Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke deklaruar se në takimet mes tyre nuk është diskutuar për çështje parimore, por vetëm për pazare politike. Abdixhiku ka thënë se ka tentuar të hapë tema që lidhen me interesin shtetëror dhe zhvillimin e vendit, por sipas tij, bisedat vazhdimisht janë fokusuar në ndarje pozicionesh. “S’kemi folur asnjëherë për tema parimore, por vetëm për pazare fliste Kurti. Unë kam provuar të bëj diskutime për përparim, por vazhdimisht kemi mbetur tek pazaret,” ka deklaruar Abdixhiku. Ai ka theksuar se nuk është pjesë e logjikës së pazareve politike dhe nuk udhëhiqet nga interesat për poste, duke shtuar se për të, interesi i Kosovës është mbi çdo ambicie personale. “S’më drejtojnë pazaret, flas për parime. Vërtet e dua më shumë Kosovën se sa veten për të marrë pozita,” është shprehur ai. Deklaratat e Abdixhikut vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme në skenën politike, ku raportet mes partive kryesore mbeten të brishta dhe të karakterizuara nga përplasje të forta publike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
