Labinot Konushevci: Intervistë me psikologun, prof. dr. Musa Musai

Kunushevci: I nderuar zt. Musa Musai, fillimisht ju falenderoj që pranuat të zhvillojmë një intervistë së bashku me ju dhe kështu t’u ofrojmë opinionit publik shqiptar atë që është më se e nevojshme për të ditur në lidhje me dimensionin psikologjik të fenomeneve, komponenteve dhe koncepteve të ndryshme të jetës, ekspert i së cilës fushë jeni ju. Kam kënaqësinë dhe nderin që intervistën e radhës po e zhvilloj me një psikolog shumë aktiv në sferën publike siç jeni ju. A mund të na thoni diçka në pika të shkurtra për jetën dhe shkollimin tuaj?

 Musa Musai, u lind në Gradec të Gostivarit në vitin 1970. Pas shkollës fillore ka kryer Medresenë e “Isa Beut” në Shkup në vitin 1988, si gjeneratë e parë e kësaj shkolle. Pas përfundimit të shkollës së mesme ka vazhduar studimet në Sarajevë të B dhe H, megjithatë para se të përfundoj studimet shpërtheu lufta në atë vend dhe ka qenë i detyruar t’i ndërpres studimet për një kohë. I bindur në premise se pas çdo një vështirësie vjen lehtësimi, në vitin 1993 është transferuar në Stamboll të R. së Turqisë, pranë Universitetit Marmara, në Fakultetin Teologjik. Pas kurseve të gjuhës, arrinë që në vitin 1996 të diplomoj në këtë universitet. Menjëherë pas studimeve bazë vazhdon studimet master në të njëjtin universitet, por tani në Institutin e Shkencave Sociale, dega e psikologjisë së religjionit. Në vitin 1998 arrinë që të magjistroj me temën “Përceptimi i identitetit kombëtar dhe fetar i shqiptarëve të Turqisë dhe Maqedonisë” (botuar nga shtëpia botuese Logos-A). dhe pas një viti pauze në të njëjtin drejtim ka regjistruar edhe studimet e doktoraturës, ku në vitin 2004 arrinë edhe të doktoroj në lëminë e psikologjisë së religjionit me temën e disertacionit të doktoraturës “Integrimi i fesë-identitetit social te Muslimanët e Ballkanit”. Një kohë të gjatë ka punuar në Universitetin Internacional të Novi Pazarit (diku rreth 6 viteve) në Fakultetin e Shkencave Sociale, prej vitit 2009 punon si ligjërues i rregullt në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fakulteti Filozofik, Departamenti i Psikologjisë. Njëkohësisht prej vitit 2011 e këndej është profesor në kolegjin universitar “Fama” në Prishtinë dhe në Prizren, në Fakultetin e Psikologjisë si dhe në studimet master.

 Kunushevci: Ju jeni profesor i psikologjisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, atëherë si e përshkruani punën tuaj si mësimdhënës në këtë Universitet? Sa jeni i kënaqur me sistemin e arsimimit dhe kuadrot – psikologët e rinjë që dalin nga ky Universitet? Cilat janë sfidat kryesore me të cilat ballafaqoheni ju dhe mësimdhënësit e tjerë shqiptarë në këtë Universitet? Çfarë perspektive i pret psikologët e rinjë në tregun e punës dhe terenin ku ata do ta ushtrojnë profesionin e tyre?

 

 Musai: Puna e profesorit universitar për mendim tim është sa sfiduese aq edhe udhërrëfyese dhe inkurajuese për ecjet tona gjithëkombëtare të mëtutjeshme, me qëllim të bashkangjitjes së të gjitha vendeve ku çmohet dija dhe arritjet e mirëfillta shkencore. Ne jemi të vetëdijshëm që në botën postmoderne të relativiteteve të shumta, nuk mund të themi se kemi sisteme të përkryera, megjithatë ndaj mendimin se për çdo një qendër universitare synim duhet të jetë inkurajimi i të rinjëve që përmes vlerave të mirëfillta shkencore dhe virtytshmërisë të ngriten drejt piedestaleve më të larta. Lidhje me psikologët e rinjë, që dalin prej kësaj vatre arsimore unë dua të them që i çmoj dhe mendoj se në mesin e tyre ka student tejet të zellshëm dhe të përkushtuar që në aspektin më meritor të marrin epitetin e studentit të denjë. Ne kemi gjenerata të mira studentësh, dhe nëse ato i shohim si një brumë adekuat i cili ndoshta vetëm duhet t’i merr trajtat dhe format e duhura të të qenit shërbyes të njerëzve. Kam shumë shpresë në një numër studentësh për të cilët dua të flas me fjalët më të miradishme.

Realisht sfidat edhe duhet të jenë ngase na bëjnë më të përkushtuar në hapërimin me kohën dhe zhvillimet shkencore që ndodhin gjithandej.

Lidhje me gjeneratat e reja të psikologëve që dalin, unë ndaj mendimin se dalëngadalë secili prej tyre që  është i përkushtuar në profesionin që ka do ta gjej fushën dhe hapësirën adekuate të dhënies kontribut në shoqëri; qoftë në institucionet tona arsimore, qoftë edhe në jetën shoqërore në përgjithësi (arsim, treg, ambient, institucione publike dhe private). Ne jemi të vetëdijshëm që profesioni i psikologut tek ne akoma shihet si një punë pak më sensibile dhe jo edhe gjithaq e pranuar. Sidoqoftë bota e përparuar vërtetë si duket individët nuk ia njeh mundësinë e zhvillimit të tij jashtë situatave stresuese dhe ndonjëherë edhe depresionuese, andaj edhe këtu ekziston një sferë e pa prekur në kuadër të së cilës psikologët do jenë ruajtës të shëndetit mental.

Ky perceptim  jo edhe aq i shëndoshë i shoqërisë sonë dalëngadalë do “evoluoj” në kuptimin e mirë të fjalës dhe do krijohen mundësi adekuate, për mendim tim punë sa profesionale aq edhe humane për psikologët e ardhshëm.

Kunushevci: Cila është rëndësia e psikologjisë në jetën e njeriut, qoftë si individ apo si shoqëri? Cilat pore të jetës i përfshin dhe trajton kjo disiplinë shkencore dhe cili është roli i një psikologu në shoqëri? Në veçanti, në shoqërinë tonë, sa janë të zëshëm dhe konstruktivë ata?

Musai: Ne jemi të vetëdijshëm për lashtësinë e trajtimit psikologjik si fenomen shoqëror, me qenë se aty ku ka një individ ne themi që kemi të bëjmë me psikologji. Por edhe të njohur për moshën rinore të saj sa i përket rrugëtimit shkencor që ka bërë deri më tani psikologjia. Psikologjia sipas meje është ajo e cila më së miri e luan rolin e kyçjes së secilit në shoqëri për dhënien e kontributeve të duhura dhe duke i njohur drejtë proceset. Tani si shembull mund të marrë zhvillimin e njeriut (sipas psikologëve prej periudhës paranatale e deri në fund të jetës së tij), ne themi se veçmas njohja e secilit me ato proçese aq të rëndësishme të secilit stad dhe periudhë zhvillimore, me të vërtetë mundëson që në mënyrë të drejtë dhe adekuate të japim kontributin tonë ose edhe të ndihmojmë që të zhvillohen drejtë. Si shembull marrë situatën e një ndjekësi të kinematografisë i cili në një film shkon me vonesë prej 10-15 minutave, me të hyrë unë mendoj se atë që ka më afër do e pyes lidhje me atë pjesën që ai nuk e ka ndjekur me qëllim që të krijoj kontinuitetin e ngjarjeve. Edhe në jetën e individit nëse prindërit, të afërmit në procesin e zhvillimit të një individi kyçen me vonesë ose ngelin jo të informuar drejtë, asnjëherë nuk do kuptojnë dhe nuk do dijnë për nevojat e drejta dhe themelore të një fëmije (në këtë rast të prindërve), ose nxënësi (në këtë rast të mësimdhënësve), punëtorit (në këtë rast të punëdhënësve). Ndaj mendimin se roli i psikologut duhet të jetë dhënia e kontributit në zhvillimin dhe ruajtjen e shëndetit psikofizik të çdo një individi në shoqëri.

Kunushevci: I nderuar profesor, krijimi i karierës, suksesi në planet e jetës dhe formimi i personalitetit janë synime, vizione dhe ideale të shumë njerëzve. Atëherë, cili është sekreti dhe qelsi i suksesit sipas jush dhe si e shihni ju personalitetin e shëndoshë dhe të kompletuar të një njeriu, të një të riu, të një ambiciozi? Si ndërtohet një personalitet?

Musai: Kariera si nocion realisht në fillim duket si diçka e frikshme trishtuese. Realisht edhe preokupon çdo një individ lidhje me atë se cili do jetë profesioni im. Kjo ka të bëjë edhe me aftësimin e marrjes së vendimeve, që për mendimin tim është një aftësim i jashtëzakonshëm i pjesëve të trurit sa i përket cortex’it orbito frontal dhe botës emocionale të njeriut. Pasja e vizionit, idesë lidhje me atë se çka duhet të bëjë unë, me të vërtetë tregon për një predispozitë artikuluese të gjësendeve të mbara që mund të arrijnë individët e shoqërisë sonë. Rritja e ambicies në fakt rrit edhe motivin për arritje dhe e tëra kjo shpresojmë që një ditë të përfundojë me sukses për punën dhe angazhimin e këtij individi. Gjitha këto nocione që ju i keni përmendur realisht shumë për së afërmi kanë të bëjnë me proçese të rëndësishme psikologjike. Një ndër elementet e rëndësishme të suksesit dhe arritjeve profesionale në jetë do varet edhe nga vetëbesimi dhe niveli i motivit për arritje të njeriut, ndoshta nuk kemi një çelës të vetëm për karierën dhe suksesin, megjithatë këto dy komponente duken kuptimplote, pasiqë vetëbesimi vjen si rezultat i dijeve të marra, aftësimit adekuat që njeriu ka arritë, shtrirjes së tij në sfera të ndryshme, përvojës së ndërtuar etj. Ndërsa sa i përket shtytësve motivacional edhe ato janë të rëndësishëm në atë masë që i tërë inercioni i punës, arritjeve, suksesit do varet nga këto komponente.

Personaliteti reflekton tërësinë e tipareve të një individi pjesë e të cilave janë të trashëguara dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre përfitohen. Tani kur flasim për formim ose kultivim të një personaliteti dmth. figure të rëndësishme aty bëjnë pjesë shumë faktorë.

Ndër më të parët duhet të përmendim kuptimin e jetës, përgjegjësitë, optimizmin, vizionin, motivimin dhe të ngjashëm. Dua të them nëse ne që në fëmijërinë e një personi injektojmë idenë se ti i takon një populli të rëndësishëm, këta njerëz kanë pasur arritjet e tyre dhe janë dëshmuar me vlerat e tyre. Andaj edhe ti bën kujdes në këtë drejtim dhe ji i vetëdijshëm se shoqëria prej teje prêt zhvillimin e një individi me virtyte, vlera, aftësi, kreativitet. Dmth. në psikologjinë e tij mbjellim idenë e të qenit person i rëndësishëm dhe madhor.

Nëse ju qoftë edukimin qoftë zhvillimin e tij e fillon me mungesë të mbjelljes së vetëbesimit ose me psikologjinë e inferioritetit duke i thënë se prej teje nuk del gjë. Ose në anën tjetër i flitni se ne jemi popull i vogël dhe ne nuk çojmë kurrfarë peshe, andaj ti pranoje rolin inferior që ne e kemi dhe zhytu në botëkuptimet dështuese dhe mbytëse me veteveten.

Aq sa potenciali i tij në formimin e një personaliteti ka ndikimin e vet, në atë masë ndoshta edhe më shumë pjesë e këtij zhvillimi janë gjitha rrethanat shoqërore.

 

Kunushevci: Kalojmë në një temë tjetër, atë të besimit shpirtëror. Veçanërisht cilat janë refleksionet psikologjike të agjërimit tek agjëruesi dhe në përgjithësi, të ritualeve tjera fetare të besimit islam? Si mund të jetë besimi frymëzim dhe motiv për punë të mira? Dhe e kundërta, qasja nihiliste me maksimizimin e lirisë së pafund, duke eleminuar kështu konceptin e përgjegjësisë, drejt një dekadence dhe krize morale. Si reflektohen këto dy aspekte të kundërta në anën psiqike të njeriut?

 

Musai: Feja është çështje e cila në tërësi i drejtohet unit të njeriut, që do të thotë se ju drejtohet (referohet), besimit, ndjenjës dhe mendimeve të tija dhe ka një funksion i cili në brendi ju bënë përshtypje cilësive të cilat janë të veçanta për njeriun. Gjinia njerëzore në çdo periudhë, ka besuar në disa qenie mbinjerëzore, në të njejtën kohë ka kërkuar rrugët e vënies kontakt me ta, si dhe ka lodhur trurin e tij në lidhje me jetën pas vdekjes. Esenca e fesë  është imani (besimi), vetëm se njeriut që beson nuk i mjafton vetëm besimi i thatë, gjithsesi që ai hulumton pas asaj që beson dhe atë besim që e ka e reflekton në sjelljet-veprimet e tija. Kështu që njeriu që beson, lidhjen që e ka me të Lartmadhëruarin, bën përpjekje që ta nxjerrë në pah me anë të fjalëvë dhe disa veprimeve fetare.

“Agjërimi është terapi hyjnore”.

Në aspektin fiziologjik duhet theksu që agjërimi sistemeve siç janë ai i tretjes, gjëndrave endokrine, sistemin e qarkullimit të gjakut, atë të frymëmarrjes dhe nervor i fut në një proces të pushimit. Madje gjatë agjërimit realizohet edhe procesi i ripërtrirjes së qelizave. Në veçanti duhet theksuar që specialistë të fushës së kardiologjisë, theksojnë që agjërimi është shumë efikas në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve tek pacientët që vuajnë nga sëmundjet koronare të zemrës dhe se në lidhje me këtë kanë arritur konstatime të mirëfillta.

Si dëshmi të kësaj do doja të citoj një konstatim të një profesori të shquar Amerikan i cili thotë:

“Agjërimi na mbron nga harxhimi i tretjes së ushqimeve të cilat janë energjia e jetës sonë, kështu që energjia jetësore përdoret në evitimin e strukturave (organizmave) të sëmura dhe toksikëve të ndryshëm. Një tjetër dobi e agjërimit qëndron në faktin që si i tillë na siguron pushimin (qetësinë) psikologjik. Sistemi i tretjes, sistemi i gjëndrave endokrine, sistemi i qarkullimit të gjakut, sistemi i frymëmarrjes si edhe sistemi nervor futen në një proces të të pushuarit. Gjatë agjërimit në trupin tonë ndodh procesi i ripërtrirjes dhe mirëmbajtjes së qelizave”. Madje agjërimi kthjellon mendjen, mprehtëson shqisat dhe përforcon memorien. Një lukth i zbrazur gjakun i cili do harxhohet për tretje e dërgon në tru, kështu truri pranon më shumë gjak dhe energji. Kështu që si rezultat i kësaj rritet koncentrimi dhe aftësia e të menduarit.

Konstatimet dhe arritjet shkencore e këtilla s’do mend se tek agjëruesit sigurojnë një ndjesi krejt tjetër nga ajo që deri më tani mund të kenë pasur lidhje me agjërimin. Përpos asaj në aspektin psikologjik ju lehtëson për të ndërtuar një percept sa më të shëndosh madje edhe më objektiv sa i përket kësaj ortopraktike fetare te vet agjëruesit. Duke u vërtetuar në atë që agjërimi lë që nuk dëmton shëndetin e tyre, por në të kundërtën përforcon ose rigjeneron shumë sisteme në kuadër të organizmit të njeriut, atëherë tani më tepër do të përqëndrohemi tek dobitë psikologjike të agjërimit.

Nëse agjërimin e analizojmë nga këndvështrimi psikologjik mund të themi që agjërimi është një mësues i mirëfilltë dhe me vlerë për çdo një individ. Në saje të agjërimit individi arrinë të frenoj epshin, pasionet e tija, arrinë të merr në kontroll sjelljet instinktive, prirjet e vullnetit për të cilat tanimë ai është drejtues i tyre. Mëson se, duke qenë i vetëdijshëm që organizmi i tij ka nevojë për t’u ushqyer dhe furnizuar me lëngje të ndryshme, kontrolli për diçka të tillë është vetëm në duart e tija, madje me vet faktin që në periudha të caktuara ai bën furnizimin e organizmit të tij me produktet ushqimore në fakt tregon që këtu ndodh një proces edukativ tejet i rëndësishëm i kontrollit të dëshirave dhe sistemit të vulnerabilitetit të njeriut. Ndonëse është premisë fetare e njohur mirë se agjërimi nuk kërkon prej nesh vetëm ndërprerjen nga ngrënia dhe pirja, por se në të njëjtën kohë kërkon përmirësimin tonë në sjelljen karshi tjetrit, madje mundësisht me shumë vigjilencë dhe kujdes të posaçëm.

Vet procesi i të qëndruarit urët dhe me etje në vete ngërthen shumë pikëpamje të dobishme psikologjike, ngase njeriu kupton vështirësinë e të qëndruarit pa ushqim dhe pije, mbase paralel me këtë kupton edhe paaftësinë dhe sa i pamundshëm që është, që në njëfarë mënyrë do dijë të kontrolloj në mënyrë më të drejtë diçka që ka si potencial dhe më tepër nga të tjerët, të kontrolloj dhe ul ndjenjën e superioritetin ndaj tjetrit si dhe në ndihmën që do i afrojë agjërimi në pamjen dhe vlerësimin sa më të drejtë dhe të vërtetë qo do ia bëjë vetes dhe të tjerëve. Agjëruesi e ka të qartë se njeriu mund të jetoj për një periudhë kohore pa ngrënie dhe pa pirje, andaj edhe e kupton se ushqimi i tepërt është i panevojshëm mbase edhe i dëmshëm. Agjërimi që bëhet gjatë muajit të Ramazanit na vetëdijëson për një premisë të lartë se ne nuk jetojmë për t’u ushqyer, por se hamë për të jetuar. Dhe se nuk ushqehemi pa rend dhe si duam, gjë që në fakt na përforcon vullnetin tonë për kontroll.

Agjërimi i Ramazanit është i rëndësishëm edhe për vet edukimin e ndjenjave të njeriut, ngase duke filluar nga më primarja ka ndikim në aftësimin e tyre që gjërat dhe njerëzit përreth t’i shohin pa paragjykime dhe bëjnë riaftësimin ndërgjejgësues të tij sa i përket raporteve me të tjerët. Ngase përceptimi i vetes në një prizëm të shëndosh është bazë e njohjes dhe përceptit të drejtë për tjetrin. Gjendja e agjërueshme është ajo që njeriut i sugjeron “bëj durim”, “ndalo dhe mendo”, “fillo nga e para” e që për nga aspekti psikologjik është mundësi riparimi dhe rinovimi i vetvetes e përforcuar me prirjen për vetkontroll të mirëfilltë. Një introspektim i brendshëm dhe kontroll i sërishëm i gjërave mundëson që njollat (mëkatet) brenda vetes tonë të pastrohen dhe riparohen si të tilla. Në fakt këto përforcime që ndodhin me të menduarit, me ndjenjën për bamirësi janë përfitime të rëndësishme në rindërtimin e sërishëm të vetvetes. Andaj duke e edukuar vet-mohimin (nefsin) me agjërim gjatë ditëve të nxehta të verës, në fakt e arsimojmë pjesën frontale të trurit tonë të njohur si Anterior Cingulat Gyrus i cili sikur mekanizmi i marzhit bën rregullimin e shpejtësisë, proces ky, edukativo-arsimor që trajton dhe zhvillon inteligjencën tonë emocionale.

Nëse agjërimin e analizojmë nga këndvështrimi psikologjik, mund të themi që ai është një mësues i mirëfilltë dhe me vlerë për çdo një individ. Ngase në saje të agjërimit individi arrinë të frenoj epshin, pasionet e tija, arrinë të merr në kontroll sjelljet instinktive, prirjet e vullnetit për të cilat tanimë ai është drejtues i tyre. E kjo është një përforcues i qartë i egos së tij.

Përpos kësaj njeriu mëson që, duke qenë i vetëdijshëm se organizmi i tij ka nevojë për t’u ushqyer dhe furnizuar me lëngje të ndryshme, dhe se kontrolli për diçka të tillë është vetëm në duart e tija, në fakt tregon që këtu ndodh një proces edukativ tejet i rëndësishëm i kontrollit të dëshirave dhe sistemit të vulnerabilitetit të njeriut.

Ndonëse është premisë fetare e njohur mirë se agjërimi nuk kërkon prej nesh vetëm ndërprerjen nga ngrënia dhe pirja, por se në të njëjtën kohë kërkon përmirësimin tonë në sjelljen karshi tjetrit, kërkon virtytin e respektit të ndërsjellë, madje mundësisht ta realizojë me shumë vigjilencë dhe kujdes të posaçëm.

Do ishte e rrugës që mos lëmë pa theksuar aspektin terapeutik të këtij muaji, duke u përqëndruar në preferencat bazë të këtij muaji sa i përket mbrojtjes nga stresi, ngarkesat psikologjike, shqetësime tjera të kësaj natyre. Agjërimi si i tillë një ndër mekanizmat bazë që i preferon si mbrojtës nga stresi, e të cilët në psikologji njihen si mënyra të mbrojtjes nga stresi sikur meditimet, ushtrimet e ndryshme, aktivitete e lira, është qëndrueshmëria. Duke na trajnuar me qëndrueshmëri na mëson që të jemi të durueshëm, në fakt na tregon fuqinë meditative të këtij muaji.

Njeriu që nuk di dhe nuk e qëllon ushqimin e shpirtit tij gjithnjë do jetë në pritje që psikologët të futen në “kuzhinë” e të gatuajnë ose përgatitin ndonjë reçetë adekuate për shqetësimet dhe streset të cilët shpesh herë na kaplojnë gjatë jetës sonë. Një jetë pa stres do ishte dëshira më e madhe e secilit nga ne, mirëpo ja që diçka e tillë për këtë botë duket e pamundshme dhe e parealizuar. Megjithatë të jetosh me realitetin e stresit dhe të kesh antistresantët më organik është jeta më e rehatshme psikologjike. Në këtë po shtojmë faktin që besimi, ortopraktika fetare, meditimi rreth porosive të Krijuesit me siguri janë vlerat më të përshtatshme për ruajtjen e natyrshmërisë së njeriut dhe mbrojtje e fuqishme nga presionet e ndryshme psikologjike. Nga e tërë ajo që u cek më lart nxjerr përfundimin se terapitë hyjnore (kam për qëllim në radhë të parë leximin e Kur’anit, pastaj ibadetet sikur agjërimi e namazi) janë më adekuatët për shpëtim nga streset dhe stresorët e ndryshëm.

Për fund uroj që muaji i agjërimit të mundësojë që brenda nesh të rritet dhe përforcohet shpirti e të zvogëlohet epshi, të forcohet humanja brenda njeriut e të dobësohet kafshërorja.

Kunushevci: Profesor, një pyetje që rrallë herë shtrohet: Nga vijnë idetë?! A ka ndonjë studim shkencor që flet mbi burimin apo prejardhjen e ideve, sidomos atyre inovative, gjeniale etj.? A i prodhon truri idetë, apo ato janë mrekulli e Zotit?

Musai: Tani sa i përket asaj se nga vijnë idetë, dua të them se më së tepërmi është problematikë që diskutohet në qarqet e filozofisë së mendimit, e cila si e tillë trajton çështjen e ideve.

 Kunushevci: Ju si psikolog studioni dhe hulumtoni tipologjitë dhe karakteret e ndryshme të njerëzve, atëherë, çfarë mund të na thoni për tipat e karaktereve dhe personaliteteve njerëzore si: fobikë, hedonistë, skeptikë, temperamentë, perversë, radikalë, kompleksë, pesimistë, iluzionistë, egoistë, emocionalë, të papërgjegjshëm etj…? Nga cilët faktorë varet karakteri i njeriut? Dhe sëmundjet apo shprehitë dhe sjelljet patologjike, si mund të shërohen apo eleminohen? Çka e përcakton dhe determinon karakterin e një individi?

 

 

Musai: Tipologjitë ose edhe karakteri kanë të bëjnë me personalitetin, i cili si i tillë përfshinë tërësinë e veçorive të një individi, që si të tilla janë unike dhe të papërsëritura në secilin individ, kanë intenstitetin dhe nivelin e përfshirjes brenda të tyre me performance të ndryshme prej një personit tek tjetri. Qoftë se edhe një veçori të duket e përbashkët, megjithatë duke u nisur prej pikëpamjes vetëdijësore e deri tek përfshirja emocionale si e tillë tek secili prej nesh përjetohet me specifikat, ngritjet dhe uljet e veta. Në përgjithësi kemi të lindura dhe të fituara ose edhe të kombinuara, në kuadër të së cilave mund të themi që përbërja gjenetike dhe ajo e përfituara krijojnë atë simbiozën e një procesi të përkryer krijimi nga Krijuesi.

Nëse bisdojmë për karakterin e njeriut atëherë kryesisht flasim për predispozita gjenetike dhe gati se të pandryshueshme, por vetëm me ndërhyrje të caktuara mund të kemi edukim, rritje ose ulje të intensitetit të përjetimit të një specifike. Në shembujt që ju keni përmendur tipare të caktuara, vërehet një konglomerat vetishë dhe tiparesh, ku jo të gjitha mund të vlerësohen në kuadër të psikologjisë së personalitetit. Për nga karakteri nëse i shohim gjërat atëherë kemi të bëjmë me specifika të caktuara, ku ndikimet vërehen duke filluar prej nivelit të lëngshmërisë, nivelit të përfshirjes së gjakut dhe të ngjashme me to të cilët shihen si determinantët kryesor të asaj se me çfarë natyre do jetë një person.

Ndërsa kur janë në pyetje tipat e personalitetit atëherë mund të marrim për bazë disa psikologë që dallojnë në këtë drejtim. Si për shembull Carl Gustav Jung, Hans Eysenck, Sigmund Freud, Karen Horney, Alfred Adler etj.

Ndarjet e Jungut, për bazë marrin introversionin dhe ekstroversionin, dmth. personalitete që gjërat i jetojnë për vete, më të mbyllur, më të përfshirë në ngjarje dhe përjetime të caktuara. Për të cilët mendohet se sistemi nervor simpatik mekanizmat e frenimit ose kontrollimit të përfshirjes emocionale janë më të ngadalsuar dhe për këtë arsye individi preokupohet më së tepërmi me diçka që i ndodh dhe nuk e tejkalon dot një situatë të caktuar, që ky i bie të jetë introverti. Krejt të kundërtën e kemi në një personalitet ekstrovert. Mos harrojmë se te të dyja llojet për bazë mund të merren aspektet e botë intuitive, afektive, intelektuale dhe sjellore.

Ndërsa te Adleri më tepër vërejmë tipare personaliteti me natyrë të krijimtarisë ose stagnacionit, dobisë shoqërore ose frigjiditetit nga rrethana të caktuara shoqërore.

Sigurisht pjesë e pandashme e llojeve të personalitetit janë edhe segmentet patologjike, ku më së tepërmi dallohen Eysenck, Freud dhe Karen Horney. Eysenck ka neurotikët dhe psikotikët dhe në kuadër të së cilës nuk i sheh vetëm nga aspekti patologjik dhe si çrregullime mentale. Sa për ilustrim njerëzit krijimtarë, heronjë, zbulues, shkencëtarë sipas Eysenckut detyrimisht në një farë forme duhet të kenë qenë në një gjendje specifike psikotike, jo për të thënë se shkencëtarët janë psikotik ose me çrregullime të shëndetit mental. Megjithatë paramendojeni një shkencëtar zbulues, me siguri që në përjetimin maksimal të prodhimit të një ideje, shumë pak kohë ka të mendojë për kollaren e tij, ose për ngjyrën e këpucëve. Tani kjo atë e bënë jo të vëmendshëm për momentin për nga pamja, megjithatë nëse ndalemi të analizojmë krijimtarinë e tij ne i mahnitemi kryeveprave të këtij lloji të njerëzve, sepse siç thotë edhe një psikolog humanist Abraham Maslow ata kanë origjinalitetin dhe arritjen e motiveve më të larta siç është vetaktualizimi.

Dua të përmendi edhe idenë bazë të Horney sa i përket pikëpamjes patologjike të personalitetit. Vërtetë që ajo ndalet më së shumti tek neurozat, të cilat i sheh si të domosdoshme për jetën. Dhe se neurozat e bëjnë jetën me kuptim dhe të jetueshme. Do duket pak sa e çuditshme, por secili prej nesh përfshihemi nga këto preokupime neurotike në jetë. P.sh. ne duam që të gjithë të na duan, të na respektojnë. Me gjithë faktin se është irracionale, por herë pas here kemi tipare të personalitetit të cilat reflektohen përmes ideve të tilla që Horney i ka konsideruar si irracionale.

 Kunushevci: Në përgjithësi, a mund të na tregoni diçka për stresin dhe traumën? Sa jemi të traumatizuar ne si popull, kur dihet se kemi përjetuar lufta dhe ndryshime mjaft radikale në shoqëri? Si duhet të menaxhohet stresi, veçanërisht po më intereson stresi i studentëve gjatë provimeve? Një këshillë…?

 Musai: Stresi është gjendje dinamike ku individi ballafaqohet me mundësinë, kërkesën ose burimin, e ndërlidhur me diçka që dëshiron, përfundimi i të cilit përceptohet edhe si jo i sigurt edhe si i rëndësishëm. Janë akte të jashtme ose të brendshme të cilat tentojnë të prishin ose deformojnë funksionin e ekuilibruar të gjendjes aktuale në të asaj emocionale, afektive dhe konjitive.

Të gjithë njerëzit janë nën stres. Është shumë rëndë të gjejmë dikë që thekson se nuk është nën stres. Stresi u referohet karakteristikave komplekse të niveleve emocionale, reakcioneve fiziologjike dhe mendimeve relevante që paraqiten si përgjigje e kërkesave të jashtme ose stresorët.

Andaj stresin aq sa duhet parë në prizmin negativ, mos harrojmë se pa të edhe serioziteti edhe suksesi në jetë nuk do ishin të plotë. Andaj jeta pa stres nuk do ishte kuptimplote, nuk do paraqiste sfidë për ne dhe do ishte e njëtrajtshme. Për shembull planifikimi për martesë, ose përgatitja e provimit aq sa janë preokupim, ngarkesë shqetësimi në atë masë individit i mundësojnë rritjen e vetëbesimit, vullnetin për të perfeksionuar gjëra dhe njohuri të caktuara etj.

Në situatat stresuese si reagim i këtyre gjëndjeve tajiten hormone rregulluese të këtyre shqetësimeve si glukagon, epinefrin, norepinefrin, kortizol dhe somatotropin.

Stres deri sa ai është nën kontrollin dhe menaxhimin tonë, në atë masë që stresin nuk kemi mundësi ta kontrollojmë dhe ai dalëngadalë faktorizon gjendjen e çrregullimit dhe desorientimit mendor tonit atëherë këto përmasa dalëngadalë shndërrohen në frikë, fobi, traumë etj.

Tash mes të përjetuarës së luftës për një shoqëri dhe të përjetuarës së vështirësive në jetë pa mos qenë nën presionin e ndonjë lloji të okupitmit ka dallime të mëdha. Lufta dhe situatat e jashtëzakonshme detyrimisht imponojnë përjetime të vështira dimensionet e të cilave mund të jenë përmasive. Motivi i sigurisë është nevoja e dytë themelore për njeriun, tani në Luftë dihet se më së paku që e ndjejmë ose përjetojmë  është ndjenja e sigurisë. Dhe është proces i detyrueshëm që në mungesë të sigurisë shëndetin mental të individit ta atakojnë shqetësime, frikëra, fobi të caktuara. Traumat janë një kategori edhe më komplekse e përjetimeve negative pasi aty kemi përfshirje intensive të frikës deri në atë masë që njeriu nuk ka mundësi të kontrollojë dhe përmes mekanizmave mbrojtës të tij deri në njëfarë mase ta stabilizojë të njëjtën.

Popullata jonë është e përvuajtur në këtë drejtim, andaj edhe herë pas herë ne shohim vetëdije kolektive më të shqetësuar, më refleksive, inercuese etj. Ndoshta do kishte qenë më e butë kjo situatë sikur të kishim pasur mundësinë e trajtimeve psikoterapeutike më të theksuar kur dihet mirë se çdo një përjetim krijon një lloj presioni në botën e brendshme tonën dhe ajo energji ose presion negativ në njërën ose tjetrën mënyrë ka mundësi ta shfaq veten në forma të ndryshme. Përmes moskontrollit të botës emocionale dhe njohëse tonën dhe kështu me radhë.

 Kunushevci: Dihet se vlerat artistike e pasurojnë një shoqëri dhe një komb. Atëherë, pasi që arti është dimension shumë i gjerë, unë kisha me shtruar një pyetje që përfshin dy aspekte të artit: produksionet filmike së bashku me serialet apo telenovelat dhe gjithashtu zhanret muzikore etj. Si reflektohen ato në jetën psiqike të njerëzve? Në veçanti, si e vlerësoni prirjen e disa të rinjve për imitimin e artistëve të ndryshëm, dhe marrjen e tyre si model për imitim, edhe pse me sjelljet skenike (ata artistë) nuk janë treguar se janë konform me etikën dhe moralin publik?  Si e vlerësoni dhe interpretoni këtë?

   Musai: Sfera e artit është reflektim i zhvillimit të sferës kulturore në një shoqëri. Dhe njerëzit ndjejnë nevojën për zhanre të ndryshme artistike në kuadër të së cilës mendohet se ushqehet bota kognitive dhe emocionale e një kombi. Filmi është krijimtari artistike e një shoqërie e cila shfaq gjendjen aktuale të një shoqërie sa i përket kulturës, shkencës, krijimtarisë artistike, ngritjes shpirtërore, nivelit qytetërues dhe shumë faktorëve tjerë me karakter shoqërorë. Bota është në një garë të këtyre arritjeve. Në kuadër të së cilës vërejmë përpjekje për ndërtime imazhesh dhe indoktrinime të mundshme. Sepse nuk mund të mendohet ndonjë krijimtari artistike e cila nuk do lë përshtypjet e saja nëse jo te të gjithë atëherë te një pjesë e spektatorëve. Nuk do të thotë se duhet paragjykuar këto, megjithatë pajtoheni që herë pas here ndodhin procese akulturuese të tilla që vetëm përmes imitimit tentohet të jepet pasqyrë jo reale e një shoqërie. Në anën tjetër tëhuajësimi nga vetja mund të jetë rezultat i mundshëm i një spektri të tillë të gjërë konsumesh artistike.

Qëllimin e kam se shoqëritë nuk duhet të jenë vetëm në pozitën e spektatorit ose ndjekësit nga jashtë sa i përket artit dhe krijimtarive artistike.

Sot kulturat pa identitet të fuqishëm, janë të prirura drejt proceseve të “imitimit të verbër” pre e së cilës në masë të madhe jemi ne. Keni parasyshë se në të shumtën e rasteve më tepër ju jepet hapësirë zhargoneve që aspak nuk kanë të bëjnë me tekst shkruarjen e përshtatshme, por më tepër i jepet hapësirë dhe rëndësi viziualitetit, ndonjëherë jemi dëshmitarë edhe të skenave denigruese të dinjitetit njerëzor. Një pjesë e konsiderueshme e “artistëve” më tepër janë kopjues të verbër të produksioneve më të mëdha të arenës ndërkombëtare, ku më e keqja është se ndonjëherë degjenerimi dhe format e akulturimit janë prezente dhe popullatës i servohen si “vlera”!

Kunushevci: Si fitohet oratoria? Është dhunti me bazë gjenetike apo për ta përvetësuar atë kërkohet një shkathtësim dhe përvojë e caktuar në jetë? Unë kam dëgjuar se leximi është një faktor, por a mund t’i numëroni ju disa faktorë që e kultivojnë oratorinë tek njeriu?

 

 Musai: Ndaj mendimin se oratoria vjen si rezultat i një kombinimi të mirëfilltë të leximit dhe kreativitetit të individit. Tani kur themi leximi mendoj gjitha variantet e njohurive të marra nga lëmi të caktuara profesionale dhe fushave tjera që mund të jenë të përafërta me profesionin e preferuar të personit që pretendon oratorinë. Dua të përmendi këtu rëndësinë e letërsisë, shkrimeve analitike, romaneve, veprave shkencore, kurioziteteve, barcoletave etj. Ndaj mendimin se pjesa e kulturës së përgjithshme e cila vjen si rezultat i leximit dhe shprehisë për të lexuar në masë të madhe e ndihmon personin që të ec drejt synimit të tij, që në këtë rast është oratoria.

Nuk duhet lenur anësh, edhe karizmën e personit që flet, theksin, pasurimin e fjalorit (i cili sërish varet nga leximi efikas dhe në sasi të caktuar), mimikën si pjesë prezantuese e personit i cili i drejtohet publikut. Nuk duhet anashkaluar edhe karakterin në kuadër të cilit ne shohim predispozitat e dikujt se deri në çfarë mase posedon aftësi diskutuese.

 Kunushevci: Si ndikon sistemi nervor i njeriut në kujtesën e një individi? Paraqitja e sklerozës… etj! Çka e forcon një memorie apo kujtesë të kthjellur tek një individ? Në botë kemi njerëz që aftësinë e memorizimit të gjërave e kanë më shumë të zhvilluar. A është kjo rezultat i kulturës dhe traditës së popullit që i përkasin, apo është diçka personale? Zhvillimi i aftësisë së memorizimit (por edhe i të kuptuarit), a është me lindje – karakteristikë gjenetike e një populli apo fitohet gjatë jetës me përvoja dhe shkathtësi të ndryshme? Pra, si arrihet një momerie e zhvilluar dhe e kthjellur dhe si duhet kultivuar atë?

 

 Musai: Kujtesa apo memoria është proces konjitiv i cili njihet përmes përceptimit të dijes (që shihet, dëgjohet, mendohet, ndjehet etj), rregullimit, kodimit, depozitimit dhe kujtesës për të. Kujtesa është edhe process, edhe vend fizik i supozuar edhe si një tërësi e cila e okupon atë vend ose hapësirë. Si e tillë në bazë të rolit që ka është një lloj hardisku për sistemin nervor ku janë të koduara informacione, ngjarje, përvoja të ndryshme dhe të cilat në bazë të nevojës ne i kthejmë në procesin e vetëdijes sonë.

Skleroza është ashpërsim i indit e cila vjen për shkak të lëndimeve në damarë, mëlçinë e zezë, në sistemin nervor ose nga grumbullimi i mineraleve. Në të shumtën e rasteve e hasim tek moshat më të vjetra e cila si e tillë përfundon me harresë të theksuar dhe dobësim të memories.

Kujtesa me qëllim që të jetë më efikase më mirë është që gjërat e memorizuara të i shndërrojë në imazhe të gjalla ose të i konceptojë brenda një kornize kuptimplote dhe domethënëse, duhet gjetur rrugën e kthimit në vetëdije të një njohurie ose informacioni të koduar dhe të depozituar në memorien afatgjate.

Në procesin e kujtesës dhe aftësisë  së memorizimit nuk duhet lënur anësh edhe faktorët gjenetikë, strukturimin e personalitetit dhe faktorët fizik brenda të cilëve bëjnë pjesë a) intenziteti i përshtypjes së të dëgjuarit (mbamendja funksionon më së miri ndaj përshtypjeve me intensitet të lartë), b) intensiteti i përshtypjeve shqisore (shikim, dëgjim); disa shohin, tjerët dëgjojnë më mirë. c) kohëzgjatja e përshtypjeve: më gjatë nxënia më e mirë, ritmi: prezantimi ritmik i të dhënave ndihmon kujtesën, e) grupim hapësinor i përshtypjeve: vende të caktuara avansojnë proceset mendore. f) gjendja fizike e organizmit (shëndeti, lodhja), dhe ato psikologjikë si: a) vëmendja; b) interesat, motivet;  c) ndjenjat; d) kuptimi, domethënia;  e) dëshirat, qëllimet, synimet; f) afati (nxënie brenda afatit); g) ndryshimet fiziologjike (etja, uria).

 Kunushevci: Me siguri se edhe në fushën e psikologjisë ekzistojnë teori nga më të ndryshmet që mundohen të ofrojnë dije dhe përgjigje edhe për çështjet më të rëndësishme dhe më të ndërlikuara. Dikush ka dëgjuar e dikush ka lexuar edhe për teoritë konspirative, të cilat mundohen të ofrojnë informata hipotetike, misterioze e skeptike mbi fenomenet në natyrë dhe kozmos. Kështu duke u munduar të ofrojnë përgjigje për fenomenin e gjumit, ëndërrave, shpirtit, vdekjes, jashtëtokësorëve, fenomeneve metafizike dhe enigmatike, zhdukjeve misterioze, déjà vu-së, fantazmave, intuitës etj. Dhe shumë herë edhe shkenca nuk ka mundur të ofrojë përgjigje për çdo çështje. Por nganjëherë disa qarqe ideologjike në emër të “kërkimit shkencor”, arrijnë të shpërlajnë trurin dhe të dezinformojnë mendjet e njerëzve. Ju si psikolog, si e interpretoni këtë?

 

 

Musai: Në kuadër të psikologjisë ndoshta me disa përjashtime të caktuara tërë ato fenomene që ju i keni përmendur apo shtruar, realisht më tepër e tangojnë parapsikologjinë se sa vet psikologjinë si lëmi shkencore me metodologji përkatëse hulumtuese. Nuk ka dyshim se një numër i psikologëve në masë të madhe janë marrë me mendime hipotetike sikur këto, megjithatë sot atë që psikologjia ia shtron vetes nuk janë tematikat në kuadër të së cilave ne nuk kemi mundësinë e matjes, konstatimit, vlerësimit etj.

Nuk e anashkalojmë se një pjesë e psikologëve kanë favorizuar elemente të caktuara mitologjike, ose legjenda, përmes të cilave tregojnë përfshirjen e gjërë që ka pavetëdija krahas proceseve vetëdijësuese dhe se pa to nuk do mund të paramendohej dot një botë reale.

Nëse favorizojmë shkencën dhe metodologjinë e saj, atëherë e kemi vështirë të bisedojmë për realitetin e konspiracioneve dhe ngjarjeve parapsikologjike, të cilat akoma kanë vetëm karakter jashtë shkencor, bindje hipotetike dhe rezultate aq supozuese.

 Kunushevci: Invazioni i Internetit s’ka të ndalur në këtë shekull. Lidhja me botën virtuale po vie vazhdimisht duke u thelluar dhe duke krijuar varësi. Shpërndarja marramendëse e miliona (dez)informatave brenda ditës, gjuha e komunikimit etj? Një dinamikë ndryshe? Leximi virtual nganjëherë po ia tejkalon leximit të librit të shtypur, pra kemi një reduktim të lexuesve të librit etj…! Si shpjegohet kjo në dimensionin psikologjik?

 

 Musai: Përparimi teknologjik është diçka që duhet parë si shtim i mundësive për arritje deri tek informacioni më lehtë dhe për pak kohë. Megjithatë do pajtoheni edhe ju, se rruga e bërë është aq e shkurtër për të arritur deri tek njohuria ose informacioni i duhur sa që nuk e përmbush individi me diçka të gjallë dhe përpëlitëse.

Elementi tjetër është mallverzimi dhe manipulimet e panumërta që shumë herë marrin karakter shpifës. Andaj gjithsesi që ne nuk e ndalim dot, depërtimin e saj në jetën tonë megjithatë edhe në saje të mungesës së kontrollimit të saj në tërësi, ekziston mundësia që të lëvizet diçka në këtë drejtim.

Unë personalisht jam ithtarë  i librit ngase me gjithë faktin që edhe ajo i është nënshtruar një sërë ndërhyrjesh dhe formatimeve teknologjike, megjithatë kur kalon në duart e juaja, gjithnjë mendoj se tani kam krijuar një raport dhe kontakt të drejtpëdrejt me autorin dhe sikur e kam pranë dhe mund ta shtroj bisedën me të.

Statistikisht njerëzit duke zgjedhur të lehtën, të lirën, të shkurtën, kam frikë se i ikin esencës, thellësisë, ezoterizmit dhe hermeneutikës së gjërave, mbase edhe përqëndrohen në teknika më shumë se në kontakte reale.

Për mendimin tim është shumë problem dhe dilemë morale, kur sot njeriu vështirë gjen kohë që të ju shtrëngoj dorën, bisedoj me ju, të diskutoj në botën reale. E paramendoni jeni në një vend takim me shumë njerëz dhe ju jeni duke parë asnjë kontakt real të tyre, përpos lidhjes virtuale etj. Njerëzit qëndrojnë pranë njër-tjetrit por zgjedhin komunikimin virtual ose me shenja dhe simbole të rrjeteve të ndryshme.

 

 Kunushevci: Cilat janë refleksionet psikologjike të meditimit dhe cilat meditime janë më të mira për shëndetin mendor?

 

 Musai: Meditimi më tepër preferohet si terapi e mundshme në situata stresi ose eventualisht ndonjë ngarkese psikologjike. Tjetri element ka të bëj me ushtrimin dhe qetësimin duke e parë meditimin si përforcues i koncentrimit dhe mendimit poyitiv dhe relaksues.

Kunushevci: Ajnshtajni thoshte: “Më lehtë është të thyesh një atom se një paragjykim.” Atëherë, pse paragjykojmë dhe si mund t’i thejmë paragjykimet – stereotipet e ndryshme që kemi ndaj njëri-tjetrit apo asaj që na rrethon? Si e vlerësoni prirjen tonë të përceptimit, analizimit, gjykimit dhe interpretimit të gjërave? Pas hapjes së kufijve, sidomos atyre mbrenda hapsirës shqiptare, a po mendoni se po rriten apo po reduktohen paragjykimet e shqiptarëve për njëri-tjetrin, p.sh., si perceptohen reciprokisht shqiptarët e Maqedonisë me ata të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi etj?

 Musai: Paragjykimet si duket kaplojnë një pjesë të konsiderueshme të jetës shoqërore dhe individuale. Në pika të shkurtëra duhet thënë se sa më pak njohuri për diçka aq më shumë paragjykim. Nuk është e drejtë dhe objektive që në bazë të opinioneve të individëve të caktuar ju të dilni në skenë për të njëjtën çështje dhe të njëjtin opinion ta shndërroni në konstatim dhe përfundim shkencor, vetëm duke marrë për bazë hamendjen, supozimin, opinionin e tjetrit.

Stereotipet janë përgjithësime lidhje me një popull dhe sit ë tilla mund të jenë edhe positive edhe negative, për dallim prej tyre te paragjykimi apriori kemi të bëjmë me mendim, opinion të përgjithësuar negative lidhje me një individ, ngjarje, fenomen, preferencë etj.

Aspekti psikolgjik thotë se paragjykimet kanë katër komponenta-faktor që janë përcaktuesit e natyrës dhe përmbajtjes së paragjykimeve. Elementi socio-kulturor, segmenti situativ, elementi psiko-dinamik dhe ai fenomenologjik.

Andaj në kuadër të kësaj ne mund të themi se vështirë të gjejmë shoqëri apo popull të caktuar ku nuk ka paragjykim ose sjellje të caktuara.

Madje edhe në kuadër të taboreve të njëjta paragjykimet janë të pashmnagshëm.

Kunushevci: Si i vlerësoni pasionet dhe aspiratat e rinisë shqiptare? Çfarë potenciali shihni tek rinia jonë?

 Musai: Aspiratat e një shoqërie, gjithnjë vetëm në bazë të opinionit tim personal, duhet të jenë reflektuesit e realt në lidhje me atë se çka është momentalisht preokupim i asaj shoqërie. Andaj në një vend ku akoma kërkohen rrugët e ikjes nga vendi se nuk na mundëson zhvillim adekuat me të mira materiale, ndoshta në një pikëpamje tregon konceptin hedonistik pas të cilit vrapojnë ose janë përkushtuar njerëzit. Nuk duhet gjykuar, sepse kjo ka të bëjë me modelin e afruar dhe me procesin arsimor si pikëpamje e organizuar e ngritjes së një shoqërie. Në disa hulumtime longitudionale që janë në process e sipër mund të them që ne si potencial kognitiv qëndrojmë mirë. Do të thotë jemi popull inteligjent, të aftë, me prirje produktive. Dhe ndoshta këto që po përmendi i them duke parë përvojat dhe arritjet e një pjesë të shoqërisë sonë se sa kanë arritur për një periudhë të caktuar kohore. Brenda krejt këtyre aspekteve negative unë dua të shoh gjërat nga dritarja e optimizmit dhe mundësisë perspektive.

Më thjeshtë dua të theksojë, se vitet e 70-ta prej Kosove dhe Maqedonie në disa shtete perëndimore shkuan një pjesë e shtresës punëtore, dhe këta njerëz në të shumtën e rasteve ishin të trajnuar me kurse tre mujore dhe kishin shkuar në një shtet me zhvillim teknologjik etj. Vetë ambientimi i tyre, mbijetesa dhe arritjet e fundit të tyre që ne i shohim dalëngadalë te gjenereata e dytë e tyre sipas meje janë dëshmi e madhe sa i përket potencialeve të kësaj popullate.

Ndoshta mungesa e mundësive mund të jetë bllokuesi i daljes në skenë përmes një rruge normale, megjithatë unë shoh rini me vlera dhe me bindje për ta dëshmuar veten. Tani keni mundësi të shihni edhe anën tjetër të medaljes, ku zhgënjimet, pakuptimësitë, pikëpamjet hedonistike janë “vlerat” që konsumohen sot nga një numër i konsiderueshëm i të rinjëve, megjithatë duhet krijuar mundësi dhe oferta më kualitative që të kemi rini me ide dhe përsiatje cilësore sa i përket jetës dhe zhvillimit shoqërorë.

Do doja të kishin pasur një botë ku të rinjtë nuk do të shtronin pyetjet “çka do të ndodhë nesër me mua?”, “çka e pret gjeneratën time në ditën që vjen?”,  “si do të jetë e ardhmja e gjithë këtyre gocave dhe djelmoshave të universiteteve tona?”, “kah do të na shpie e nesërmja?…” S’do mend se është një frikë që i shqetëson gati të gjithë të rinjtë… Që do të thotë se do të ketë të rinj që nuk janë të sigurt për fitimin e tyre ekonomik, që nuk do të jenë të sigurt për hapat që do t’i ndërmarrin, nuk do të ndjehen të sigurt për mendimet e tyre, për zgjedhjet e tyre. Madje, as për frikën e tyre ata nuk janë të sigurt. I riu nuk është i sigurt as për veten, as për të tjerët.

Mirë, pra, ç’do të bëjë ai? Ku do ta gjejë prehjen e vet? Do ta gjejë brenda vetes, apo te të tjerët? Sidoqoftë,  ai do të duhet ta bëjë zgjedhjen e vet. Njësoj sikurse dhe Jean Paul Sartre, i cili do thoshte: “E vetmja gjë që nuk mund të zgjedhim, është të mos zgjedhim”. Që do të thotë se një zgjedhje do të duhet bërë për ta bërë edhe më të kuptimshme jetën në këtë botë. A thua do ta zgjedhë vuajtjen e vet apo do ta zgjedhë ferrin e të tjerëve? Apo,  edhe duke e ditur që do t’i rrëshqet këmba,  ai sërish do të tentojë të ngjitet në muret e çelikta dhe sfilitëse. Vallë,  rruga për të jetuar si njeri është vetëm kjo?

Po, kjo është rruga. Është rruga e vetme dhe zgjidhja (e zgjedhja) e vetme e të riut për ta jetuar në mënyrë të njerëzishme jetën e tij. Herë pas here mund të themi – po, lehtë është t’i thuash njeriut se është i detyruar të bëjë një zgjedhje, mirëpo derisa nuk ia tregojmë, ose nuk ia mundësojmë që më lehtë ta zgjedhë rrugën, derisa nuk kemi një model të vyeshëm përplot vlera,  që të mund t’ia ofronim si mundësi, atëherë sa është e qëlluar edhe ta këshillojmë se ‘ti doemos duhet të bësh një zgjedhje’.

Ngase,  vetëm kjo që do t’i themi se duhet të zgjedhë (e të zgjidhë!), në fakt,  nuk i jep atij ndjenjën e sigurisë se do të bëhet mirë për të. Alternativën e pashmangshme që ia kemi “ofruar”,  a thua se do ta çlirojë atë nga frika e rrëshqitjes, e shembjes ose edhe e humbjes eventuale? Si duket,  shtrohen disa pyetje, përgjigjet e të cilave edhe nuk janë aq të lehta.

Mosha rinore është periudha më e larmishme, më e gjatë dhe ndoshta edhe jo me pa të drejtë,  për gjeneratat më të vjetra,  edhe më e frikshme e jetës së njeriut. Në popull kjo periudhë njihet edhe si kohë e guximshme dhe përplot ndryshime për personalitetin e njeriut. Ndërkaq,  adoleshenca flet për një qarkullim çmenduror të gjakut në trupin e të rinjve; nuk është e rastësishme që në këtë periudhë të rinjtë veten e ndjejnë skajshmërisht të guximshëm, kanë ndjenjën që çdo gjë mund të bëjnë dhe e tërë kjo ndodh nga vetë fakti që në këtë periudhë ndodh përjetimi i të gjitha ndjenjave të njeriut përnjëherë, të cilën gjë edhe nuk duhet parë nga ndonjë konotacion negativ. Kjo është periudha e vetme kur njeriu ndaj një personi të vetëm në të njëjtën kohë mund t’i përjetojë në shkallën më të lartë edhe dashurinë për të, por edhe urrejtjen.

Derisa psikologjikisht dihet mirë që kjo është periudha kur plotësohen të gjitha tiparet dhe karakteristikat e personalitetit të një të riu, kur ai si kurrë më parë e ndjen unin e tij, kur kupton rëndësinë e shoqërisë dhe shoqërimit me moshatarët e tij, kur kriza e identitetit del si sfidë e pashmangshme para tij, kur identiteti i tij imponon qenësinë e vet para të tjerëve. Ja, mu kjo është edhe koha dhe mosha kur më lehtë se kurrë mund të përfitohen qëndrime dhe shprehitë më të papërshtatshme dhe që dalin jashtë kornizave të moralit dhe tradicionales.

Të gjitha këto i them nga vetë fakti që mos të vijmë në situata e të themi: a thua, vallë, kah dhe ku shkon rinia jonë? Mirëpo, sikur me qenë e paradeterminuar kjo çështje që të ndodh gjithnjë ajo së cilës i frikësohemi më së shumti. Dhe, sikur përgjigjja e vetme rreth asaj se kah po shkon rinia jonë ka një përgjigje të vetme: ata janë duke shkuar atje kah ju tregojmë ne cakun (synimin). Ata si duket ecin të sigurt si kurrë më parë në drejtimin që ne ju ofrojmë atyre,  si mundësinë më të mirë për ta. Andaj,  do të ishte më e drejtë dhe më e qëlluar nëse pyesim: në ç’drejtim jemi duke i orientuar të rinjtë me modelet që i kemi krijuar për ta?

Nëse ata sot duhet të përfitojnë identitetin e tyre, atëherë shtrohet dilema se cili është modeli që ne ju ofrojmë të rinjve për një ardhmëri më të mirë dhe më me perspektivë për ta. Nëse e kemi bërë diçka të tillë,  atëherë me lehtësinë më të madhe mund t’i japim përgjigje pyetjes së shtruar më parë, se të rinjtë tanë i pret një e ardhme shumë e ndritshme dhe shpresëdhënëse. I pret realizimi i ëndrrave rinore të tyre. Bukur tingëllon si shqiptim, mirëpo rruga që duhet bërë për arritjen e kësaj bukurie ka një kosto të majme. Edhe pse ka vetëm një kosto, sërish themi që është paksa e vështirë për ta realizuar.

Rruga më e lehtë për të krijuar dhe kultivuar gjenerata të vyeshme dhe përplot suksese, sot qëndron në arsimimin e shëndoshë dhe përplot kompetenca për të rinjtë e këtyre trevave. Në përkapjen e realitetit, që sot me botën e zhvilluar dhe të përparuar të ecet bashkë vetëm me dije dhe arritje kulturore. Arrihet vetëm me tërësinë e identitetit që ke, duke mos lënë anash dhe duke mos anashkaluar asnjë segment të atij identiteti. Ngase, me vlerë të bën mu ajo për të cilën ti mendon se është pengesa e ecjes dhe e integrimit tënd mes popujve të përparuar.

Mungesa e projekteve dhe strategjive shtetërore për bartësit e proceseve të një shoqërie, si duket po e thellon amullinë e shtruar para të riut. Investimet, projektet shumë të pakta për ngritjen dhe kultivimin e gjeneratave të reja me dije dhe kulturë, si duket sot janë evidente më shumë se kurrë më parë. Kam frikë se sistemi dhe mënyra e arsimimit te ne sikur të rinjve ju garanton vetëm një profesion ose disa prej tyre më pak të rëndësishëm për avancimin dhe kultivimin e vlerave kulturore-shkencore. Atë të kamerierit dhe të punëtorit të krahut në Evropë.

Vërtet, suksesi i një gjenerate nuk varet gjithnjë nga sistemi, mirëpo kërkon ngulmimin dhe kërkesën konstante të të rinjve në plotësimin e synimeve të tyre. Për mos me ardhë në situatë që të themi se Evropës i duhen kamerierë, punëtorë krahu, pastrues (jo për t’i nënçmuar këto profesione) të mirë. E ne,  me mburrje të themi se a mund të gjejnë më të mirë se ne për kësi punësh?

Sistemi arsimor që kemi ne si duket nxjerr shumë pak kuadro të suksesshme. Shumica e studentëve janë të pasuksesshëm, sikur jetojnë pa synimin e tyre final që i bën të mburren me veten dhe të tjerët, që të gëzohen me sukseset e tyre. Ndoshta do të duket pak radikale pikëpamja ime, mirëpo kam frikë se mos vallë ne dëmtojmë rëndë të rinjtë apo ardhmërinë e këtyre trevave? Dilema është se mos vallë përmes sistemeve të ngjashme sikur ky,  synohet krijimi i “individëve të moderuar” ose,  siç preferojmë ne të themi,  “të emancipuar”, vetëm se në formën serike. Imitues, ndjekës, konformistë, mahnitës me arritjet e të tjerëve. E assesi të kultivojmë individë me dinjitet të plotë, me vizion të qartë për të ardhmen dhe sfidues të situatave që i shtrohen përpara si probleme të pazgjidhura.

Vështirësitë që po i përjeton i riu janë të ngjashme me vështirësitë e udhëtarit që udhëton në shkretëtirë. Në atë rrugë nuk ka shenja të sigurta të komunikacionit. Shtegun e tij papritmas mund ta mbulojë pluhuri, temperatura shumë shpejt ndryshon në mënyrë drastike: ditë të nxehta e netë të ftohta, ujë të pijshëm shumë pak e rreziqe të mundshme nga të gjitha anët. Andaj edhe i riu sot e ka shumë vështirë që të gjej orientimin e duhur…të gjej rrugën e shpirjes drejt qytetërimeve më të avancuara.

Këtë do e përfundoja me thënien e Cral Gustav Jungut “Ai që nuk shikon dot zemrën e tij jetën e ka të turbullt; ata që tregojnë guxim për të parë në brendi të ndërgjegjes së tyre janë zbuluesit e lumturisë së shpirtit të vet. Ata që shikojnë jashtë shohin ëndërr, humben në botën imagjinare; ai që shikon në brendi zgjohet, e zbulon veten.”

 Kunushevci: E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja! Ku duhet të jetë koncentrimi dhe aktivizmi jonë mendor dhe praktik më shumë?

 

 Musai: Këndvështrimet e psikologëve nuk ngjasojnë njëri me tjetrin edhe në këtë sferë. Nëse i shihni psikoanalistët atëherë bazë e çdo një fenomeni të përjetuar në njeriun duhet kërkuar në të kaluarën e tij. (Freudi, Frommi, etj.) Mirëpo nëse shihni ata që u ndanë prej psikoanalizës klasike më tepër janë të orientuar tek premisat se çka krejt mund të bëhet ose të ndodh me njeriun?

 Kunushevci: Mesazhi juaj për fund?

 Musai: Në radhë të parë ju faleminderoj për mundësinë e dhënë që ne të jemi pjesë e një interviste. Shpresoj se përgjigjet e dhëna do ia keni arritur sadopak që për lexuesin të kenë qenë informuese, zbërthyes të drejtë të pikëpamjeve, në këtë rast, të mia që janë reflektuar gjatë bisedës dhe diskutimit tonë të përbashkët. Ishte kënaqësi për ne që na e dhatë këtë mundësi.

 Kunushevci: Ju falenderoj shumë që gjetët kohë t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve në këtë intervistë bukur të gjatë. Ishte kënaqësi dhe nderë. Shpresoj që edhe lexuesve t’u kemi hapur më shumë horizontet e dijes dhe njohjes, megjithse ka ende tema të patrajtuara, por besoj se angazhimi dhe puna jonë e përbashkët s’do të mungoj në të ardhmen. Faleminderit edhe njëherë.

 

 Musai: Faleminderit edhe juve, të shpresojmë se kanë qenë çështje të dobishme për lexuesit.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …