Ka data që nuk janë thjesht numra në kalendar, por janë gurë themeli i kujtesës sonë kolektive. Njëra prej tyre është edhe 4 janari i vitit 1999, dita kur, para 27 vjetësh, u themelua Radio Kosova e Lirë, zëri që sfidoi errësirën, frikën dhe heshtjen e imponuar në pikë të luftës çlirimtare.
Radio Kosova e Lirë nuk ishte vetëm një medium informimi. Ajo ishte frymëmarrje lirie në kohë mbytjeje, ishte shpresë në ditë të errëta, ishte betim se e vërteta nuk mund të vritet as me armë, as me zjarr. Në valët e saj u dëgjua zëri i luftës çlirimtare, u artikulua e drejta për jetë, për dinjitet dhe për liri.
Në kohë kur propaganda serbe përpiqej ta shtrembëronte realitetin e luftës, Radio Kosova e Lirë e tha të vërtetën nga malet e Berishës. Ishte radio e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e popullit të përvuajtur që priste lajme nga fronet e luftës.
Sot, pas 27 vjetësh, kjo radio mbetet simbol i qëndresës dhe kujtesës sonë historike. Ajo është dëshmi se fjala e lirë, kur buron nga ideali dhe sakrifica, bëhet më e fortë se çdo pushtet shtypës. Është kujtesë se liria nuk erdhi rastësisht, por si rezultat i gjakut, zërit dhe guximit.
Përkulje për të gjithë ata që e ndërtuan, e mbajtën gjallë dhe e mbrojtën Radio Kosovën e Lirë në ditët më të vështira të kombit. Nderim e lavdi për drejtorin e ndjerë të kësaj radioje, profesor Ahmet Qeriqi, i cili për një çerek shekulli e drejtoi me dinjitet këtë medium.
Radio Kosova e Lirë nuk është vetëm e djeshmja jonë. Ajo është përgjegjësi për të sotmen dhe amanet për brezat që vijnë.
Urime 27-vjetori i themelimit.
Zëri i lirisë nuk shuhet kurrë.
Labinot Dervishaj
Zona Operative e Drenicës
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
