LEKAJ I KËRKOI KËSHILLIT MINISTROR TË KOMUNITETIT TË TRANSPORTIT QË TË MARRIN MASA NDAJ SERBISË PËR PENGESAT QË PO IA BËNË KOSOVËS

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, të hënën mori pjesë në takimin e dytë të Këshillit Ministror të Komunitetit të Transportit. Me këtë rast Lekaj i njoftoi anëtarët e tjerë për ratifikimin e Traktatit të Komunitetit të Transportit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe zbatimin e saj nga autoritetet vendase. Krahas kësaj, Lekaj informoi përfaqësuesit e shteteve të tjera në këtë takim për pengesat që Serbia po i bën përkundër marrëveshjeve siç është ky traktat. Në mes tjerash, ministri Lekaj theksoi se praktikat e autoriteteve serbe për ndërrimin e targave të qytetarëve të Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, mospranimi i certifikatave që lëshohen nga autoritetet e Kosovës, duhet të ndërpriten menjëherë. Lekaj Po ashtu kërkoi nga Komisioni Evropian që të ndërmarrë masa urgjente për rregullimin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave për operatorët kosovarë, me të gjitha shtetet nënshkruese të Traktatit. Gjithashtu u diskutua për krijimin e lehtësirave në pikëkalimet kufitare dhe sigurinë në rrugë, të cilat burojnë nga deklaratat e Lubjanës, si dhe u miratua Deklarata e Përbashkët për një Strategji të re Hekurudhore në Ballkanin Perëndimor, e cila ka për synim përmirësimin e shërbimeve të transportit ndërkombëtar hekurudhor për mallra dhe pasagjerë, brenda dhe përgjatë Ballkanit Perëndimor. Në këtë mënyrë, Kosova po merr pjesë aktivisht në përcaktimin e politikave të transportit rajonal, duke u bërë edhe vendimmarrëse e barabartë me vendet e tjera të rajonit. “Prioriteti ynë vazhdon të mbetet kompletimi i vendit me infrastrukturë moderne rrugore dhe hekurudhore, krijimi i lehtësirave të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave dhe në këtë mënyrë edhe faktorizimi i Kosovës në fushën e transportit rajonal dhe ndërkombëtar”, ka thënë pos tjerash ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …