Mbahet Mbledhja e VII – të e Rregullt e Kuvendit të Komunës së Deçanit  

Mbledhja e VII-të e rregullt e Kuvendit të Komunës së Deçanit u kryesua nga kryesuesi i Kuvendit, z.Hajdar Sutaj. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin kryetari i komunës, z.Bashkim Romosaj, anëtarët e kuvendit, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të KFOR-it, zyrtarë komunal e qytetarë tjerë.

Si rend dite ishin propozuar këto pika:

  1. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit nga mbledhja e datës 30.06.2022 dhe nga mbledhja e datës 17.08.2022;

  2. Shqyrtimi dhe miratimi i projekt-buxhetit për vitet 2023-2025;

  3. Shqyrtimi dhe miratimi i Rregullores së Tatimit në Pronë për vitin 2023 dhe vendimit për caktimin e normave tatimore për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2023;

  4. Shqyrtimi dhe miratimi i Model-Rregullores për Organizimin, Funksionimin dhe Bashkëpunimin e Komunave me Fshatrat, Vendbanimet dhe Lagjet Urbane;

  5. Shqyrtimi i Model-Rregullores për Transportin Publik në territorin e Komunës së Deçanit;

  6. Shqyrtimi i raportit 6-mujor i kryetarit të Komunës;

  7. Rishqyrtimi i vendimeve me rekomandim të MAPL-së (rishqyrtim i vendimit të dt.30.06.2022 për emërim të rrugëve, rishqyrtim i vendimit të datës 30.05.2022 për caktimin e lokacionit me destinim për varrezat e lagjes Nuraj, të fshatit Strellc i Ulët);

  8. Shqyrtimi i raportit të Ndërmarrjes ‘’Higjiena’’ për shumën prej 80.000 euro, të ndarë me vendim të Kuvendit të datës 28.02.2022;

  9. Shqyrtimi dhe miratimi i propozim-vendimit të kryetarit të Komunës për themelimin e çmimit ‘’Mirënjohje e Qytetit’’;

  10. Trajtimi i qenve endacak;

  11. Të ndryshme.

Si dhe me kërkesë të asamblistes Albesa Cacaj është shtuar si pikë për diskutim edhe trajtimi i kërkesave të Komitetit për Komunitete në lidhje me projekt-buxhetin si dhe me kërkesë të grupit të LDK-së, shtohet pika për caktimin e lokacionit për vendosjen e bustit të znj.Hillary Clinton, një nga përkrahëset dhe miket më të mira të shqiptarëve. Me disa propozime për ndryshim në procesverbalet e dy mbledhjeve të kaluara, kalon pika e parë e rendit të ditës për të vazhduar me pikat tjera të planifikuara për këtë mbledhje. Në mbledhjen e sotme, pas diskutimeve të shumta nga ana e anëtarëve të Kuvendit, u miratua buxheti i vitit 2023, me 14 vota për dhe 11 kundër. U shqyrtuan dhe u miratuan pikat 3 dhe 4 të rendit të ditës. Gjatë kësaj mbledhje u bë gjithashtu shqyrtimi i pikave 5 dhe 6 të rendit të ditës në lidhje me model-rregulloren e transportit publik, gjegjësisht raporti gjashtë mujor i kryetarit të komunës së kryetarit, z.Bashkim Ramosaj. Pika e 7-të e rendit të ditës në lidhje me rishqyrtimin e vendimit të datës 30.06.2022 për emërim të rrugëve është shty për mbledhjen e ardhshme. Ndërsa, për vendimin e datës 30.05.2022 për caktimin e lokacionit me destinim për varrezat e lagjes Nuraj, të fshatit Strellc i Ulët), u votua për shfuqizimin e këtij vendimi. U shqyrtua edhe raporti i Ndërmarrjes ‘’Higjiena’’ për shumën prej 80.000 euro, të ndarë me vendim të Kuvendit të datës 28.02.2022. Propozim-vendimi i kryetarit të komunës për themelimin e çmimit ‘’Mirënjohje e Qytetit’’ u votua me 23 vota për. Në lidhje me pikën e 10-të të rendit të ditës, u formua komisioni i përbërë prej 5 personave, 2 anëtarë nga Drejtoria e Bujqësisë dhe 3 nga Kuvendi. U diskutua edhe për dy pikat e propozuara nga grupi i LDK-së dhe nga znj.Albesa Cacaj. Anëtarja e Kuvendit, znj.Yllarta Thaqi pati disa pyetje drejtuar disa drejtorëve, respektivisht drejtorit të Arsimit, të Shërbimeve Publike, të Administratës dhe të Bujqësisë nga të cilët mori përgjigjet e kërkuara. Në të ndryshme pati diskutime dhe pyetje të ndryshme drejtuar drejtorëve të pranishëm në mbledhje.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Smajl Latifi vizitoi QKMF “DR. Fahredin Hoti”

Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Fahredin Hoti”, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë …