Me parakalimin me biçikleta dhe shpalljen e ambasadorëve të rinj të paqes, Federata e Paqes Universale shënoi aktivitetin “Udha e Paqes” në Ferizaj

Në sheshin “Ismail Kadare” u mblodhën një grup pasionantë të çiklizmit, të ftuar nga Federata e Paqes Universale në Ferizaj, për shënimin e aktivitetit “Udha e Paqes”. Me një fjalë rasti pas parakalimit me biçikleta, në ambientet e Teatrit, ngjarjen e përshëndeti Ambasadorja e Paqes, ish deputetja Mexhide Mjaku Topalli. Po kështu, në emër të Komunës së Ferizajt, të pranishmëve, me një fjalë përshëndetëse iu drejtua edhe Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi Bytyçi. Nga niveli qendror, përkatësisht nga Qendra në Prishtinë e Federatës së Paqes Universale, të pranishmëve iu drejtua, Binak Ulaj – Kryetar i FPU-së në Kosovë, gjersa një prezantim të aktiviteteve e rolit që ka Federata e Paqes Universale, e bëri sekretarja e përgjithshme, Ejona Icka. Në këtë ceremoni, Federata e Paqes Universale shpalli edhe tre ambasadorë të rinj, titull nderi ky që deri më tani i është ndarë personaliteteve të ndryshme për aktivizmin e tyre social, profesionql, vlerat njerëzore e familjare në 160 vende të botës. Ambasadorë të rinj të paqes nga Ferizaj u zgjodhën: Qëndrim Guri – çiklistë, pjesëmarrës në Olimpiadë, Nazmi Kupina, mjek stomatolog, aktivist social e pasionant i sportit të çiklizmit si dhe Albion Sherifi, aktivist social e politik, jurist i diplomuar. Aktiviteti i sotëm u mbyll me interpretimin muzikor të këngëtares së re, tejet të talentuar, Ertiola Ademi, shoqëruar në piano nga Leon Çerkini, nën organizimin e prof. Lindita Isufit. Federata për Paqen Universale u inaugurua më 12 shtator të vitit 2005, në Nju Jork në praninë e shumë kryetarëve të shteteve, aktual dhe të mëparshëm nga e gjithë bota, si edhe me praninë e figurave të tjera të larta ndërkombëtare. FPU ka seli të saj në 162 shtete. Në Kosovë FPU është themeluar në vitin 2008, dhe dega në Ferizaj në vitin 2019. Udha e Paqes( PEACE ROAD) është një ndër nismat ndërkombëtare të FPU që synon të promovojë Paqen përmes komunikimit dhe lëvizjes. Ajo bashkon njerëzit e qyteteve e kombeve të ndryshme nën idealin e krijimit të një familje të madhe botërore, përtej dallimeve racore, etnike , fetare dhe kombëtare. Kjo ngjarje e sotme u organizua nga Federata e Paqes Universale në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi në 25-vjetorin e rënies, ka nderuar kujtimin për luftëtarin e UÇK- së dhe dëshmorin e kombit, Sadri Fazli Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, bashku me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, në 25-vjetorin …