Legjendari, Adem Jashari, fenomen unikat i sakrificës për liri

Fenomenalë janë njerëzit e veçantë, të cilët me veprat dhe bëmat e tyre lënë gjurmë të pashlyeshme në momente të caktuara të historisë.
Një fenomen i tillë, me përmasa të piedestalit jo vetëm kombëtar, është ADEM SHABAN JASHARI, i lindur në Prekaz të Drenicës, më 28 nëntor të vitit 1955 dhe i rënë në pavdekësi, më 7 mars të vitit 1998, po në Prekaz.
Shkrimet e deritanishme që janë publikuar për Adem Jasharin, përveç në raste të veçanta, nuk lënë përshtypjen e analizave të thella studimore, në pasqyrimin me përgjegjësi dhe njohuri profesionale të këtij fenomeni unikat, jo vetëm në historinë shqiptare. Për më tepër, shumica e shkrimeve të deritanishme, janë shënime të zakonshme jetëshkruese, në të cilat vërehet qasja uniforme, stili i rënduar me figura tejet të përgjithësuara dhe mjaft të konsumuara në letrat tona.
Përmasat heroike, sakrifikuese, të Adem Jasharit dhe të Jasharëve të tjerë të Prekazit, tani dëshmorë të kombit, janë përmasa të veçanta, unikate në historinë e qytetërimit botëror.

Akti i heroizmit vetësakrifikues të JASHARËVE është akt fenomenal dhe si i tillë i takon një tipologjie së veçantë

Fenomeni Adem Jashar, është fenomen “sui generis”, fenomen që i tejkalon përmasat kombëtare e rajonale, është fenomen që mund të paraqitet vetëm njëherë në historinë e qytetërimit, ose njëherë gjatë disa shekujve. Duke folur për fenomene të tilla, studiuesi i vëmendshëm i etnopsikologjisë shqiptare dr. Kristë Maloku, në studimin e tij Shteti apo kombi? botuar në vitet e tridhjeta të shekullit njëzet, ndër të tjera ka shkruar: Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar. Kristë Maloku, Shteti apo kombi, botuar në revistën Dardania Sacra nr.4 Prishtinë 2002,f.74. Ky konstatim vegimtar i Kristë Malokut, përputhet në tërësi me përshkrimin që ai i bënte shpëtimtarit, heroit të një kohe të caktuar historike.
Veçantia tipike e këtij fenomeni i ka specifikat e veta në kohë dhe në hapësirë. Rrëfimi për luftën, qëndresën dhe sakrificën e Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit dhe të JASHARËVE të tjerë në Prekaz, më, 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, është rrëfimi më tronditës, në të njëjtën kohë rrëfimi më krenar dhe më i sublimuar nga të gjitha rrëfimet e tjera të luftës dhe të sakrificës njerëzore, të kryera në emër të idealit të lirisë, në emër të çlirimit nga makineria më e tmerrshme e krimit, që ka sunduar ndonjëherë në botë.
Filozofi më i madh idealist gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, në veprën madhore “Fenomenologjia e shpirtit” në kapitullin, “Perënditë dhe njerëzit”, ndër të tjera ka shënuar: “Forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Nga kjo del se vepra e tyre manifestohet si veprim i lirë, i cili përgjithësisht rrjedhë prej tyre. Kështu kanë vepruar perënditë, kështu veprojnë edhe njerëzit*.( Hegel Fenomenologjia e shpirtit, BIGZ 1974 faqe 420.) 
Pikërisht në suaza të këtij përkufizimi filozofik të Hegelit, duhet zbërthyer frymën e principit të jetës dhe të veprës së Adem Jasharit, të Anteut të kohës sonë, i cili u përball me forcën e brutalitetit barbar, për të ngadhnjyer mbi atë forcë djallëzore, me aktin e qëndresës dhe të heroizmit unikat, të flijimit kolektiv të familjes, fenomen ky rrallë i përsëritshëm në historinë e qytetërimit.

Fenomen unikat vetëflijues

Fenomeni Adem Jashar, ka ndodhur vetëm njëherë, ka ndodhur në kohë dhe hapësirë të caktuar, ka ndodhur në momentin vendimtar të historisë sonë. Fenomeni i tillë është unikat, origjinor, autentik.
Për ta sjellë në jetë Adem Jasharin dhe për të bërë të tillë çfarë ishte, natyra ishte treguar e pa kursyer. Ai ishte shtathedhur, i tillë si Akili, apo Gjergj Kastrioti. Hyji e kishte pajisur me mendje të kthjellët, me gjykim të shëndoshë dhe me veti vetëflijuese, në mbështetje të së mirës dhe urrejtje kundër së ligës. Nga historia kombëtare i kishin lënë mbresa të veçanta rrëfimet për Bajram Currin, Çerçiz Topullin, Oso Kukën, Azem Galicën e Selman Kadriun.
Njëzimi i fuqisë fizike dhe mendore në qenien e tij përbënte tërësinë harmonike, të mbushur përplot me impulse pozitive, për të përballuar me sukses sfidat me të cilat e ballafaqoi koha.
Fenomeni Adem Jashar, nuk do t` ishte në atë përmasë i kompletuar, po të mos ishte i biri i Shaban Jasharit, një burrë trim dhe atdhetar i kulluar, dhe biri i nënë Zahides, një grua amazone shqiptare. Nuk do të ishte fenomen me përmasa të tilla po të mos e kishin mbështetur në çastin vendimtar: vëllezërit, bashkëshortja, të afërmit dhe tërë familja e ngushtë dhe e gjerë, në momentin përmbarues të bëmës së tij heroike. Nuk do të ishte me përmasa të tilla fenomenal, po të mos ishte lindur në Prekaz të Drenicës, pikërisht më 28 nëntor të vitit 1955.
Në tiparet e fizikut të tij, hetojmë të gjitha vijat karakteristike të fytyrës, të flokëve, të hundës dhe të syve, krejtësisht identike me tiparet e Lekës së Madh. Po të vëmë përballë skulpturën e Lekës së Madh të punuar nga skulptori grek, 2300 vjet më parë dhe po ta krahasojmë me fizikun e Adem Jasharit në moshën e tij 35 vjeçare, do të vërejmë elementet më identike të mundshme të ngjashmërisë, sikur ndodh jo rastësisht me ngjashmërinë në mes njerëzve të një race. Pamja fizike e Adem Jasharit rrezaton forcë, qëndresë, heroizëm, patos revolucionar, pathyeshmëri. Në figurën e tij janë sintetizuar të gjitha elementet shpirtërore dhe fizike me përmasa të veçanta.
Hapërimi i tij krijon përshtypjen e hapëruesit historik, të Marathonomakut të Madh, lajmëtarit, luftëtarit, vetëflijuesit, projektuesit të lirisë dhe bërësit të fitores. Më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, Adem Jashari i kishte kënduar lirisë, i kishte kënduar tokës shqiptare, e cila edhe pse kishte filluar të digjej nga piromania sodomiste sllave, edhe pse do të lahej në gjakun e mijëra dëshmorëve e martirëve, qysh atëherë kishte filluar frymëmarrjen e lirisë.

Parashikimi i Nostradamusit për Njeriun e Madh

Fenomeni Adem Jashar, i përket profecive të parashikuesve më të njohur të historisë së qytetërimit.
Rrëfimi historik për Adem Jasharin, duke e krahasuar atë me personazhe të caktuara të Biblës apo të rrëfimeve të tjera para antike dhe të kohës antike si, Anteu, profeti Job, Juda Makabe, Spartaku,Farabundo Marti, Çe Geuvara e shumë të tjerë, është rrëfim që në shumë segmente i tejkalon tregimet e moçme mbi trimërinë, qëndresën, vendosmërinë dhe vetësakrificën.
Rrëfimi mbi bëmat dhe qëndresën e Adem Jasharit, në mënyrë vegimtare është prezantuar edhe në parashikimet profetike të Mishel Nostradamusit, i cili ka paraparë me saktësi shumë nga rëniet e ngritjet në historinë e njerëzimit.

Në një katrenë të Nostradamusit për Njeriun e Madh, thuhet: 

”Veprat e vjetra do të përfundojnë
Dhe nga çatia e keqja do të bjerë mbi Njeriun e Madh”.
Parshikues të mëdhenj, OMSCA,Tiranë, 1999, faqe 145. 
Po t`i analizojmë me vëmendje këto dy vargje, në kontest të kohës dhe hapësirës sonë historike, do të zbërthejmë enigmën parashikuese të Nostradamusit.
Me aktin luftarak e vetëflijues të Adem Jasharit dhe të JASHARËVE, më 7 mars të vitit 1998 në Prekaz, përfunduan veprat e vjetra, përfundoi skllavëria dhe rrojtja zvarranike, përfundoi deliri i rrojtjes nëntokë, i jetës së ngjashme me jetën e urithit.

Dhe, për të përfunduar përgjithmonë e vjetra shekullore skllavëruese: 

”Nga çatia e keqja do të bjerë mbi Njeriun e Madh”.
Çatia e Kullës së Adem Jasharit ishte përshkuar me zjarrin e të gjitha armëve shkatërruese të artilerisë së Mabusit, (Milosheviqit). Zjarri i predhave armike ra, jo vetëm mbi çatinë e kullës së Njeriut të Madh, por edhe mbi të gjithë Jasharët, të cilët qëndruan në Kështjellë.
Gjithnjë duke analizuar profecitë e Nostradamusit do të hasim edhe në vargje të tjera mjaft kuptimplote:
”Një vrasje aq e egër, sa askush nuk mbeti i gjallë”!
Vepra e cituar faqe 126.
Edhe ky konstatim vegimtar, sado që duket i përgjithësuar dhe mund të korrespondojë edhe me shumë ngjarje të tjera mizore, që kanë ndodhur dhe ndodhin kudo në botë, të përkujton të veçantën e profecisë, së Nostradamusit, faktin real se, më 7 mars të vitit 1998 në Kullën e Qëndresës historike shqiptare, në Prekaz, asnjë kështjellar nuk mbeti i gjallë, mirëpo pikërisht atë ditë, filloi shembja e përgjithmonshme e sundimit të satanait serb në vendin tonë.

Fenomeni i përjetësisë

Fenomeni Adem Jashar, në historinë tonë më të re, në ndërgjegjen e liridashësve shqiptarë, është ngulitur jo vetëm si kult që simbolizon trimërinë, vendosmërinë, sakrificën, po mbi të gjitha është simbol unikat i fuqisë dhe i vitalitetit kombëtar, simbol i përsëritjeve ciklike të ngritjeve shqiptare, pas rënieve të shumta. Adem Jashari është Mesi i realizuar, është shpëtimtari që e kemi pritur me shekuj, është udhërrëfyesi dhe shembull dhënësi realist i lirisë.
Epiqendra e heroizmit dhe qëndresës shqiptare sot, nuk mund të mendohet pa ideatorin dhe projektuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Vepra e tij heroike ishte dhe vazhdon të mbetet burim i frymëzimit më të fisnikëruar kombëtar për të gjithë shqiptarët liridashës dhe më gjerë. Vizita, që shqiptarët, por edhe shumë liridashës e humanistë të tjerë nga mbarë bota i bëjnë Kullës së Jasharëve, tani në Kompleksin Memorial Kombëtar, në Prekaz, është tregues se pikërisht në qendër të Shqipërisë po përjetësohet një vendpelegrinazh i ri i botës shqiptare, një vend i shenjtë jo vetëm i Shqipërisë.
Fenomeni Adem Jashar po ngrihet në monument përjetësie fizike e shpirtërore, jo si mit mesjetar, jo si legjendë e rrëfimeve tradicionale mitologjike, por si një personazh i veçantë dhe realist i historisë me përmasa po ashtu tipike realiste, sepse vepra dhe heroizmi i tij shënuan piedestalin, preken majat ku nuk arrijnë dot as legjendat, shënuan infinitet, përtej të cilave pushon fjala.
Në të gjitha segmentet studimore, në të gjitha format e krahasimit dhe të përshkrimit, fenomeni Adem Jashar, imponohet para së gjithash me origjinalitet, imponohet me veçanti tipike të një tipologjie autentike në paraqitje, që mbërthen në vetvete të gjitha përshtresimet universale të Njeriut, i cili jo rastësisht kishte sfiduar terrin, barbarinë, dhunën, jo rastësisht iu kishte kundërvënë ushtrisë gjakatare të Mabusit (Milosheviqit) të kohës. (Ahmet Qeriqi)

Ky shkrim si dhe disa ese e biografi të tjera të autorizuara, për Legjendarin, Adem Jashari janë përvetësuar nga disa portale, pa cituar burimin dhe duke shkelur të drejtën e autorit.

Portalet të cilat kanë përvetësuar esenë: Legjendari, Adem Jashari, fenomen unikat i sakrificës për liri, vështrimin: Legjendari i legjendave të Shqipërisë dhebiografinë e autorizuar të Adem Jasharit, botuar në monografinë “Feniksët e lirisë-2” janë:

 

Gazeta Ora. com ( autori E. S.)

Portali “Shqipëria natyrale”,

Portali ALBINDEX,

ALBFORUM,

Mesdheu,

Shqipëria e Bashkuar,

Naser Gashi, Hapësira e Qiejve shqiptarë, shkrimi për Dava Gjergjin,

dhe shkrime për këngëtarë të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …