Në Komunën e Deçanit u mbajt takimi i radhës i Mekanizmit Komunal Kundër Dhunës në Familje, me pjesëmarrjen e 14 përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse. Gjatë takimit u diskutua gjendja e rasteve të dhunës në familje në komunë, bashkëpunimi ndërinstitucional, si dhe u shqyrtua plani i punës dhe aktivitetet e parapara për vitin 2026.
Përfaqësuesi i Stacionit Policor në Deçan, Fekë Haklaj, bëri të ditur se nga 1 janari deri më 26 qershor 2026 janë raportuar gjithsej 16 raste të dhunës në familje. Sipas tij, të gjitha rastet janë trajtuar në koordinim me institucionet përgjegjëse, ndërsa gjashtë prej tyre janë raste recidiviste që lidhen me persona me çrregullime të shëndetit mendor.
Zëvendësprokurorja në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe koordinatore për rastet e dhunës në familje, Arlinda Gacaferi-Nallbani, njoftoi se gjatë kësaj periudhe në regjion janë trajtuar 141 raste, prej të cilave 96 janë përfunduar, ndërsa të tjerat janë në procedurë. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Qendrën për Shëndet Mendor në Pejë, duke potencuar se mungesa e kapaciteteve në forenzikë, si dhe tërheqja e dëshmive nga familjarët, shpesh e vështirësojnë vazhdimin e procedurave ligjore.
Mbrojtësi i viktimave, Demë Hasanaj, ngriti shqetësimin për nevojën e angazhimit më aktiv të Qendrës për Punë Sociale në trajtimin e rasteve që kërkojnë veprime institucionale. Ai propozoi organizimin e një takimi me Kryetarin e Komunës, z. Bashkim Ramosaj, me qëllim forcimin e koordinimit dhe përmbushjen e përgjegjësive ligjore nga të gjithë anëtarët e mekanizmit.
Ndërkaq, Agnesa Vokshi bëri të ditur se Komuna e Deçanit ka mbështetur dy raste të dhunës në familje përmes subvencioneve, duke mbuluar shpenzimet e qirasë për viktimat.
Në përfundim të takimit u miratuan këto rekomandime:
* Organizimi i fushatave sensibilizuese në shkolla, duke filluar nga muaji shtator, me pjesëmarrjen e anëtarëve të mekanizmit.
* Mbajtja e një takimi me Kryetarin e Komunës për forcimin e koordinimit institucional dhe përcaktimin e përgjegjësive, me theks të veçantë në angazhimin e Qendrës për Punë Sociale.
* Sigurimi i një kompjuteri për sektorin policor që trajton rastet e dhunës në familje.
* Publikimi i materialeve vetëdijësuese kundër dhunës në familje dhe planifikimi i buxhetit për mbështetjen e rasteve.
* Organizimi i një punëtorie nga OSBE-ja për planifikimin buxhetor për anëtarët e mekanizmit.
* Përmbushja e obligimeve financiare ndaj Shtëpisë së Sigurt në Pejë nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa.
Komuna e Deçanit mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete për parandalimin e dhunës në familje, mbrojtjen e viktimave dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët.