Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kërkuar shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, pas mungesës së saj në mbledhjen e Qeverisë ku u miratua krijimi i një grupi punues për mbështetjen institucionale të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Hagë. Musliu e cilësoi mungesën si çështje të përgjegjësisë institucionale dhe kërkoi që Gërvalla të largohet nga detyra. “GËRVALLA DUHET TË SHKARKOHET!”, shkroi deputetja e PDK-së. Ajo tha se ministrja nuk kishte qenë e pranishme as ditën kur u votua Ligji për Dhomat e Specializuara, duke e përmendur këtë si arsye shtesë për kërkesën e saj. “Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e çlirimtarëve, mungesa e ministres së Drejtësisë nuk është thjesht mungesë në një mbledhje. Është goditje ndaj besueshmërisë së angazhimit shtetëror”, tha Musliu. Në përfundim të reagimit, deputetja përsëriti thirrjen për shkarkimin e Gërvallës dhe kritikoi qëndrimin e saj lidhur me çështjen. “Gërvalla ka zgjedhur të jetë në anën e kundërt të historisë, prandaj duhet të shkarkohet!”, deklaroi Musliu.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
