Lule Alidema

Lule Alidema: Bashkëpunimi i policisë me profesionistët e shëndetit mendor, çelës i parandalimit të sjelljeve negative në shoqëri!

Me gjithë respektin që kam për Policinë e Kosovës, sot nuk dua t’i duartrokas. E kuptoj mirë se sa punë të vështirë e me përgjegjësi kanë, deri aty ku me raste bën fjalë dhe për jetën e tyre, mirëpo arsyeja se pse nuk dua t’i duartrokas është sepse dyshoj që nga një aspekt intervenimi po mungon qasja e drejtë.

Të kemi parasysh se, asnjë problem e asnjë parregullsi nuk ndodhë me mendje të qetë, apo edhe të shëndoshë, mbase edhe mund ta ka një arsye ajo sjellje, madje deri edhe te shkelja e rregullave të komunikacionit që e konsideroj si parregullsinë më të thjeshtë të mundur në vend. Gjithmonë pas çdo lloji sjellje ka një arsye, dhe se asnjë problem nuk ndodhë aty për aty. Po, ndodhë kur ndodhi atëherë veçse doli në sipërfaqe.

Jam e sigurt se secili njeri njeh familjarin e vet, dhe secili e njeh se sa dhe çka ndjenë, sa dhe si arrin t’i menaxhoi situatat, në këtë rast them, ato konfliktuoze.

Prandaj, asnjëherë nuk duhet neglizhuar në rast se sjellja frustruese e familjarëve del jashtë kontrollit deri aty ku bëhet krizë emocionale e pakontrolluar. Pavarësisht se nuk kam kurrfarë interesi, e as nuk jam ajo që dua ta ndryshoj asnjë rregullore ligji në veprim, por ndjej obligim moral, profesional, qytetar, familjar, shoqëror që me vetiniciativë t’a them atë që mendoj që nuk është në rregull në lidhje me zgjidhjen e parregullsive në vend dhe që mund të ndryshohet në dobi të: fillimisht të individëve që shkaktojnë problemin, familjarëve, policisë dhe mbarë shoqërisë në vend.

Kuptohet se parregullsi, probleme, kishte, ka dhe do të ketë gjithmonë mes njerëzve. Mirëpo, intervenimi i drejtë mendoj që mund t’i minimizoi rastet e formave të ndryshme të problemeve.

Mendoj që, parandalim i problemeve nuk është vetëm dënimi, sepse dënimi ndodhë pas veprimit, andaj shumë më e arsyeshme është të veprohet para se të dënohet.

Sipas mendimit tim duhet filluar me identifikimin, zbulimin e arsyes se pse po ndodhë sjellja ndryshe (problemi), dmth trajtimi apo shërimi i personave që paraqesin problem në familje dhe shoqëri. Meqë, çdo ditë po kemi parregullsi, probleme deri në ato më fatalet, mendoj që është koha kur duhet filluar ndryshe nga që ishte me veprimet e deritanishme, nëse nuk funksionuan mjaftueshëm apo fare deri sot, e që me këtë lloj strategjie të formave parandaluese e ndihmuese duket se problemet po vazhdojnë e po rriten në shoqëri.

Nëse ndalemi dhe analizojmë për arsye e faktorë shkaktues, bindshëm them se janë plotë arsye e faktorë ndikues se pse sot po ndodhin e rriten tutje rastet me karakter negativ, mirëpo dyshoj se është tepër vonë të ndalemi për t’i analizuar arsyet e faktorët shkaktues të deritanishëm që i përbëjnë pasojat e parregullsive të së sotmes.

Në vazhdimësi po i përcjellë nëpërmjet e informimit, takimet, aktivitetet e shumta që po mbahen (me pjesëmarrje të policisë) me qëllim parandalimi dhe informimi të opinionit në lidhje me masat parandaluese të problemeve, gjë që i falënderoj për çdo përpjekje të tyre në mbarëvajtjen e rendit dhe parandalimit të problemeve në shoqëri. Por, mendoj se sikurse puna e tyre (policisë) në përditshmëri apo në çdo rast, po ashtu sikurse edhe këto takimet, aktivitetet, diskutimet e mbajtura, të jenë gjithmonë në bashkëpunim edhe me profesionist të shëndetit mendor si: psikiatër dhe psikolog.

Madje, mendoj se brenda policisë duhet të ketë të punësuar thuajse po aq sa policë, aq edhe psikiatër e psikolog. Me një fjalë po dyshoj se mungon ky bashkëpunim që do të duhej të ishte i pandashëm dhe si pikë kyçe parandaluese dhe stopimi i shumë problemeve në shoqëri.

Numëroj dhjetëra raste (raste që nga mospërfillja e drejtë e policisë që u drejtuan te psikologu për ndihmë (unë), gjë që psikologu në të tilla raste, as nuk ka kompetencë e as fuqi ndikimi për ndihmë) kur familjarët drejtohen te organet e rendit, siç ata (policia) më mirë mund ta dijnë kur nëna, babai, motra, vëllai paraqet rastin në polici me arsyen që familjari i tyre po paraqet sjellje ndryshe (jonormale), dhe përderisa vet familjari po e paraqet rastin, atëherë brenda këtyre rasteve bëhet fjalë për problem serioz, problem që diçka nuk është aspak në rregull ose me mendjen e personit (problem mendor) ose është i ndikuar nga substancat e ndryshme, me një fjalë është jashtë vetes.

Dmth, në të tilla raste ka diçka që kërkon urgjencë, kërkon hetime më të thella se sa ajo që shihet nga vizita e ekipit policor në shtëpi apo kudo që ftohen për probleme.

Nuk mjafton vizita e policisë vetëm sa të dërgohet ekipi i policisë ta shoh se çfarë po ndodhë dhe të vlerësoj për fakte e argumente të dukshme nga momenti, sepse janë disa çrregullime mendore që janë vështirë të identifikueshme apo vështirë dallueshme edhe nga profesionistët e shëndetit mendor psikolog e psikiatër e assesi nuk ka as të paktën mundësi polici ti njoh. Psh, një ndër çrregullimet mendore të tilla është psikopatia, çrregullim mendor ky që edhe profesionistët e fushës mendore e kanë të vështirë identifikimin, diagnostikimin e tyre.

Psikopatët mund të paraqesin sjellje normale në përditshmëri e aq më normale kur vëzhgohen, janë aktor, modifikues, manipulues, gënjeshtarë deri aty saqë krijojnë bindje se ata janë njerëzit më të dashur, të parrezikshëm, joproblematikë etj, por në të kundërtën në mendjen e tyre është e instaluar ideja e të bërit keq, keqveprimeve sepse pikërisht nga këto ide ata përmbushen emocionalisht dhe ndjejnë kënaqësi.

Nuk do të thotë se ata nuk janë njerëz të mirë, nuk janë të arrirë, nuk kanë momente të sjelljeve normale porse natyra e tyre në brendësinë e tyre e ka mungesën e ndjesisë së dhembshurisë, vlerësimit të pasojave që veprimi i tyre mund ti shkaktoj. Me një fjalë përmbushja e egos së tyre bëhet në këtë formë. Psikopati është lehtë i ndikueshëm dhe lehtë veprueshëm deri te veprimet më fatale. Mjafton për ata një moment acarimi, mospërshtatje, pakënaqësi, mosrealizim qëllimi, etj, sa ata të kalojnë në zonën e çrregullimit të tyre dhe në të tilla momente ata veprojnë deri në veprime më fatale si vrasje.

Çka dua të them se, psikopatët dijnë të janë aq manipulues saqë pa asnjë dyshim them se mund ta bindin policin se ata janë shumë në rregull, mbase ata në momentin e bindjes së palës tjetër ndryshe ngaqë janë përjetojnë kënaqësi. Ata manipulojnë në vazhdimësi me intrigat e tyre si në familje e rrethin ku jetojnë edhe në sjelljet më të thjeshta, sepse strategjia e manipulimit është lloji i jetesës së tyre. Andaj, me këtë shkrim timin desha tu sqaroj organeve të rendit në vend që: po që se pranoni çfarëdo ankese nga familjarët për familjarin e tyre duhet merren parasysh me seriozitetin më të madh të mundshëm. Nuk ka familjarë që e paraqet anëtarin e familjes në polici pa një arsye të fortë.

Jam e sigurt se paraqitja në polici e familjarit është preventiva e fundit që ai po bën ta ndihmoj familjarin e vet, dhe se nuk i mbeti rrugë tjetër se sa tu drejtohet organeve të rendit.

Nuk është fare e lehtë të bëhet kjo ankesë, mirëpo prapë kjo shihet ndihma apo mundësia e fundit për tu marrë me problemin që familjari e ka.

Nuk do të ishte zgjidhje e drejtë ti thuhet nga policia, psh kur një nënë kërkon ti ndihmohet në rastin e djalit të saj adoleshent që: bëni çfarë të doni me të, trajtojeni ju vet, bëjani analizat vet (dyshime për përdorim të narkotikëve), apo kur familjari tjetër ju thërret (policinë) se kanë shqetësime nga familjari, e policia ta dërgoj ekipin në shtëpi dhe ta shoh se çfarë po ndodhë dhe meqë nuk ka argumente e fakte kthehen sikur gjithçka është në rregull. Jo, kjo nuk mjafton e as nuk është masë parandaluese e aspak ndihmuese por është zvarritje dhe thellim i problemit.

Këto raste dhe ankesat e tilla duhet të merren shumë seriozisht nga organet kompetente, madje personat problematik të dërgohen në shtëpi korrektuese (korrigjuese) dhe tu vëzhgohet sjellja nga psikiatri e psikologu më së paku në afat një muaj. Të vlerësohen, testohen deri në dyshimin e fundit për çrregullime mendore.

Po që se nuk përdoret kjo formë intervenimi, atëherë dyshoj se nuk parandalohet as ndryshohet asgjë.

(Lule Alidema është psikologe klinike)

 

Kontrolloni gjithashtu

Takime vëllazërore me shqiptarët e Kroacisë

Kryetari i Nderit i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, njëherit dhe Anëtar i …