Brickos

Logoja e Qeverisë së Kosovës për 26-vjetorin e Epopesë së UÇK-së është dizajnuar me teknikën e stripeve të filmave të vizatuar

Qeveria e Kosovës ka publikuar logon për shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila është dizajnuar me teknikën e stripeve të filmave të vizatuar. Me qëllim të shkëputjes me çdo kusht nga e kaluara tashmë tradicionale, Vetëvendosja me Kurtin në krye, po bëjnë përpjekje që në çdo segment të së kaluarës së lavdishme kombëtare të vënë konceptin e përfytyrimit të tyre, në këtë sat duke shkelur traditën, 25-vjeçare të dizajnit realist, sepse Epopeja e Jasharëve e cila  identifikohet si “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, nuk është një e kaluar e largët imagjinare, në përfytyrimin e shqiptarëve, por është një realitet objektiv, gjithnjë aktiv në mendje dhe zemrat e çlirimtarëve dhe popullatës liridashëse,  që nuk duron modifikime, në emër të një arti, të një fiksioni  idolatrik apo të një përfytyrimi politik, për qëllime të caktuara, gjithnjë politike e ideologjike.

Ndërrimi i logos realiste dhe dizajnimi i tillë i modelit të stripeve  të filmave të vizatuar,  nuk do të duhej të pranohej nga Jasharët as nga veteranët e UÇK-së, sepse është përpjekje për deformim dhe modifikim të historisë. Përfytyrimi për Shaban Jasharin, Hamzë Jasharin dhe Adem Jasharin është tipizuar dhe është ngulitur në mendjen e çdo shqiptari me fotot e tyre origjinale, ndërkaq vizatimi  i tyre, edhe nëse nuk është bërë me qëllim të caktuar politik, është shkelje e traditës së deritanishme.

Këtë mund ta bëjnë lirisht dizajnuesit e artit figurativ, por Qeveria e Kosovës, nuk do të duhej të lëshohej në veprime të tilla.

Edhe po  të mungonin fotot e tyre, portretizimi do të duhej të bëhej duke u bazuar në tiparet origjinale dhe kurrsesi me dizajnin e filmave vizatimor.

Nëse vërehet me kujdes kjo logo stripesh, figurat e Shaban Jasharit  dhe Hamzë Jasharit janë tipike, ilustrime personazhesh të stripeve. Shaban Jashari më tepër përngjet në një figurë të afganit apo kurdit, me shallin e hapareshur,  por aspak në tiparet që ruhen në foto. Figura e Hamzë Jasharit me flokët hapareshur, kështu si duket është figurë tipike e stripeve. Ata janë tipizuar në lëvizje të gjallërishme sikur përfytyrimet për përrallat e moçme shqiptare,   ndërsa figura  e Adem Jasharit, duket e tkurrur e mjegullt e paqartë dhe e humbur në largësi. Nuk ka tipare të shprehura të temperamentit as karakterit të tij, me asnjë veçanti, përveç plisit të bardhë.

Dizajnuesi i porositur politikisht ua ka hequr armët tri personazheve dhe është mjaftuar me rrethatoren e fishekëve të Adem Jasharit edhe pse përmbajtjes së stripeve iu shkon më së tepërmi arma, madje duke e vënë në radhë të parë të fokusit.

Por arma nuk është arsenal politik i Albnit dhe albinistëve  të tij të një Lëvizjeje paqësore, sepse prezantimi i tyre e ulë “namuzin” politik të Vetëvendosjes, para elektoratit.

Logoja  e Qeverisë së Kosovës për 26-vjetorin e Epopesë së UÇK-së nuk është vetëm përpjekje, apo një eksperiment i thjeshtë për ta matur pulsin e Jasharëve, çlirimtarëve, veteranëve, por është thjesht një grusht kundër traditës njëzetë e pesë-vjeçare të  afishimit të logove, të Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  është thjesht përfytyrim për ta paraqitur një koncept modern në dukje, por me prapavijë të rrezikshme politike.

Çfarë logjike ka dizajni futurist, dizajni skematik i stripit, madje në emër  të Qeverisë, për këto tri personalitete, me të cilat nuk identifikohet asnjë parti politike, asnjë lëvizje paqësore, por identifikohet tërë Ushtria Çlirimtare e Kosovë, dëshmorët e martirët, invalidët e veteranët.

Qeveria e Kosovës e krijon dhe doemos se e  pranon këtë logo, por me sa di unë në asnjë institucion të Qeverisë nuk është fotoja e Shaban Jasharit, Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, qoftë edhe në ndonjë kënd ku nuk bie në sy.

Askund dhe në asnjë institucion qendror, nuk ndodhet as afishohet në ndonjë rast ceremonial flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për këto lëshime nuk flet as opozita, për shkaqe që dihen dhe vetëkuptohen.

Logoja e Qeverisë, “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, në këtë 26-vjetor, është një përpjekje më shumë për retushim të historisë, por kjo nuk do ta bëjë të gjatë, sepse historia e Jasharëve,  historia e përgjakshme por edhe krenare dhe e lavdishme e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, shkon përtej çdo përpjekjeje  për deformim e retushim, sepse ajo vetë qëndron në piedestalin e historisë, bashkë me Epopenë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Epopenë e Ismail Qemalit dhe Epopetë çlirimtare të historisë kombëtare shqiptare.

Edhe diçka

Edhe  në këtë përvjetor, më 5 mars 2024, do të shkojnë për defilim politik tre kryeparët e institucioneve të Kosovës, në krye të delegacioneve të tyre.

Kompleksin Memoraial Adem Jashari,  në Prekaz do ta vizitojnë: Albin Zaim Kurti, Vjosa Raif Osmani dhe Glauk Sherif Konjufca me të vetët. Ata do të zgjedhin fjalët më të mira për t’ i deklamuar para kamerave, do të paraqiten me entuziazëm e dalldi patriotike, dhe nuk do t’ iu dridhen fare këmbët kur qëndrojnë para varrezave të tyre, sepse në qeniet e tyre nuk i lidh asgjë me  historinë e Jasharëve, pasi nuk e kanë ndjekur rrugën e tyre, pasi nuk kanë sakrifikuar as një qime floku në luftën e UÇK-së, pasi kishin ikur nga Kosova pikërisht në kohën kur i duheshin më tepër se kurdoherë, pasi këtyre dhe familjeve të tyre iu kishte rrëshqitur nën këmbë toka e Atdheut  të djegur dhe të dhe të shkatërruar  nga barbaria millosheviqiane.

 

O tempora o mores, do të thoshte latini i moçëm.

 

Ahmet Qeriqi

  1. 2. 2024

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti po hasë në vështirësi përballë opozitës e disa deputetëve të pavarur lidhur me Kodin Civil

Kryetari i Vetëvendosjes, po hasë në vështirësi Albin Kurti, përballë opozitës dhe disa deputetëve të …