Platforma “Liria ka Emër” nuk e konsideron protestën gjithëpopullore të 1 tetorit në Prishtinë si fundin e angazhimit të saj kundër aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ismail Tasholli, ka bërë të ditur se organizatorët kanë hartuar një plan aktivitetesh që pritet të zhvillohen gjatë muajve në vijim, duke përfshirë një peticion mbarëkombëtar, aktivitete publike dhe protesta të tjera. Ai ka thënë se synimi është që peticioni të mbledhë mbi 500 mijë nënshkrime, të cilat më pas do t’u përcillen institucioneve ndërkombëtare në Bruksel, Strasburg dhe Hagë. “Liria ka Emër”, sipas tij, synon që përmes këtij mobilizimi qytetar të përcjellë qëndrimin e shprehur në Kosovë për procesin gjyqësor dhe vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Duke folur për procesin ankimor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Tasholli ka shprehur pritjen që vendimi i shkallës së parë të ndryshohet. Sipas tij, mënyra e trajtimit të provave dhe fakteve gjatë procesit ngre shqetësime serioze dhe, në këndvështrimin e platformës, duhet të çojë drejt një rishikimi të vendimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
