Opinionistja dhe njëherësh bashkëshortja e heroit Ismet Asllani, Makfire Beqiri Asllani, ka kujtuar drejtorin e Radio Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi, në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, me një mesazh thellësisht emocional dhe plot mirënjohje për kontributin e tij në shërbim të kombit. Përmes një reagimi publik, ajo theksoi se për këtë përvjetor nuk mund të ketë urime, por vetëm nderim dhe respekt për një figurë që ia kushtoi jetën atdheut, duke u bërë zë i së vërtetës dhe simbol i qëndresës. “Për këtë ditë nuk mund të them ‘urime’,” shkroi Beqiri Asllani, duke shtuar se Qeriqi zgjodhi gjithmonë rrugën e drejtë, edhe pse ajo ishte më e vështira. Ajo kujtoi se jeta e tij ishte e mbushur me sakrifica, nga burgjet, dhuna dhe përndjekjet e vazhdueshme, deri te angazhimi i palodhur në arsim, letërsi dhe gazetari. Sipas saj, Ahmet Qeriqi nuk punoi për emër apo lavdi personale, por për lirinë e vendit dhe për të vërtetën historike të Kosovës. “Ishe profesor që formove breza, zë i së vërtetës në Radio Kosova e Lirë dhe shkrimtar që le pas vepra me peshë. Nuk punove për emër, por për atdhe. Nuk kërkove lavdi, por liri,” u shpreh ajo. Në mesazhin e saj, Makfire Beqiri Asllani i shprehu gjithashtu ngushëllime dhe mirënjohje familjes Qeriqi për humbjen e bashkëshortit dhe babait të tyre, duke theksuar se vepra dhe shembulli i tij do të vazhdojnë të jetojnë. Ajo përmbylli mesazhin me një thirrje simbolike për Kosovën që të mos harrojë bijtë e saj që punuan dhe sakrifikuan për të vërtetën dhe lirinë e vendit. “I përjetshëm qoftë kujtimi yt,” përfundoi Makfire Beqiri Asllani.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
