Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka akuzuar qeverinë se nuk është e interesuar të qeverisë me vendin, por vetëm të qëndrojë në pushtet në kapacitet “në detyrë”, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të njëpasnjëshme. Sipas tij, fakti që një parti fiton 51% të votave dhe megjithatë vendi përfundon sërish në zgjedhje, tregon mungesë vullneti dhe gatishmërie për të marrë përgjegjësi qeverisëse. “Të fitosh 51% dhe ta çosh vendin në zgjedhje tregon se ju nuk jeni as të gatshëm as të interesuar me i kry punët për të cilat jeni zgjedhë,” ka deklaruar Mustafa. Ai ka kritikuar edhe menaxhimin e situatës ekonomike, duke theksuar se rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së prodhimit për bizneset dhe, si pasojë, në shtrenjtimin e produkteve për qytetarët. “Rritja e çmimit të energjisë e ka rrit koston e prodhimit të bizneseve dhe për rrjedhojë çmimet e produkteve. Në këtë rritje ka dorë edhe mosveprimi juaj dhe moskryerja e detyrave,” është shprehur ai. Mustafa shtoi se vendi po përballet me një krizë të vazhdueshme, për të cilën, sipas tij, përgjegjës është pushteti aktual. “Çka keni prodhu ju? Kriza. Edhe në një të tillë jemi edhe tani,” theksoi ai, duke shtuar se qeveria po shmang përgjegjësitë ndërsa vazhdon të përfitojë nga pozitat në pushtet.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
