Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Aty ku injoranca çmohet si mençuri!

Fatkeqësisht, në kohët e sotme të shoqërive moderne me demokraci të avancuar, sikur kanë ngatërruar parimin e vlerave të mirëfillta dhe po shesin sapunin për samun! A do të thotë kjo që rendi demokratik i shoqërisë lejon sjellje kaq të papërgjegjshme, madje cili është koeficienti i kulturës ku peshohen këto sjelljeje, kur në pikë dite shahen, fyhen dhe kërcënohen intelektualë, akademikë, elitarë, pushtetarë, ushtarë të lirisë, atdhetarë e qytetarë të tjerë që në rrugëtimin e tyre, të paktën janë munduar të lënë gjurmë në shërbim të atdheut.

Si kundërmasë e gjithë këtij rrugëtimin, ata sot stigmatizohen nga injorantë, rrugaçë dhe kusarë të tërë. Stigmatizohen e shpifen nga portale të caktuara, me papërgjegjësitë e tyre para fjalës së thënë publike, pa e vërtetuar burimin e tyre, në stilin: “ Kush shanë më shumë Presidentin, Kryeministrin, Ministrin, Akademikun, Luftëtarin, Atdhetarin etj, aty i epet hapësirë edhe më shumë për të sharë!”, dhe atë për çdo ditë!…

Pyetja më e thjeshtë që mund të shtrohet në këto raste, që kanë kaluar në pasion e ves është: Cilës vegël po i bie ligji aktual i Kosovës, në mos këto portale janë krijuar që të shajnë kë të duan, kur të duan, si të duan, madje këto shajnë edhe ligjin?!

Në një rend shoqëror, qoftë ai edhe në fazat më të vrazhdët të tranzicionit të tij, ku injoranca dhe arroganca çmohet si vlerë e virtyt,  është e rëndë për të thënë, por kemi të bëjmë me një atavizëm gjenetik mbase. Shtrohet pyetja prej nga gjithë ky mllef kundër vlerave, prej nga gjithë kjo urrejtje, prej nga gjithë kjo shthurje kur kujtojmë se edhe në kohët më të rënda të pushtimit, ne si popull dhe shoqëri, nuk kemi rënë pre e yshtjeve të pushtuesit dhe me vendosmëri e ndërgjegje, kemi mbrojtur bijtë dhe atdheun. Nuk e kemi sharë atë, nuk kemi lejuar që të tjerët të na i shajnë në asnjë rrethanë.

Përditshmëria e sharjeve që lexon në portalet të caktuara, janë nga më të “larmishmet” si: mbi baza partiake, mbi baza elitare, politike, filozofike, profesionale, idealiste, materialiste, akademike, me plotë lokalizma e barbarizma të kohëve Bizantine etj. Kjo sjellje arrogante dhe rrugaçërie më së paku i bënë nder shoqërisë sonë, ky është mjerim që nuk kapërdihet, po përjetojmë kohën kur një rrugaçi i epet hapësirë për të sharë shanë një Akademik!…

Sjellje e ulët kjo e mbështetur mbi fuqinë e goditjes, që tregon varfërinë e një mentalitetit hakmarrës të një kaste injorantesh të shoqërive në tranzicion, nga njëra anë, dhe pasqyrën e shoqërisë që në pamundësi të veprimit të ligjit,  plaga e ndërgjegjes së saj po kullon gjak!, kjo nuk i bënë nder shoqërisë dhe kombit tonë, madje aq më pak këtyre portaleve që krijojnë hapësira për jashtëqitje të rrugaçërisë sonë.

Mendoj së kjo kastë e shoqërisë me këto sjellje arrogante, pretendon të tregoj epërsinë, duke demonstruar dhunë e kërcenim, përderisa atyre u mungon ana njerëzore e gjykimit, siç është potenciali i ngritjes intelektuale, mënyra e të shprehurit, mënyra e dëgjimit dhe argumentimit të çështjeve madhore etj.

Nuk jam hamendur asnjëherë nga tundimi se; duke u ngritur vetëdija jonë kombëtare, do të ngritët edhe nivelit intelektual i shoqërisë sonë, pa varësisht stërkeqjes së të ligjve nëpër këmbët tona. Besoj se me kohë dhe në kohë, do të përmirësohet edhe statusi ynë brenda shoqërisë së civilizuar të këtij globi. Padyshim, përballë shoqërive tjera edhe ne do të paraqitemi dinjitetshëm, por kjo do zgjas për aq kohë sa të kuptojmë qëllimin e arrogancës së shtresës së të papërmirësueshmëve (për me keq, nëse atyre ende u epet hapësirë), gjendja jonë nuk do të ndryshoj me hapat e pritur.

Akademikët dhe Elita jonë kombëtare, nuk duhet të mbesin monedhë kusuritjeje në gojën e injorantëve që të vetmin mjet shprehjeje kanë sharjet , fyerjet dhe kërcënimet. Shumë e ultë kjo, kujtoj se fanatikët e ngjyrimeve të sotme dhe të djeshme politike,  gjithmonë kanë vepruar nëpër kohë sipas interesit e lakmisë: sot lavdërojnë e nesër shajnë edhe të zotin e shtëpisë!…

Në asnjë mënyrë, nuk do të kisha preferuar këtë që e ka thënë pushtuesi ynë shekullor: “Vetëm shqiptarët e vdekur janë të pranueshëm!”… A thua çka do të thoshit ju rrugaçë të pacipë, sikur të ishin gjallë: Tahir e Nebih Meha, Adem, Hamëz e Shaban Jashari, Zahir Pajaziti, Adrian e Mujë Krasniqi, Luan e Shkëlzen Haradinaj etj. për Adem Demaçin dhe Ukshin Hotin kemi dëgjuar sa ishin ata gjallë!… Të jetë e vërtetë vallë, se me këtë gjuhë kanë folur dikur edhe rrugaçët e asaj kohe (sikur të sotmit), kundër Abdyl Frashërit, Haxhi Zekës, Isa Boletinit, Bajram Currit, Avni Rrustemit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit etj.

Po, fatkeqësisht; rrugaçët e djeshëm kanë vrarë figurat e ndritshme të kombit tonë me plumb si Luigjin, Currin, Prishtinën e Avniun!… Në fakt; rrugaçët e sotëm po i vrasin ata me sharje, fyerje dhe zbrazjeje…

Ka një përjashtim të “vogël” këtu: atë kohë, nuk ka pasur portale ku rrugaçëria e asaj kohe të jetë pjesë e përditshmërisë së shfryrjeve kundër figurave kombëtare dhe intelektuale të kombit.

Me gjithë shpirt, uroj që më në fund të shfaqet dikush dhe të na dëshmoj: se çka pritet nga një shoqëritë ku injoranca çmohet si mençuri, makutëria si virtyt, grabitja si zotësi, cubnia si trimëri, anarkia si rregull, arroganca si rend, imoraliteti si normë, pabesia si shkathtësi, hipokrizia si çiltërsi, yshtja, shpifja dhe shantazhimi si normë e mision!

Besimtari do thoshte:  e paça gabim, amen!

Një rrugaç merr guximin dhe shanë një Akademik!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …