërdhënësit dhe zbatuesit e krimeve kundër njerëzimit vazhdojnë të jenë në liri dhe të pacenuar, nëpër Serbi, Republikën Serbe të Bosnjës dhe gjetkë nëpër botë, përkundër shumë fakteve të dokumentuara se kanë kryer krime çnjerëzore, grabitje, plaçkitje, djegie e shkatërrime, gjymtime, tortura, dhunime e vrasje të grave e të fëmijëve dhe të njerëzve të pafajshëm. Në një situatë të tillë fyese e poshtëruese për popullin shqiptar, bëjmë thirrje që fokusi i bashkësisë ndërkombëtare të orientohet nga kryesit e vërtetë të krimeve e masakrave në tërë Ballkanin. Në këtë kuptim, ftesa për kryetarin e komunës së Rahovecit Smajl Latifi dhe bashkëluftëtarëve të tij, është në vazhdën e gabimeve të rënda historike. Për të qetësuar shpirtin e trazuar të shqiptarëve të persekutuar nga makineria serbe, hetimi dhe ndëshkimi i kriminelëve të shumtë serbë, do të ishte gjëja më e drejtë. Besojmë fuqishëm se edhe në këtë rast do të dëshmohet pastërtia e luftës tonë çlirimtare, si dhe në hetimin dhe ndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë dhe gjetkë në Ballkan.

Kontrolloni gjithashtu

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal të Arsmit 2024 – 2027

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor …