DRAGAÇINA E QËNDRESËS SË PAKRAHASUAR
Dragaçina është fshat malor në Komunën e Therandës, që para luftës së vitit 1999 në Kosovë kishte 33 shtëpi dhe mbi 300 banorë të gjithë shqiptarë. Krahasuar me kushtet ekonomike të Kosovës nën okupimin klasik serb, ky fshat sikur konsiderohej deri diku si më i zhvilluari i Komunës së Therandës, se kishte shumë meshkuj në mërgim, që kujdeseshin për familjarët e tyre që ta kenë një jetë pak më ndryshe për të mirë. Në pranverën e viti 1999 Dragaçina përjetoi dy ofensiva të tmerrshme serbe, njërën më 6 prill e tjetrën më 21 prill 1999 dhe përjetimet e pësimet e njerëzve në to ishin të tmerrit të veçantë.
Në ofensivën e parë, atë të 6 prillit, ishte vrarë në shtëpi të vet Ramiz Çatani, ndërsa poashtu në shtëpi të vetë ishin plagosur Muhamet Trolli, arsimtar në shkollën fillore të Çadrakut me dy vajzat, Shyhretën e Luljetën, që në ofensivën e 21 prillit Muhameti me Shyhreten vriten nga forcat serbe. Banorët e Dragaçinës, që të shpëtojnë nga tmerret e ofensivës shfarosse mbi fshatin e tyre, detyrohen t’i lëshojnë shtëpitë dhe të strehohen në grykën e lumit të afërtë, që e quanin Reka e Çadrakut, ku do të qëndrojnë mbi 24 orë. Shtëpitë e fshatit dhe çdo gjë tjetër jetike për banorët, forcat serbe i kishin djegur e rrënuar me tanke e me bombe, por edhe me raketa nga punkti i malit Biraç, në të dalë të Therandës dhe nga Qafa e Duhlës. Vetëm një shtëpi, ajo e Gani Trollit, kishte shpëtuar pa u djegur dhe nja tri-katër shtëpi kishin mbetur gjysmë të djegura.
Banorët e zhvendosur të Dragaçinës, për fatin e tyre të keq, edhe në vendstrehimoren Te Reka e Çadrakut, që ishte në dalje të fshatit kah Muhlani, nuk kishin pasur qetësi. Këmbësoria serbe e armatosur deri në dhëmb kishte depërtuar padiktueshëm edhe në luginë të lumit dhe i kishte sulmuar të strehuarit, duke i rrahur e torturuar deri edhe për vdekje, sidomos burrat dhe djemtë e rinj. Pos kësaj edhe i kishin plaçkitur me çka kishin pasur, duke ua marrë të gjitha paratë dhe arin e grave, se e kishin ditur që dragaçinasit, duke qenë prej shumë kohësh në gyrbet, kishin kushte të mira materiale. Informatat e hollësishme për t’i plaçkitur dhe për të bërë krime mbi ta, forcat serbe i kishin marrë nga serbët e fshatit Muhlan, Mlladeni, Millani i Angjellkut dhe Bora e Cvetki të Kerstës, fqinj të shqiptarëve, që e njihnin mirë Dragaçinën dhe popullatën shqiptare në të. Ata edhe i kishin treguar ushtrisë serbe për vendstrehimin e popullatës te lugina e lumit. Banorët e Dragaçinës e përjetuan edhe ofensivën e 21 prillit 1999, kur ushtarët kriminelë serbë vranë e masakruan me tmerre njëmbëdhjetë meshkuj të moshuar të familjes Trolli, si: Ymerin (1908), Shahinin (1917), Ukën (1924), Sejdiun (1927), Isufin (1934), Tahirin (1936), Sherifin (1936), Azemin (1939), Nazifin (1941), Hakiun (1943) dhe Petritin (1982). Pas torturimeve të shumta që ua bëjnë, duke i rrahur me kundak të pushkëve e me drunj, e duke i prerë me thika për së gjalli, edhe i lakuriqësojnë dhe i hudhin në pusin 25 metra të thellë, në lagjen Trolli të fshatit.
Mbamendja më e trishtueshme dhe më e dhembshme e Dragaçinës për ofensivën e 21 prillit 1999, të tmerrit të pakrahasuar për ta e për krejt Kosovën është se në këtë kohë forcat kriminele–shizofrene serbe bënë edhe përdhunimin e më se 350 femrave shqiptare të fshatit dhe të fshatrave përreth, që ishin strehuar te familjarët e tyre në Dragaçinë. Femrat shqiptare të Dragaçinës, të ngujuara me dhunë të shfrenuar e me krisma armësh në bodrumet e tri shtëpive të djegura të fshatit, janë dhunuar tri ditë e tri netë me radhë. Janë marrë për t’u dhunuar nga vendngujimet e blozuara prej të djegurit të shtëpive me bomba dore natën e ditën, një nga një, e herë-herë edhe nga dy-tri përnjëherë, duke i ndarë me kriminalitete trishtuese prej fënijëve të tyre të vegjël, sepse burrat e tyre ishin luftetarë për lirinë e Kosovës. Shnjerëzimi makabër është bërë në një shtëpi tjetër, në atë të Shahin Trollit, i vrarë dhe i hedhur në pus bashkë me dhjetë të moshuarit të tjerë.
Femrat shqiptare të Dragaçinës me fëmijët e tyre të vegjël tmerre të shumta shqetësuese kishin përjetuar edhe nga të ftohtit e madh, se në pranverën e vitit 1999 shiu e bora nuk kishin pushuar së rënit ditë as natë. Kishte qenë për ta një pranverë e dhimbshme gjithqysh. Nuk kishin pasur as veshmbathje të mjaftueshme dhe as shtrojë e mbulojë, se të gjitha iu kishin djegur bashkë edhe me shtëpitë prej ofensivës. Edhe ato pak gjëra që kishin mundur t’i merrnin më veti në çanta, kur kishin dalë nëpër përflakje të shtëpive prej ofensivës, ua kishin marrë ushtarët serbë në livadhe te pusi. Duhet cekur se gjatë ofensivave serbe të 1998-ës në shumë fshatra të Therandës e të Malishevës, Dragaçina ishte mikëpritëse e madhe, në të cilën ishin strehuar mbi 650 banorë të zhvendosur. Secila shtëpi me kushte të mira materiale kishte strehuar nga 4-5 të zhvendosur, duke u përkujdesur për ta si të ishin anëtarë të familjes dhe duke ngrënë në një sofër bashkë me ta. Të tmerruar për tragjedinë e veçantë gjatë ofensivave serbe në fshatin e tyre dhe mbi ta, pas luftës në Kosovë, më shumë se gjysma e popullatës së Dragaçinës e kanë lëshuar fshatin, duke u vendosur në Prizren e në vende të tjera nëpër Kosovë, si edhe jashtë saj. Organizatat e huaja ndërkombëtare, të vendosura pas luftës në Kosovë, u kanë ofruar meremetimin dhe rindërtimin e shtëpive të tyre, por ata nuk kanë dashur që të ktheheshin, që t’i shihnin vendet, ku janë kryer kriminalitetet më të dhembshme dhe më poshtruese nga forcat barbare serbe. Rikujtimi për shnjerëzimet më të pakrahasueshme dhe përjetësisht të pafalshme, të bëra ndaj grave e motrave të tyre të pafajshme, duke qëndruar pa i bërë kujt të keqe në shtëpitë e tyre, ua rikthejnë dhembjet e papërballueshme si atëherë kur kanë ngjarë dhe si gjithëherë dhe deri sa të jenë gjallë. Për këtë hezitojnë këmbëngultësisht që të kthehen, edhe pse gjithëherë duke jetuar me mallin përvëlues për bukuritë piktoreske të Dragaçinës së tyre të paharruar. Duke jetuar me dashurinë e pashuar për jetën dhe rritën në të dhe në mesin e bashkëfshatarëve të afërtë dhe të mirë, si edhe me kujtimin krenar për rrënjët e gjyshërve dhe të të parëve më të hershëm të tyre. Për përdhunimet e femrave shqiptare në Dragaçinë e përgjithësisht për tragjedinë dhe tmerret gjatë dy ofensivave barbare serbe në këtë fshat, atë të 6 dhe të 21 prillit 1999, personazh i rrëfimit trishtues është I.T 29 vjeçe nga Dragaçina.
-Fragment nga libri “Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999” –Naxhije Doçi –Prishtinë – 2011
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
