Enver Hoxhaj kritikon mungesën e Kosovës në Samitin e NATO-s në Ankara:

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar mospjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e NATO-s që do të mbahet javën e ardhshme në Ankara, duke e cilësuar atë si një mundësi të rëndësishme të humbur për diplomacinë kosovare. “Në këtë samit janë ftuar dhjetë shtete që nuk janë anëtare të NATO-s. Ato nuk kanë as partneritet formal me Aleancën, nuk janë pjesë e programit Partneriteti për Paqe dhe as nuk ndodhen në ndonjë proces anëtarësimi. Kjo dëshmon se, kur ekziston vullneti politik, ka mënyra të ndryshme për të përfshirë partnerë të rëndësishëm, qoftë me ftesë të vendit nikoqir, të vetë Aleancës, të një shteti anëtar, apo edhe në aktivitetet dhe takimet përcjellëse të samitit”, ka shkruar Hoxhaj. Sipas tij, Kosova ka dëshmuar se është një partner i besueshëm i NATO-s, duke kontribuar në ruajtjen e sigurisë rajonale dhe duke mbajtur një orientim të qartë strategjik drejt integrimeve euroatlantike.  Hoxhaj ka theksuar se pjesëmarrja në forume të tilla duhet të mbetet objektiv i përhershëm i politikës së jashtme të Kosovës, pasi, sipas tij, fuqizimi i pozitës ndërkombëtare të vendit varet edhe nga përfaqësimi në qendrat ku merren vendime të rëndësishme. “Pikërisht për këtë arsye, prania e Kosovës në samite të tilla duhet të jetë synim i vazhdueshëm i politikës së jashtme. Diplomacia matet me praninë në tavolinat ku merren vendimet. Kur mungon në ato tavolina, mungon edhe mundësia për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të shtetit”, ka shkruar ai.

 

Kontrolloni gjithashtu

Abelard Tahiri pas vizitës në Hagë: Hashim Thaçi vazhdon të ruajë forcën, dinjitetin dhe besimin në të vërtetën

Ish-deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka vizituar këtë të hënë ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë, …