Komuna Rahovecit mbajti seancën solemne në shënim të 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast kryetari i komunës Smajl Latifi në fjalën e tij tha se Pavarësia nuk na erdhi si dhuratë, por si rezultat i gjakut të derdhur nga dëshmorët tanë dhe i rezistencës së popullit. Lufta e UÇK-së, e mbështetur nga aleatët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht NATO-ja, e solli lirinë për të cilën kishim ëndërruar.
Thekse nga Fjala e Kryetarit Latifi në seancën solemne të Komunës së Rahovecit
I nderuar Kryesues,
I nderuar Nënkryetar,
Të nderuar familjarë të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UÇK-së,
Të nderuar udhëheqës të grupeve politike në Kuvendin Komunal,
Të nderuar këshilltarë, drejtorë të drejtorive dhe ju të pranishëm,
Sot, me respekt dhe krenari, shënojmë 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kjo datë nuk është thjesht një përvjetor kalendarik, por një përkujtim i një rruge të gjatë dhe të vështirë, e mbushur me sakrifica dhe përpjekje të jashtëzakonshme.
Për dekada të tëra, populli ynë ka kaluar sfida të mëdha – nga shtypja dhe represioni, deri te lufta çlirimtare dhe përpjekjet për ndërtimin e shtetit. Pavarësia nuk na erdhi si dhuratë, por si rezultat i gjakut të derdhur nga dëshmorët tanë dhe i rezistencës së popullit. Lufta e UÇK-së, e mbështetur nga aleatët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht NATO-ja, e solli lirinë për të cilën kishim ëndërruar.
Sot, kemi një shtet të njohur nga shumë vende të botës, me institucione demokratike dhe me synimin e qartë për integrim euro-atlantik. Por pavarësia duhet të mbrohet e të forcohet çdo ditë. Kosova nuk është e përfunduar – ne ende përballemi me sfida politike, ekonomike dhe të sigurisë. Serbia vazhdon të mohojë realitetin tonë, duke penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe duke ndikuar në destabilizimin e vendit tonë. Përballë kësaj, ne nuk kemi luksin të jemi të ndarë apo të lëkundur.
Kosova duhet të forcojë institucionet e saj, të mbrojë sovranitetin dhe të sigurojë një të ardhme më të mirë për qytetarët. Ne duhet të punojmë për zhvillimin ekonomik, për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për drejtësi funksionale dhe për mirëqenie të barabartë për të gjithë. Vetëm në këtë mënyrë do të nderojmë sakrificën e atyre që ranë për këtë vend.

Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
