Tema të tjera...
Përfaqësues të platformës qytetare Liria ka Emër — Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini — vizituan sot nënën e ish-presidentit, Hyrë Thaçi, në Burojë të Drenicës. Vizita u zhvillua në një moment kur procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës po hyn në fazën finale. Përfaqësuesit shprehën solidaritet dhe mbështetje për familjen Thaçi, duke theksuar besimin e tyre në triumfin e drejtësisë. Gjatë takimit, ata njoftuan edhe për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili pritet të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë si shprehje e mbështetjes për të akuzuarit në Hagë. “Qëndrojmë pranë nënës Hyrë me respekt dhe mirënjohje për sakrificën e saj. Besojmë se drejtësia do të triumfojë dhe se Presidenti Thaçi do të kthehet sa më shpejt pranë familjes dhe popullit të tij”, deklaroi Eliza Hoxha. Ndërsa Ismail Tasholli u shpreh se Thaçi i mungon Kosovës në këtë periudhë sfidash, duke shtuar se besojnë në rikthimin e tij për të vazhduar kontributin. Nëna Hyrë falënderoi përfaqësuesit për vizitën dhe mbështetjen, ndërsa platforma ritheksoi angazhimin për drejtësi të paanshme dhe mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
