Me shumë aktivitete, Ferizaj shënon Ditën Botërore të Mjedisit

Me aktivitete të shumta pastrimi, vetëdijesimi dhe mbjellje të fidanëve edhe në Ferizaj është shënuar Dita Botërore e Mjedisit. Këtyre aktiviteteve i është bashkëngjitur edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i cili shoqëruar edhe nga drejtorë të drejtorive komunale, zyrtarë komunal si dhe përfaqësuesit e organizatës “Let’s Do It Kosova” për ta shënuar këtë ditë, kanë mbjellë simbolikisht 5 drunj dekorativ në parkun e qytetit, gjegjësisht në sheshin “Hyrë Emini” si simbolik e datës 5 qershor – Ditës Botërore të Mjedisit. Duke u shprehur se qeverisja lokale është e përkushtuar në kujdesin ndaj mjedisit përgjatë 365 ditëve të vitit Kryetari i Ferizajt, ftoi edhe qytetarët që të kujdesen për mjedisin e përbashkët duke mos e ndotur atë. “Falënderoj organizatën “Let’s Do It Kosova” që është pjesëmarrëse dhe së bashku me ne sot është këtu për të shënuar ditën e 5 Qershorit – Ditën Botërore të Mjedisit. Dua të përsëris diçka nga ajo që kam thënë në Ditën e Tokës, nga ajo që kam thënë në Ditën e Pranverës për ta thënë edhe sot se qeveria ime dhe platforma ime qeverisëse do t’i përkushtohet të gjelbërtës dhe mjedisit 365 ditë në vit. Pra, kjo është platforma jonë dhe ky është përkushtimi dhe vullneti ynë, i përhershëm që ne të jemi të kujdesshëm me politikat mjedisore dhe jo vetëm të krijojmë hapësira të gjelbërta, jo vetëm të krijojmë mjedise të pastërta por çdo ditë e më shumë duke parë këtë vullnet të të rinjve dhe të reja të Ferizajt dhe Kosovës, ta ndryshojmë Ferizajn dhe ta ndryshojmë Kosovën dhe të jetojmë në një ambient të pastër. Ne mund të jetojmë në një ambient të gjelbërt dhe të pastër vetëm me një unitet të tillë, përndryshe as si institucion, as si Komunë e Ferizajt as si ministri nuk mund të kemi një kujdes të përhershëm nëse nuk e kemi bashkëpunimin me qytetarët, andaj edhe sot është dita që të ftojmë edhe qytetarët që të jenë pjesë e 365 ditëshit tonë të angazhimit për mjedis të pastër dhe të gjelbër. Unë kam marr përgjegjësitë e mia që qytetarëve t’i siguroj sa më shumë hapësira të gjelbërta dhe mjedise të pastra, kjo përmes mbështetjes së fuqishme që kam dhënë për kompanitë publike që përkujdesen për këtë fushë. Si rezultat i kësaj, ditë më parë së bashku me kompaninë “Pastërtia” ne kemi fituar një grant prej afro 600,000€ në Garën për Mjedis të Pastër nga GIZ- gjerman dhe Ministria e Mjedisit për të cilat i falënderoj publikisht, shfrytëzim i këtij granti do të jetë në funksion të politikave tona mjedisore, gjegjësisht në ngritjen e kapaciteteve teknike të kompanive publike. Edhe njëherë urime Dita Botërore e Mjedisit dhe falënderoj edhe qytetarët dhe gjithë vullnetarët për angazhimin e tyre për një mjedis të pastër” tha Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu. Në anën tjetër, Besarta Gashi nga “Let’s Do It Kosova” duke falënderuar Kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu për pjesëmarrje në këtë aktivitet vuri theksin tek nevoja e vetëdijesimit të mëtutjeshëm të qytetarëve anembanë vendit për mbrojtjen e mjedisit. “Neve jemi shumë krenar që aktivitete të tilla po ndodhin paralelisht pothuajse në të gjitha Komunat e Kosovës dhe kemi zgjedhur sot të jemi këtu në Ferizaj, një komunë padyshim shembull në angazhimin për një ambient të bukur dhe të pastër. Përgëzoj kryetarin, gjithë qytetarët dhe gjithë ata që kontribuojnë për një ambient të pastër sepse kjo është fotografia jonë në raport me botën dhe gjithë ata që vijnë dhe vizitojnë qytetet tona” tha Gashi. Gjatë ditës, në shënim të kësaj dite që nga orët e hershme të mëngjesit janë organizuar edhe një varg aktivitetesh nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, ndër to vendosja e kontenierëve në sheshin e qytetit, eliminimi i deponive ilegale, mbjellja e drunjve dekorativ në disa pjesë të qytetit, pastrimi i vijës hekurudhore në zonën qendër, ku të angazhuar ishin klubet e gjelbërta nga shkollat e qytetit dhe nxënës nga të gjitha shkollat e Komunës së Ferizajt, nën asistimin edhe të punonjësve të kompanive publike KRM “Pastërtia” si dhe “Ambienti”, për kontributin e së cilëve, Komuna e Ferizajt i falënderon publikisht.

Kontrolloni gjithashtu

Me ftesë të kryetarit Kastrati udhëheqja e komunës së Meyrinit (Zvicër) po qëndron në Malishevë

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, një delegacioni i komunës së …