Skandal me njehsorët e rrymës: Qeveria minimizon problemin, qytetarët rrezikojnë të paguajnë padrejtësisht

Skandali me njehsorët e energjisë elektrike po thellohet, ndërsa institucionet po tentojnë ta relativizojnë një problem që prek drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve. Edhe pse janë konstatuar pasaktësi dhe pajisje me afat të skaduar, autoritetet po këmbëngulin se “matjet janë në rregull”, duke ngritur dyshime serioze për transparencën dhe përgjegjësinë institucionale.

Sipas deklarimeve për Radion Evropa e Lirë, qytetarëve u lihet barra që vetë të ankohen nëse dyshojnë për dëmtime – një praktikë që kritikët e cilësojnë si shmangie të përgjegjësisë nga institucionet. Fillimisht, ankesat duhet të kalojnë nëpër Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), pastaj te KEDS, e vetëm më pas në ZRRE, një zinxhir burokratik që mund të dekurajojë shumë konsumatorë.

Ndërkohë, vetë MINT ka pranuar se disa njehsorë kanë qenë me afat të skaduar dhe me gabime në datë dhe orë – një fakt që për ekspertët ngre pikëpyetje të mëdha për besueshmërinë e sistemit të matjes. Pavarësisht kësaj, institucionet insistojnë se nuk ka pasur ndikim në faturim, një pretendim që bie ndesh me shqetësimet e ngritura nga opozita dhe mediat.

Edhe më shqetësuese është deklarata se “një numër i vogël konsumatorësh mund të kenë përfituar”, duke lënë të nënkuptohet se pjesa tjetër potencialisht ka paguar më shumë. Megjithatë, ZRRE pranon se në shumicën e rasteve korrigjimet financiare nuk janë në favor të qytetarëve.

Në anën tjetër, ndëshkimi prej vetëm 30 mijë eurosh ndaj KEDS për disa njehsorë të parregullt shihet si simbolik dhe larg përgjegjësisë reale për një çështje që prek mijëra konsumatorë.

Debati në Kuvend për këtë çështje vetëm sa ka thelluar përplasjet politike, me opozitën që akuzon Qeverinë e Albin Kurti për dështim në menaxhimin e sektorit të energjisë, ndërsa ekzekutivi vazhdon të mohojë çdo keqmenaxhim.

Në një situatë ku çmimet e energjisë janë tashmë të larta, çdo dyshim për manipulim apo pasaktësi në faturim përbën një goditje të drejtpërdrejtë për qytetarët, të cilët mbeten ende pa një përgjigje të qartë dhe pa garanci të plotë për drejtësi.

Kontrolloni gjithashtu

Rekord historik në sektorin bankar: Depozitat në Kosovë tejkalojnë 6.75 miliardë euro

Sektori bankar në Kosovë ka shënuar një tjetër moment historik, me depozitat e qytetarëve dhe …