Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, ka deklaruar para trupit gjykues në Hagë se klienti i tij nuk ka vepruar për përfitim pushteti, por me motivin e çlirimit të popullit të tij. Sipas Roberts, Selimi nuk ka kërkuar poste autoritare dhe nuk ka synuar emërime në pozita drejtuese për interesa personale. Ai theksoi se edhe pas përfundimit të funksionimit të qeverisë së përkohshme, Selimi nuk ka kërkuar pushtet për vete, por ka vazhduar angazhimin si komandant në strukturat e TMK-së. Mbrojtja kundërshtoi pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar se udhëheqja e UÇK-së ka dhënë urdhra për ndalime të bashkëpunëtorëve, duke vlerësuar se këto pohime nuk mbështeten në prova të drejtpërdrejta dhe të verifikueshme. Roberts shtoi se nuk ekzistojnë dëshmi konkrete se kush i ka hartuar komunikatat e UÇK-së dhe se asnjë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm nuk ka konfirmuar se përmbajtja e tyre është diskutuar apo miratuar në mënyrë formale. Ai nënvizoi gjithashtu se për takimet e pretenduara të Shtabit të Përgjithshëm ka mungesë dokumentacioni zyrtar dhe boshllëqe të mëdha në prova, duke thënë se nuk mund të provohet përfshirja apo mbështetja e Selimit në veprimet e përmendura nga Prokuroria.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
