Mahir Yagcilar po merr pjesë në punimet dyditore të Konferencës Rajonale “Bled Stratgic Forum” në Bled të Sllovenisë

Mahir Yagcilar, ministër i Ministrisë së Administratës Publike po merr pjesë në punimet dyditore të Konferencës Rajonale “Bled Stratgic Forum” në Bled të Sllovenisë, me ftesë të Boris Koprivnikar, zëvendëskryeministër dhe ministër i Administratës Publike të Sllovenisë, ku po marrin pjesë ministra e përfaqësues të institucioneve të larta nga shtetet e rajonit, drejtues nga fusha e  administratës publike, të komunikimeve elektronike si dhe përfaqësues të kompanive të telekomunikimit nga Sllovenia. Në kuadër të Sesionit Ndërministror me temën: “Transformimi Dixhital në  Ballkanin Perëndimor” (“DIGITALTRANSFORMATION IN THE REGION OF THE WESTERN BALKANS”), ku u paraqitën të arriturat e vendeve të rajonit në këtë sferë.

Ministri Yagcilar, në prezantimin e  tij para të pranishmëve theksoi:- “Kam nderin dhe kënaqësinë që t’i drejtohem këtij Forumi kaq të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe shpreh falënderimet e mia të sinqerta për organizatorët për përzgjedhjen e një tematike shumë me rëndësi për kohën, sikurse kjo që ka të bëjë me transformimin digjital të shoqërive tona respektive.

Gjithashtu, është nder i veçantë të paraqes para Jush të arriturat dhe sfidat e Republikës së Kosovës në këtë drejtim, ku besoj shumë se ne si shtet i ri do të mund të përfitojmë shumë nga përvojat e juaja.

Të nderuar pranishëm, teknologjia digjitale e komunikimit është njëra ndër teknologjitë më të rëndësishme që ndikon në jetën dhe aktivitetet e përditshme të qytetarit, bizneseve dhe vet institucioneve shtetërore. Sipas trendëve aktuale, transformimi digjital po bëhet prioritet numër një si në strategjitë biznesore po ashtu edhe në ato të institucioneve.

Prandaj dhe në linjë me këtë trendë, edhe Qeveria e Kosovës është duke e konsideruar me prioritet transformimin digjital, si komponentë e rëndësishme e një vargu të gjerë të aktiviteteve ekonomike shtetërore, jetike për krijimin dhe kultivimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe vendimtare në kohezionin shoqëror dhe në përhapjen e dijes dhe informacionit tek të gjitha shtresat e shoqërisë.

Kështu, përpos hartimit të standardeve dhe politikave në fushën e komunikimeve elektronike, segment tjetër i rëndësishëm në të cilin janë përqendruar institucionet tona është edhe ofrimi dhe avancimi i shërbimeve elektronike për qytetarë, biznese dhe vet institucione.

Në fushën e politikave, Qeveria ka miratuar një varg dokumentesh strategjike si: Agjendën Digjitale për Kosovën, Strategjinë për Modernizimin e Administratës Publike, Strategjinë e Kosovës për Teknologji Informative, Strategjinë Kombëtare për Siguri Kibernetike, dhe Kornizën e Interoperabilitetit. Bazuar në Strategjinë Kombëtare për Siguri Kibernetike, është themeluar edhe Këshilli Shtetëror i Sigurisë Kibernetike si dhe ekipet për reagim ndaj emergjencave kompjuterike siç janë: CERT- i shtetëror, CERT-i i policisë dhe disa CERT tjerë.

Po ashtu, në këtë fushë, ne kemi tashmë edhe Ligjin për Komunikimet Elektronike, i cili bazohet në Kornizën Rregullatore të Bashkimit Evropian për Komunikimet Elektronike, si dhe Ligjin për Shoqërinë e Informacionit, me të cilin, ndër tjerash, është krijuar edhe Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, si pjesë përbërëse e Ministrisë së Administratës Publike, dhe përgjegjëse për çështjet që ndërlidhet me teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit.

Në vazhdën e përpjekjeve tona për ngritjen e transparencës, ne kemi adoptuar edhe Kartën Ndërkombëtare për Hapjen e të Dhënave si dhe kemi krijuar Portalin për Publikimin e të Dhënave.

Sa i përket komponentës së ofrimit dhe avancimit të shërbimeve elektronike, ne jemi zotuar për:

  1. Sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të rrjeteve të komunikimeve elektronike në tërë territorin shtetëror dhe promovimin e përdorimit të këtyre shërbimeve;

  2. Sigurinë e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, për të rritur besimin e publikut dhe bizneseve në aspektin e sigurisë kibernetike;

  3. Inkurajimin e qytetarëve për shfrytëzimin e shërbimeve publike dhe administrative online, si dhe sigurimin e cilësisë së bartjes së të dhënave,

  4. Promovimin e zhvillimit të e-biznesit; dhe

  5. Inkurajimin e qytetarëve të Kosovës që t’i përvetësojnë njohuritë dhe shkathtësitë e nevojshme për përdorim të suksesshëm të teknologjisë informative dhe të komunikimit.

Kështu për realizimin e zotimeve tona të lartpërmendura, fillimisht më lejoni t’i përmend dy projekte si praktika të mira  të cilat jemi duke i zbatuar që kanë të bëjnë me:

1) Ndërtimin e rrjetit shtetëror – i cili lidh pothuajse të gjitha institucionet e Kosovës duke përfshirë pushtetin qendror dhe lokal, dhe

2) Ndërtimin e Qendrës së të Dhënave Shtetërore, e cila është e centralizuar dhe shërben si depo elektronike e të dhënave për të gjitha institucionet e Kosovës.

Nga ana tjetër, përpos infrastrukturës së krijuar në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, institucionet e Republikës së Kosovës kanë zhvilluar edhe shërbime elektronike për qytetarë, biznese dhe vet-administratën. Sa për ilustrim, disa prej shërbimeve elektronike me përdorim më të madh janë:

– Deklarimi online i të gjitha llojeve të tatimeve të bizneseve,

– Menaxhimi i Integruar i shërbimeve Doganore,

– Shërbime Bankare Online (e-Banking),

– Regjistri Qendror Elektronik i Gjendjes Civile,

– Arkivimi  Elektronik dhe

– Sistemi Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në shërbimin civil, etj.

Si risi në fushën e ofrimit të shërbimeve, në institucionet e Kosovës nga java që e lamë pas, është edhe Sistemi i Prokurimit Elektronik, i cili jo vetëm që do të kontribuojë në ngritjen e transparencës dhe luftimin e dukurive negative, por do të ndikojë edhe në zhvillimin e mëtejmë ekonomik të vendit.

Po ashtu, vlen të theksohet se, për rritjen e efikasitetit të administratës publike në ofrimin e shërbimeve për qytetarë, tashmë në një numër relativisht të madh të komunave është vënë në përdorim edhe sistemi elektronik i ashtuquajtur “e-Kioskat”. Përmes këtyre pajisjeve elektronike, mundësohet lëshimi i certifikatave të gjendjes civile në mënyrë automatike, pa pasur nevojë fare për angazhimin e personelit të administratës.

Si projekt tjetër me rëndësi të cilin pritet ta zbatojmë nga tetori i këtij viti, është matja e opinioneve gjegjësisht kënaqshmerisë së qytetarëve për shërbimet administrative që ofrohen nga administrata e nivelit qendror të institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo matje e opinioneve do të bëhet jo vetëm përmes pajisjeve elektronike të cilat do të vendosen pranë lokacioneve ku ofrohen shërbimet, por edhe përmes internetit nga çfarëdo lokacioni. Me këtë qasje synojmë që ndër tjerash të identifikojmë pengesat dhe të metat në cilësinë, koston dhe kohën e ofrimit të shërbimeve, dhe në saje të rezultateve t’i orientojmë edhe politikat tona zhvillimore dhe përmirësuese për të ardhmen.

Projekte tjera, që janë në proces të krijimit, më lejoni t’i përmend edhe Regjistrin Elektronik të Adresave, Krijimin e të Dhënave Gjeohapësinore si dhe Hartën Topografike Digjitale.

Para se të përfundoj fjalimin më lejoni t’i përmend dy sfidat  më kryesore  me të cilat po përballemi në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, të cilat janë :

1) Zhvillimi i platformës së interoperabilitetit për ndërlidhjen e sistemeve elektronike  dhe shkëmbimin e të dhënave, e cila ndër tjerash do të mundësojë edhe ngritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe

2) Mungesa e kodit shtetëror të telefonisë si dhe kodit shtetëror të internetit. Natyrisht, shpresojmë që edhe këto sfida do t’i tejkalojmë në një të ardhme të afërt.

Së fundi, synimi jonë është të avancojmë dhe rrisim numrin e sistemeve elektronike, që të mundësojmë ofrimin e shërbimeve sa më të shpejtë, sa më të lehtë dhe me kosto sa më të ulët për qytetarë, gjithashtu të posedojmë edhe të dhëna në kohë reale sa i përket zhvillimeve në administratën publike e nevojshme për hartimin e politikave zhvilluese dhe përmirësuese, tha në fjalën e tij ministri Mahir Yagcilar

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka vizituar nga afër punimet në asfaltimin e rrugëve në fshatin Lubishtë

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti me bashkëpunëtor, ka vizituar sot fshatin Lubishtë të …