Brickos

Mbi 30 milion euro buxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2019

Këtë të martë është mbajtur mbledhja e tetë e Kuvendit të Komunës së Ferizajt e udhëhequr nga Kryesuesja e Kuvendit, Kristina Gashi-Bytyqi. Pika më e rëndësishme e rendit të ditës në këtë mbledhje ishte buxheti i komunës së Ferizajt për vitin2019 si dhe vlerësimet e hershme buxhetore për vitin 2020-2021. Para asamblistëve ferizajas, Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se buxheti i hartuar sivjet krahasuar me vitin e kaluar shënon rritje, buxhet ky që është në vlerë prej 30 milionë e 934 mijë euro, apo më i lartë se buxheti i vitit aktual 2018 për kuotën 5.76%. “Mbështetur në dokumentin bazik, Kornizën Afatmesme Buxhetore 2019-2021 si dhe instruksionet e Ministrisë së Financave, të sjellura nëpërmjet qarkoreve buxhetore, ne si organizatë buxhetore hartuam, draft buxhetin për vitin 2019, duke respektuar në përgjithësi kërkesat ligjore të këtij procesi, e mbi të gjitha duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët tanë, si dhe gjithë të interesuarit tjerë, në funksion të arritjes së një planifikimi buxhetor koherent, e në përputhje me platformën qeverisëse, e cila përfaqëson në mënyrë të qartë e gjithëpërfshirëse interesin qytetar, nëpërmjet realizimit të synimeve tona zhvillimore. Fatkeqësisht, më duhet të ritheksoj, se mënyra e menaxhimit apo keq menaxhimi i planifikimeve buxhetore nga pushtetit i kaluar, e të trashëguara si planifikime, nga pushteti aktual, ka bërë që, të mos përfshihen në draft Buxhetin e vitit 2019, edhe shumë projekte kapitale, të cilat tashmë janë të identifikuara, si projekte të nevojshme për realizim, e të cilat do ta mundësonin, rritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve të Komunës së Ferizajt, edhe pse buxheti i komunës së sonë, për vitin fiskal 2019, do të jetë 30 milionë e 934 mijë euro, apo më i lartë se buxheti i vitit aktual 2018 për kuotën 5.76%”, ka thënë Kryetari Aliu. I pari i Ferizajt, Agim Aliu ka falënderuar edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen që i ka dhënë Komunës së Ferizajt. “Më lejoni, që t’i falënderoj në emër të qytetarëve të Komunës së Ferizajt, institucionet e nivelit qendror, si Kuvendin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat gjatë këtyre muajve qeverisëse, kanë mirëkuptuar kërkesat tona, për të financuar projektet, të cilat tashmë kanë marr rrugën e realizimit, e të cilësuara me të drejtë, si projekte identitare, siç janë projektet: “Bashkimi i Qytetit”, pastaj “Themelimi i Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë”, ndërtimi i Spitalit të Ri Rajonal, tri nënkalimet përgjatë hekurudhës dhe në dy pjesët e qytetit që do t’i japim frymë zonës qendër, projekti i Pishinës gjysmëolimpike dhe Qendrës Multifunksionale Kulturore – investime këto të jashtëzakonshme në infrastrukturën sportive dhe kulturore, projekti “Ndërtimi i Qendrës së Sportit dhe të Panaireve”, investimi që kalon 50 milionë euro për ndërtimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të zeza, ndërtimi i Fabrikës së Ujit që përfundimisht zgjidh telashet me ujin e pijshëm dhe shumë projekte tjera të cilat, do të jenë pjesë e fokusit të financimit, nga ana këtyre institucioneve, për t’i realizuar në komunën tone, për të cilën falënderoj publikisht Kuvendin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kjo ndërmarrësi institucionale, e koordinuar në mes dy niveleve qeverisëse, do të vazhdoj edhe në të ardhmen e afërt, nëpërmjet financimeve shtesë të shumë projekteve kapitale, të cilat kanë mungesë të mjeteve, nga ana e Ministrisë së Financave, për të zvogëluar në masë, deficitin buxhetor i cili vazhdon të jetë prezent në organizatën tonë buxhetore”, ka potencuar Kryetari Aliu. Numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, me këtë rast është shprehur se në draft buxhetin për vitin fiskal 2019 është shënuar rritje në planin e të hyrave vetanake për 12.08 për qind, edhe pse, sot ne do të vendosim ndërhyrjen në politikat fiskale lokale, duke ulur për 10% bazën e tatimin në pronë, si e hyra primare në kuadër të të hyrave vetanake, do të kemi 5.11% buxhet më tepër për investime kapitale sesa në vitin aktual, subvencione me tepër, si dhe e mallra dhe shërbime mbi 21% më shumë. “Të dashur qytetare të Komunës së Ferizajt, anëtarë të Kuvendit të Komunës, duke u mbështetur në përmbajtjen e dokumentit të buxhetit për vitin fiskal 2019, si dhe vlerësimet e hershme buxhetore 2020-2021, gjithashtu duke u mbështetur, në interaksionin tejet aktiv e të frytshëm, në mes dy niveleve qeverisëse, me të drejtë arrij në konkludimin se Komuna e Ferizajt, tashmë ka marr veten, për të arritur përmbushjen e synimeve e saja zhvillimore, për të mobilizuar potencialet e saja natyrore e humane, për të arritur zhvillimin ekonomik të dëshiruar, për të rritur përkrahjen e bizneseve tona, për rritur sukseset në fushën e arsimit, të kulturës e të sportit, dhe për të përkrahur pandërprerë projektet për të rinjtë. Andaj, të nderuar anëtarë të kuvendit, nga ju kërkojë që pa hezituar t’i jepni mbështetje këtij projeksioni buxhetor, t’i hapni mundësinë e implementimit, për të shënuar dhe arritur atë që dëshirojmë të gjithë ne, ngritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë”, ka përfunduar Kryetari Aliu. Kjo pikë e rendit të ditës është përcjellur me disa vërejtje nga partitë opozitare, ndërsa përfaqësues të partisë në pushtete e kanë vlerësuar tejet lart projekt buxhetin e vitit 2019. Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës së Ferizajt, u diskutuan dhe u miratuan një varg çështjesh, siç është rregullorja mbi tatimin e pronës së paluajtshme si dhe shpallje në interes të përgjithshëm i disa ngastrave kadastrale, ndërsa rregullorja për taksa, tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunal është shtyre për seancën e ardhshme. Po ashtu me vota unanime u miratua edhe rregullorja komunale për Mënyrën dhe Kushtet e Menaxhimit dhe Shfrytëzimit të Objekteve Sportive Publike, ndërsa u morr vendim që të del në diskutim publik edhe Draft Statutit i Teatrit Profesional “Adriana Abdullahu” si dhe u miratua edhe Rregullorja për Realizimin e të Drejtave të Fëmijëve Përmes Sistemit Qeverisës Komunal Miqësorë për Fëmijët.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi mbajti mbledhjen e radhës me drejtorët e drejtorive

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, mbajti mbledhjen e përjavshme me drejtorët e drejtorive, …