Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: NUK DUHET TË PRITET SI STRUÇI (Makushi) ME SQEP NË RËRË

Letër e hapur!  Çka na sjell 16 shtatori i këtij viti?!

Si do të veprojnë sadistët e Hagës me gijotinën e tyre mbi kokat e shqiptarëve?

Duhet të lëvizë çdo mundësi, duhet bërë çdo përpjekje që të mos dënohen çlirimtarët!

Dënimi, qoftë i madh apo i vogël, nënkupton dënimin e UÇK-së dhe të luftës çlirimtare të Kosovës, si të ishte e gabuar për krijimin e një shteti të pavarur e sovran.

Këtë e presin armiqtë serbo-sllavë, të cilët ndikuan dhe krijuan këtë kurth për këtë qëllim.

Dënimi i rëndë i dëmton më shumë vetë të akuzuarit, ndërsa dënimi më i ulët mjafton vetëm që t’i fajësojnë. Të dyja shkallët e dëmtojnë njësoj UÇK-në dhe Kosovën. Pra, sa u përket pasojave, mjafton të ketë dënim. Prandaj, kjo nuk duhet të ndodhë.

Sa jam i informuar, Amerika ka ndërmarrë hapa për mbylljen e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.

Por, sa i përket Gjykatës Speciale të “Kosovës” në Hagë, nuk po bëhet sa duhet. Nuk po ushtrohet presion në Këshillin Evropian, i cili e ka themeluar këtë gjykatë dhe i ka kompetencat për shpërbërjen e saj.

Kosova në këtë drejtim nuk ka ndërmarrë asgjë, ndërsa as Shqipëria nuk ka mundur ta ngrejë këtë çështje në Këshillin e Evropës, përveç fjalëve të mira të Edi Ramës.

Përveç shoqatave të dala nga lufta, të cilat bëjnë përpjekje, askush tjetër.

Dhoma e Avokatëve të Kosovës mund t’i evidentojë dhjetëra e qindra shkelje që kanë ndodhur gjatë seancave dhe procedurave të kësaj gjykate.

Po ashtu, edhe shoqëria civile, përmes peticioneve të mundshme nga intelektualët dhe populli, mund të ndikojë duke iu drejtuar Brukselit, Strasburgut dhe Amerikës, që të bëhet maksimumi për t’i shpëtuar krerët e UÇK-së të padënuar, të mos fajësohet UÇK-ja dhe të mos lëndohen shteti dhe liria e Kosovës.

Duhet të qartësohen edhe aleatët, Anglia, SHBA-ja dhe NATO-ja, se sipas akuzuesve, përgjegjësia bie edhe mbi ata që kanë ndihmuar luftën e UÇK-së, të cilën ata e konsiderojnë të padrejtë.

Kjo që mund të ndodhë është shqetësuese dhe e paprecedentë: të dënohet lufta mbrojtëse dhe të barazohet me luftën pushtuese serbo-sllave.

Të barazohen gabimet e mundshme në luftën çlirimtare, të bëra nga ndonjë luftëtar i pakujdesshëm apo i papërgjegjshëm, me politikën shtetërore serbe, është e papranueshme. Përndryshe, lufta e UÇK-së nuk ka bërë dëme kolaterale. Vetë mënyra e luftimit dhe armët e përdorura kanë qenë të tilla që është goditur vetëm ai që ka qenë objektiv, e jo njerëz të pafajshëm anash, siç ndodh në luftërat konvencionale.

Ndryshe kanë qenë krimet e qëllimshme, të kryera me urdhrat e shtetit serb, ushtrisë dhe policisë së rregullt shtetërore, të cilat kryen krime kundër njerëzimit dhe gjenocid mbi popullin e pafajshëm të Kosovës, në trojet e veta autoktone.

U vranë mbi 13.000 civilë të paarmatosur, gra, pleq e fëmijë. Fëmijët e vrarë ishin nga më pak se një vjeç, me biberon në gojë, deri në moshën 14-vjeçare. Gjithsej u vranë dhe u masakruan 1.384 fëmijë. U kryen edhe dhunime të grave, djegie të shtëpive e pronave, plaçkitje masive, si dhe dëbime e spastrim etnik i popullsisë, gjithmonë me urdhra të hierarkisë shtetërore, nga Millosheviqi dhe gjeneralët komandues të luftës agresore e gjenocidale.

Fakt konkret u gjet në komandën e tyre në Prizren, ku një gjeneral-major serb kishte shkruar një urdhër: “Vrisni çdo gjë që lëviz mbi këtë tokë, përveç serbëve!”

Në gjuhën e tyre: “Ubite sve što mrdne na ovoj zemlji osim Srba.”

Kjo tregon se sa barbarë kanë qenë armiqtë tanë.

Një barazim i kësaj lufte është turp dhe shembull i paparë ndonjëherë në traditat gjyqësore kombëtare e ndërkombëtare.

Në radhë të parë duhet të bjerë akuza për “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”.

Kjo nuk qëndron, pasi UÇK-ja ishte një forcë guerile vullnetare dhe këta që akuzohen kurrë, në asnjë moment, nuk kanë mundur ta kenë nën kontroll tërësinë e saj për t’u quajtur “ndërmarrje”. Po ashtu, ata kurrë nuk kanë qenë të gjithë bashkë fizikisht apo në forma të tjera, prandaj nuk mund të quhet “e përbashkët”.

Ndërsa “kriminale” nuk mund të quhet, sepse UÇK-ja nuk ka kryer krime kundër njerëzimit. Ajo kurrë nuk ka vrarë njerëz në grupe apo në masë të madhe, nuk ka vrarë fëmijë, pleq apo civilë të paarmatosur. Prandaj nuk mund të quhet “kriminale”.

UÇK-ja ka zbatuar me përpikëri Konventat për të Drejtat në Luftë, përfshirë Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe protokollet plotësuese.

Në fund fare duhet të vlejë parimi se secila dele varet në këmbën e vet.

Nëse ndonjë individ ka bërë gabime apo ka kryer vepra, qoftë pa dashje apo me qëllim personal, ai duhet të mbajë përgjegjësi individuale.

Uroj të mos vonohemi si popull, si shtet e si pushtet, sepse turpi e dimë mirë kujt i mbetet në derën e shtëpisë.

Uroj që të dalin të pafajshëm, faqebardhë dhe pa asnjë kushtëzim.

Po ashtu, uroj që as populli dhe as Kosova të mos kushtëzohen më pas, kur të përpiqemi ta bëjmë të pamundurën të mundur, sepse atëherë gjërat vështirë se mund të kthehen në pikën zero, pa pasoja.

Të mos vonohemi për lirinë e çlirimtarëve!

16 korrik 2026

Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Mr.Sc.Refik Hasani

Mr.Sc.Refik Hasani: Standardet e dyfishta nga BE-ja për pakicën Shqiptare në Serbi, dhe pakicën Serbe në Kosovë

Të gjithë të drejtat individuale dhe kolektive që i gëzojn pakica Serbe në Kosovë, do …