Pas reagimeve publike për mbajtjen e një ligjërate nga zyrtarë të Gjykatës Speciale në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ka ardhur edhe sqarimi zyrtar nga Drejtori i Arsimit në Kryeqytet, Samir Shahini, i cili e ka cilësuar mënyrën e organizimit të këtij aktiviteti si të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat institucionale. Shahini, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se Drejtoria e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë fare në vendimmarrje për organizimin e ligjëratës në ambientet e shkollës. “Lidhur me ligjëratën mbi Gjykatën Speciale të mbajtur në Shkollën e Mesme ‘Xhevdet Doda’, sqaroj se nuk kemi qenë të përfshirë në vendimmarrje për organizimin e këtij aktiviteti në ambientet e shkollës… pëlqimi për mbajtjen e tij është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës, pa përfshirjen dhe pa autorizimin tim personal, si dhe pa miratimin e Drejtorisë së Arsimit në Kryeqytet”, ka shkruar Shahini. Ai ka shprehur indinjatë për mënyrën se si është vepruar dhe ka paralajmëruar masa konkrete ndaj të gjithë personave përgjegjës për këtë veprim, në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi. Po ashtu, sipas tij, do të trajtohet edhe roli i organizatës joqeveritare që ka trajtuar këtë temë me nxënësit. Shahini ka shtuar se transparenca, llogaridhënia dhe përgjegjësia institucionale janë parime të panegociueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për nxënësit dhe mjediset shkollore, duke lënë të kuptohet se rasti nuk do të kalojë pa pasoja administrative.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
