Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, ka ngritur alarmin për atë që e cilëson si demonizim të padrejtë të shqiptarëve nga mediat dhe politikanët britanikë, veçanërisht nga krahu i djathtë. Në një letër drejtuar gazetës prestigjioze The Guardian, Ferizi kritikon ashpër “obsesionin” me portretizimin e shqiptarëve si problem në debatin për emigracionin, duke theksuar se ky diskurs po reflektohet drejtpërdrejt në jetën e përditshme të komunitetit shqiptar në Britani. Ai akuzon mediat për keqinterpretim të statistikave dhe politikanët për përdorimin e shqiptarëve si “kurban” në debatet politike, duke e krahasuar këtë fenomen me stigmatizimin historik të komuniteteve të tjera emigrante. Sipas ambasadorit, raportime të caktuara nga media si The Telegraph kanë deformuar të dhënat për përfshirjen e shqiptarëve në krim. Ai përmendi një analizë të vitit 2024 që pretendonte se një në 50 shqiptarë në Britani ishte në burg, duke e cilësuar këtë si manipulim të shifrave. Ferizi thekson se, kur statistikat analizohen në mënyrë të saktë – duke marrë parasysh faktorë si mosha, gjinia dhe të ardhurat – rezulton se shqiptarët burgosen me të njëjtën shkallë si qytetarët britanikë. “Shqiptarët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar po paguajnë një çmim të rëndë në shkolla, vende pune dhe në jetën sociale për shkak të këtyre portretizimeve negative”, thuhet në letër. Ambasadori solli edhe shembuj konkretë të diskriminimit, ku qytetarë shqiptarë kanë hezituar të shprehin identitetin e tyre apo janë paragjykuar në vendin e punës. Ai përmendi raste të profesionistëve që janë përballur me stereotipe negative, si dhe vështirësi në zhvillimin e bizneseve për shkak të perceptimeve të krijuara nga mediat.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
