leoni

Labinot Dervishaj

Labinot Dervishaj: JU FLET KOSOVA E LIRË

Historitë e popujve janë të ndryshme por disa prej tyre nuk kanë edhe ndonjë histori interesante. Për dallim nga populli shqiptar që nga fillesat e shkrimit të historisë dhe deri në ditë tona e ka një histori që tregon për shumë sfida, peripeci, lufta për të drejta e për liri, sakrifica sublime dhe lavdi. Për të shkruar për gjithë historinë e kombit tonë nuk mjaftojnë disa rreshta, nuk mjafton as edhe hapësira e një libri tepër voluminoz për ta përfshirë të tërën. Prandaj fokusi i këtij shkrimi do të jetë specifikisht i fokusuar në epokën e fundit të luftës së lavdishme dhe çlirimtare të drejtuar nga UÇK-ja.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka lindur si rezultat i revoltës së popullit shqiptar të robëruar dhe si rezultat i padrejtësive, torturimeve, vrasjeve dhe përndjekjeve të vazhdueshme dhe sistematike që regjimi shovinist dhe fashist serb i bënte ndaj shqiptarëve liridashës të Kosovës. Në ballë të kësaj kauze që pos tjerash kërkonte edhe sakrifica sublime dolën bijtë dhe bijat më të mirë të kombit më në krye legjendarin e legjendave të shqiptarisë, Adem Jasharin trimin e papërsëritshëm mbi këtë tokë. Dalja publike e UÇK-së dhe shpalosja e qëllimit liridashës të saj i përmbysi të gjithë ëndrrat e ëndërrimtarëve pacifistë të cilët shihnin ëndrra me sy hapur se Kosova mund të çlirohej pa luftë më Serbinë e cila çdo ditë e më tepër po bëhej me agresive ndaj shqiptarëve të cilët kërkonin të drejta dhe barazi.

Beteja e 28 shkurtit të vitit 1998 në Likoshan të Drenicës ishte sinjali i parë i fuqishëm që tregonte se edhe në Kosovë po fillonte lufta e cila për epilog synonte ta kishte lirinë e Kosovës. Ndërsa këtë perceptim fillestar të popullit e shndërroi në kushtrim e ngritje në këmbë lufta, qëndresa titanike dhe rënie heroike e Adem Jarasharit dhe Jasharëve të tjerë përfshirë edhe fëmijët e vogël të cilët vdekja i gjeti më armë në duar dhe në luftë më armikun që i kishte zënë derën te pragu i shtëpisë.

Atëherë kur lufta çlirimtare i zgjeroi horizontet e saj gjithandej nëpër Kosovë për çdo ditë kishte rezistencë, rënie por dhe shtim të radhëve të trimave çlirimtarë. Motivi dhe morali luftarakë ishte kudo dhe arrinte ta përmbyste çdo ide se forcat serbe janë më të fuqishme se forcat çlirimtare, ndonëse në realitet ishin në aspektin e armatimit dhe teknikës luftarake por që prapë së prapë i bënte më të dobët objektivi dhe synimi i luftës. UÇK bënte luftë të drejtë dhe për liri të atdheut të vetë e të robëruar, kurse ata ishin thjesht okupator dhe në tokë tuaj këtu.

Por sikur lufta që mund të sjell të papritura dhe të paparashikuara, e të tilla momente në kohë të ndryshme kishe edhe në këtë luftë. Ofensivat e shkallës së gjerë ndaj pozicioneve të UÇK-së të ndërmarra në të gjitha brigadat luftarake dhe njësive të specializuara të luftës nga shteti serb gjatë fund-verës dhe vjeshtës së vitit 1998 por dhe rënia e komandantit UÇK-së Mujë Krasniqi se bashku më 42 bashkëluftëtarë të tij në kufirin shqiptaro-shqiptar si dhe zënia rob e nëntë ushtarëve të tjerë të UÇK-së sikur filloi ta krijonte opinionin së vërtetë UÇK ishte dobësuar dhe kishte filluar zhbërja e saj.

Në fakt këtë po e bënte propaganda mediale e Beogradit që atë kohë udhëheqje nga pionieri i Millosheviqit, tani kryetari serb, Aleksander Vuçiq. Ngase realiteti ishte ndryshe përkundër sakrificave dhe dhembjeve morali i luftës ishte në nivelin e duhur. Por se a duhej që ky moral të ngritët akoma? Përgjigjja ishte: Duhej! Po si? Më që disa media shqipfolëse në Prishtinë operonin të fortifikuara nëpër podrume e më gjuhë të strukturuar për të qenë në kontiunitet dhe konformitet me okupatorin sa që rrallë herë për mos të thënë kurrë nuk shkruanin e nuk flisnin për UÇK-në dhe luftën çlirimtare e lëre më që ishin tepër larg vijave të frontit. Madje para tyre ishte BBC, EuroNews, TVSh e mediume të tjera.

Prandaj u ndje dukshëm nevoja për themelimin e një mediumi të luftës, vendim të cilin e mori Shtabi i Përgjigjëm i UÇK-së për ta themeluar Radion Kosova e Lirë dhe Agjencinë e Lajmeve Kosovapress, të cilat do të informonin dhe do të raportonin në mënyrë të drejtë nga të gjitha zonat operative dhe vijat e luftimeve. Ndonëse qëllimi ka qenë informimi i drejtë dhe në kohë reale i zhvillimeve nga vijat e luftës. Misioni i Radios Kosova e Lirë u shndërrua në një mision pak të menduar atëherë por shumë të domosdoshëm, e që ishte motivimi, për luftë, shtimi i radhëve të UÇK-së dhe mbajtja e moralit të luftës dhe thirrja për mobilizim e mos dorëzim deri në çlirimin e atdheut.

“Ju flet Kosova e Lirë”, “Ju flet Kosova e Lirë”, ishin fjalët hyrëse të fillimit të programit të Radios Kosova e Lirë që filloi punën e saj më 4 janar të vitit 1999. Pesha dhe rëndësia e këtyre fjalëve depërtoi thellë në krojet e shpirtrave liridashës të secilit shqiptar që atë kohë ishte në rrjedhat e luftës dhe në brendi të saj.

“Ju flet Kosova e Lirë”, ishin fjalët që ngrohen zemrat e popullit dhe pesimizmin dhe pashpresën e kthyen fuqishëm në shpresë dhe në perceptim të dritës në fund të tunelit por në realitet bindës këto fjalë e paralajmëronin më të vërtetë Kosovën e lirë dhe të çliruar nga kthetrat pushtuese.

“Ju flet Kosova e Lirë”, ishin fjalët që lartësonin në kupë të qiellit moralin e luftës për secilin luftëtarë të lirisë dhe e shtonin vullnetin për luftë, rezistencë dhe për mobilizim deri në arritjen e objektivit të luftës që ishte çlirimi i atdheut të robëruar.

“Ju flet Kosova e Lirë”, ishin fjalët që e tmerruan deri në palcë politikën dhe strategjinë e luftës serbe, sepse tani informimi dhe e vërteta nga vijat e luftimeve po bëhej nga një medium atdhedashës e që ishte shndërruar në zëdhënëse të vërtetë të UÇK-së.

“Ju flet Kosova e Lirë”, ishin fjalët që e përshfaqen edhe më shumë urrejtjen patologjike dhe egërsinë e Serbisë e cila përveç predhave të kalibrit më të madh të tankeve aktivizoi edhe aeroplan të luftës për ta shuar këtë zë lirie dhe këtë medium që sikur dielli që shpërndanë rreze drite shpërndante shpresë lirie popullit.

“Ju flet Kosova e Lirë”, ishte zëri që u bëri ballë edhe raketave të hedhura nga ajri sipër saj, por ky zë nuk u ndalë së nuk u ndalë as edhe për një sekondë të vetëm edhe nga nën-rrënjët e lisave zëri i lirisë u shpërnda si jehonë lajmëtare e trimave të sypatrembur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ju flet Kosova e Lirë”, ishte zëri që thërriste për qëndresë dhe për mos zmbrapsje, e në interpretim të kësaj vendosmërie është fakti që fshati  Berishë dhe vendi ku ishte e vendosur Radio Kosova e Lirë ishte bërë kala e pa mposhtur, madje në mbrojtje të pozicioneve dhe vend stacionimit të radios kanë rënë dëshmorë disa luftëtarë të lirisë.

“Ju flet Kosova e Lirë”, ishin parafjalët edhe të atij lajmit të shumë pritur e të ëndërruar më shekuj se: “nga tani Kosova është dhe do të jetë e lirë përgjithmonë, pasi Serbia ka nënshkruar kapitullimin e luftës”.

Andaj më çlirimin e vendit radio u vendos në Prishtinë aty ku është edhe sot. Ajo e filloi një mision të ri por pa u zhveshur nga petku i atdhedashurisë. Radio Kosova e Lirë për 22 vite më radhë u shndërrua në mbrojtëse të vlerave të luftës çlirimtare, në ndriçuese, dokumentuese dhe raportuese të dëshmive të krimeve serbe në Kosovë, në shkrimin e historisë më të re të atdheut më përmbledhjen dhe hartimin e 18 vëllimeve të librit “Feniksët e Lirisë – Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” në të cilin janë përfshirë jetëshkrimet monografike të shumë dëshmorëve të kombit të tri luftërave çlirimtare në trojet shqiptare duke filluar nga lufta e UÇK-së në Kosovë, lufta e UÇPMB-së në Kosovën Lindore dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Iliridë.

Radio Kosova e Lirë për 22 vite më radhë është veçuar si mediumi i vetëm në gjithë hapësirën etnike shqiptare që në vazhdimësi ka transmetuar këtë dhe emisione tematike e heroizmi për dëshmorët e atdheut. Në skemën programore të saj gjatë këtyre 22 viteve ke mundur të dëgjosh emisione të kulturës, artit, gjuhës shqipe në gjithëpërfshirje por dhe këngë të pasura e burimore të gjitha trevave shqiptare që Zoti e njeh si Shqipëri natyrale.

Radio Kosova e Lirë për 22 vite më ka qenë dhe vazhdon të jetë zëri i familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës dhe në të njëjtën kohë pararojë mediatike e tyre dhe e çdo vlere të luftës për liri.

Por këto 22 vite të funksionimit për Radion Kosova e Lirë nuk kanë qenë aspak të lehta, duke filluar nga koha e administrimit të vendit nga UNMIK-u që fillimisht i kishte kufizuar frekuencat e transmetimit të kësaj radio të cilën e vlerësonte si nacionaliste. Hiç më mirë së UNMIK-u më këtë medium, burim të pashtershëm të atdhedashurisë nuk u sjellën as liderët politikë të vendit madje as disa sosh prej tyre që vinin nga krahu i luftës të cilët për 22 vite me radhë e injoruan, duke luajtur rolin e neutralitetit dhe paanshmërisë etnike. E për me keq ky medium u la në harresë institucionale dhe pa kurrfarë mbështetje.

Por motivi i jashtëzakonshëm atdhedashurisë për të dokumentuar historinë më të re të atdheut, për të qenë më afër familjeve të dëshmorëve i atdhetarit të pareshtur profesor Ahmet Qeriqit dhe tërë stafit të tij,  ka bërë që për 22 vite Radio Kosova e Lirë të qëndrojë në këmbë si kala e pamposhtur dhe që vazhdimisht është e fortifikuar e kalitur më forcë për të ekzistuar e për të frymuar si medium unikat që eksiton nga lufta çlirimtare.

Viti që e lamë pas ishte ndër vitet më të rënda për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë jo veç për faktin së ishte vit panemikë i shoqëruar, me ankth, frikë paqartësi e humbje jetës si shkak i koronavirusit. Por vendi u përball dhe u godit nga e ashtuquajtura Gjykatë Speciale e cila është imponuar nga ndërkombëtarët dashakeqes të Kosovës të nxitur nga Serbia dhe themeluar nga ligjvënësit tanë vite më parë e filloi stuhinë e saj për ta njollosur dhe inkriminuar luftën e drejtë dhe të arsyeshme të UÇK-së për liri. Duke ngritur aktakuza dhe arrestuar krerët më të lartë të luftës, themeluesit e UÇK-së, liderët politikë të vendit.

Në këtë kohë disa mediet që shkruajnë fatkeqësisht shqip e që edhe më parë kanë qenë me orientim të hapur anti-UÇK e shfaqen dhe përshfaqen gëzimin e tyre për fillimin e punës të kësaj gjykate raciste e të njëanshme të orientuar vetëm kundër shqiptarëve sa që  arrestimin e krerëve të luftës e quajtën “çlirim të vendit”. Pra deri në këtë nivel ka arritur të keqpërdoret fjala e lirë në Kosovë dhe deri në këtë stad ka avancuar urrejtja patologjike e shpërndarë në media e mbetjeve sllave kundër çdo gjëje që ndërlidhet më UÇK-në dhe krerët e saj.

Por radio Kosova e Lirë nuk është relacion të bërit gazetari më këto media mjerane, qartësisht të dukshme anti-shqiptare, nxitëse e tendencioze. Politika redaksionale, struktura dhe metodologjia e Radios Kosova e Lirë është unikate që e bëjnë atë  mediumin më të kujdesshëm, më të artikular dhe më racional por dhe më të dashur.

Sot shqipet atdhedashëse ku do që ndodhën ata ndjehen mirë dhe disponohen valët e Radios Kosova e Lirë si mediumi i vetëm që të gjallë emocione dhe të mbush me zemrat e tyre rendimentin e atdhedashurisë, frymëzimit dhe inspirimit.

Radio Kosova e Lirë vazhdon të mos e lë në harresë të kaluarën e lavdishme të popullit tonë. Ngase ai popull që e lë në harresë të kaluarën e tij nuk e ka të siguritë rrugëtimin drejt të ardhmes. Prandaj radio Kosova e Lirë është duke i qëndruar besnike këtij kombi që nga ditët me të vështira të luftës çlirimtare edhe tash e 22 vite në liri.

Sa të këtë diell mbi tokë dhe shqiptar në këtë botë u dëgjoftë zëri yt KOSOVË E LIRË.

Urime 22 vjetori themelimit.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …