Lebit Murtishi: Ambasadori Arvizu disiplinon ,,fëmijët

Thirrja e ambasadorit amerikan në Tiranë për zbutje të toneve nacionaliste i ngjan përrallave me gogol të gjysheve me fëmijët…Jo zoti ambasador, nuk ,,kafshon ” Sali Berisha, nuk kafshon njeriu pa dhëmbë, se dhëmbët e tij i mbani ju në xhep…Kafshojnë fashistët grekë, ata që gllabëruan një copë shqiptare, ata që morën një copëz deti edhe nën hijen e fjalës tuaj…Pritëm të disiplinoni grekët, që edhe kur hanë dollarët tuaj i bëjnë lutje carëve rusë, edhe kur presim zgjidhje për çamët, ministrat grekë na kërcënojnë…Pritëm të disiplinoni Shkupin, që edhe vetë po e pranojnë se me shqiptarët duhet të ndahen…Ne nuk jemi pala humbëse, ne jemi palë dëmtuar, ndaj na duhet ndihma juaj, aq sa ju duhet edhe juve territori i Shqipërisë, por mos kërkoni të na e mbyllni gojën…Qershorin e ardhshëm mbush 100 vjet copëtimi ynë, mos prisni të ndajmë dekorata për krimin ndërkombëtar mbi Atdheun tonë…Do të ngremë aktpadi për të gjithë aktorët e aktit më të turpshëm që iu bë Shqipërisë…Shqipëria është në rrugë dhe do të bëhet Shqipëri, pavarësisht ,,sëkëlldive” të Shkupit dhe të Athinës…


 14.12.12


 Lebit Murtishi


 


 


PO HUMBE RRUGËN PYET ARMIKUN…


 


Shqiptarët s`kërkojnë ndryshim kufijsh, shqiptarët duan të jenë bashkë, në një sofër, në një strehë, përpara se të bashkohen me serbët, grekët ,bullgarët etj. atje ku na ,,presin” në Bruksel; përpara se të gjejnë ,,familjen e madhe” duan të gjejnë familjen e tyre që ua ndau, që ua preu në pesë-gjashtë copëra ,,familja e madhe” e Brukselit më 1913. Përse të alarmohen fqinjët! Përse të tremben nga shqiptarët!..Po nëse vërtet frikësohen nga familja e fqinjëve të tyre, ky fakt duhet të na gëzojë, duhet të jetë motivi ynë për të bashkuar Shqipërinë…Sadiu i lashtë thoshte:,,PO HUMBE RRUGËN PYET ARMIKUN, DHE NISU SHPEJT ANËS SË KUNDËRT”…


Gabim kuptohet përpjekja jonë për krijimin e një shteti të përbashkët. Nuk kërkojmë prishje kufijsh me fqinjët tanë. Përkundrazi, mund të ndërtojmë dhe mure betoni që as zogjtë mos kapërcejnë. Ne s`kemi kufij me fqinjët, kemi kufij në tokën tonë, dhe kush kërkon të jetojmë ndaras, të jemi prè e grabitqarëve në ndonjë kohë që ata presin dhe e theksojnë vazhdimisht, nuk mund të jetë mik i shqiptarëve. Shqiptarët duhet të bëhen shtet, që të mund të mbrohen e që të mund të luftojnë për tokën dhe jetën e tyre, në çdo kohë dhe situatë, që mund të sjellë historia…Kjo është e drejtë njerëzore, kjo është e drejtë universale, që miqtë tanë për veten e tyre dinë ta mbrojnë në të gjithë botën…Gjer në Afganistanin e largët, Irak, Siri, mbrohen të drejtat e miqve tanë, madje me forca edhe shqiptare…Përse atëherë i futin hundët kur Shqipëria dhe shqiptarët duan të mbrojnë shtëpinë e tyre, jetën, fëmijët dhe të ardhmen integruese që mund të kalojë veç kësaj rruge!..


 


15.12.12


 L.Murtishi


 Drejtues i Unionit Gjithëshqiptar,,Vëllazërimi Ynë”


 



 


SHQIPËRIA DO TË BASHKOHET…


 


Pas shumë takimeve të mundimshme të ditëve të fundit me disa përfaqësues të partive politike, organizatave joqeveritare, lëvizjeve politike, organizatave sportive etj.,  etj.,  edhe pse përpjekjet tona qenë të sinqerta dhe këmbëngulëse për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve mbarëkombëtare më, 24 qershor 2013, arritëm të kuptojmë se disa prej tyre parti ose lëvizje: bashkimin kombëtar e përdorin si dekor për të fshehur lojërat e interesit, për të fshehur etjen e madhe për të marrë pushtetin… Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë (për shkak të etikës nuk do të përmendim emra), me rëndësi jetike është pushteti, duke ,,harruar” se edhe marrja e pushtetit nuk e lejon bashkimin e shqiptarëve…Kushtetuta e Shqipërisë ka në preambulën e saj, që aq shumë manipulohet, kujdesin dhe interesimin për shqiptarët jashtë atdheut, gjë që nuk mund të priten hapa të tjerë nga kushdo që merr pushtetin…Ndërkaq, Kushtetuta e Kosovës ka mbi kokë Planin e “famshëm” të Ahtisarit…


Si pjesëmarrës aktiv në të gjitha takimet, mbetem me shpresë se rinia shqiptare, duke filluar nga djemtë atdhetarë ,,Ballistët” e Tetovës dhe shumë të tjerë që nuk janë të angazhuar në lojërat manipuluese të politikës ditore, në këto çaste historike, do të dinë t`i thonë: mjaft trafikantëve të ,,patriotizmës”, dhe gjithë energjitë e tyre do t`i drejtojnë nga ardhmëria. Shqipëria do të bëhet, Shqipëria do të bashkohet…Mjerë ata që mbesin jashtë, mjerë ata që vetë-largohen nga këto procese kohësh që rrallëherë përsëriten…


14.12.12


Lebit Murtishi


Drejtues i Unionit Gjithëshqiptar ,,Vëllazërimi Ynë”


 


 


Rinisë Shqiptare!


 


Ti bartëse historike e të gjitha plagëve të Atdheut, ti prijëse e ndryshimeve radikale në çdo proces historik, të përket Ty ta thuash fjalën e fundit, të përket Ty të përgjigjesh për të nesërmen tënde…Fatkeqësisht, klasa politike shqiptare, e bindur dhe e nënshtruar përballë shërbimeve të huaja, jo vetëm s`mund të premtojë ndryshime pozitive, por është dhe do të jetë edhe më agresive kundër interesave të Atdheut, për shkaqe që tashmë dihen (korrupsioni, krimi i organizuar, infiltrimi në agjentura të huaja etj…etj…)…


Pas ngjarjeve festive të Nëntorit që lamë pas, dalëngadalë po afrohet edhe një përvjetor po aq i moçëm, një përvjetor ,,binjak” me të parin e që s`dimë si do ta shënojmë…Më 29 korrik të vitit 2013 mbushen plot 100 vjet nga ngjarja më tragjike e historisë sonë kombëtare, mbushet një shekull nga mbajtja e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, mbushet një shekull dhimbje e varre në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare… Vallë do të heshtim për hir të ,,paqes”së imponuar, për hir të konjukturave politike, që po mbajnë peng lirinë e Atdheut, zhvillimin normal të tij, rritjen normale të tij!.. Sigurisht që s`mund të ringjallim qindra-mijëra shqiptarë të vrarë, të shpronësuar e të dëbuar shkretëtirave të Anadollit, sigurisht që është e pamundur të kompensohet gjithë ai krim mbi Shqipërinë!..Por të kërkojmë të ,,riparojmë” dëmin që krijuan bartësit e politikave të kohës, të kërkojmë pa ,,avokatmbrojtës” të drejtën e Shqipërisë për t `u bërë SHQIPËRI, më shumë se një dëshirë e mirë, është detyrë, është obligim dhe borxh i rëndë përpara brezave që vijnë…Ndaj u bëjmë thirrje organizatave rinore të mbarë hapësirës shqiptare, të fillojnë me organizimet teknike, të formojnë këshillat organizativ të protestave, dhe nga 11 Marsi historik të dalin në rrugë e sheshe për të kërkuar hisen tonë nga ata që na e morën…Dhe ky rrugëtim historik të bashkojë në Tiranë, më 29 korrik 2013 të gjitha forcat atdhetare të udhëhequra nga këshillat rinore, për t`i thënë: mjaft copëtimit të Shqipërisë!..Për të gjitha zhvillimet, Unioni Gjithëshqiptar ,,Vëllazërimi Ynë” merr përsipër informimin e të gjitha instancave të rëndësishme ndërkombëtare…


 17.12.12


 Lebit Murtishi


 Drejtues i Unionit Gjithëshqiptar ,,Vëllazërimi Ynë”

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …