Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përsëritur sot se partia e tij nuk do ta votojë Glauk Konjufcën për kryeministër, duke theksuar se “zgjidhja e vetme reale për vendin janë zgjedhjet e reja parlamentare”. Konjufca duhet të jetë i sinqertë me veten dhe të pranojë se nuk ka shumicë parlamentare për të formuar qeverinë, duke kërkuar që të mos zvarritet më procesi politik për interesa elektorale. “Glauk Konjufca, në rrethanat e tanishme politike, duhet të jetë i sinqertë me veten, më shumë, shumë më shumë se sa kryetari i tij, dhe të konstatojë se nuk ka shumicë e as kohë për të humbur më. Çdo përpjekje për ta zvarritur këtë proces për kalkulime të vogla elektorale është përpjekje e një pushteti që nuk e lëshon dot karrigen që nuk i takon”, tha Abdixhiku. Ai e quajti situatën e tanishme “turp politik” për pushtetin aktual, duke theksuar se vendi nuk ka nevojë për lojëra politike, por për përgjegjësi dhe dinjitet shtetëror. “Kjo është sjellje e turpshme e një gjenerate që duhet të tregojë minimalisht dinjitet dhe respekt ndaj qytetarëve. Zvarritja e ditëve, kur e di se nuk ke shumicë, është thellim i vetëdijshëm i krizave që po na vijnë,” tha ai. LDK-ja, sipas tij, është e vendosur të mos bëhet pjesë e “lojërave politike të pushtetit”, por të kërkojë një rifillim të procesit politik përmes votës së qytetarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
