leoni

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Ngjyrat e jetës

Në kullën e vjetër, aty ku jemi rritur, aty kemi fjetur dhe kemi ngrënë një copë bukë me kripë. Po, ne ishim të vegjël atë botë, flinim në odën e madhe, ku tymi i duhanit që pinin të mëdhenjtë dhe mysafirët ta zinte fytin. Tym ky, që u kishte dhënë trarëve të odës, një ngjyrë  nikotine të pa krahasueshme me ndonjë ngjyrë tjetër, dëshmi kjo e një kohe ku mbyteshin hallet në ambiente të mbyllura me çaj e duhan, dhe së bashku me peshën e halleve,  mbytej edhe shëndeti ynë, përderisa sa, ne u rritëm dhe u burrëruam për të ikur nga aty, për të marrë rrugët e reja, për të ndryshuar kahen dhe ngjyrat e jetës!

Dhe kush qante kokën se, ne, kur do rriteshim çfarë do bëheshim, fatin duhej marrë vet mbi supe, si të rinj që ishim, me frikën e vrasjes së ndërgjegjes, me ankth të pakrahasueshëm për fatin e mëtejmë se ku do arrinim e ku do të mbaronim, me pasiguri në jetë, në shkollim, në punësim, në të shprehur, në paraqitje. Me dashuri të parealizuara, braktisura e vrara nga myku i kohës së vrazhdë, më frikën se po vrisnim traditën konservatore që po na rrethonte si tërkuzë e vjetër mbështjellë nëpër këmbët tona, me dhjetëra dëshira mbetur peng e të parealizuara, me ëndrrën e madhe në gj për ditë më të lumtura!

Po, ishin kohë të vrazhda ato, hapat që do merrnim për të kundërshtuar levën e pushtuesit, ishin një kapitull me vete, kapitull të cilit po i printe elita e kombit. Elitë kjo, që duhej hapur rrugën e para, rrugë të cilat i kishin nisur që moti tribunët tanë popullor. Pa dyshim për të kaluar nëpër ato rrugë; pasonin arrestime, burgje dhe dënime drakonike, në mos arratisje e degdisje gjithandej rrugëve të Evropës dhe botës së madhe e cila kishte mbyllur njërin sy, dhe të dy veshët!, dhe bënte sikur nuk po shihte shkeljet e të drejtave të njeriut, që po i bënte ish pushtuesi Serbo- Jugosllav i cili bëri ploje gjaku mbi popujt jo serb në ish Jugosllavi, në veçanti mbi shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët, deri në përmasa gjenocidi!…

Megjithatë, kjo nuk ishte e tëra, kohëzgjatja që përfundoi me një fund përgjakjeje tragjike e nuk vazhdojë më tej, me një tragjedi të pafundme shekullore, zbrazur me aq mllef mbi popullin shqiptarë. Edhe ne, me gjakun e derdhur për liri, morëm të drejtën të frymojmë pak më lirshëm, por kjo nuk do të thotë edhe të shthuremi e të hallakatemi nga mëndet e kokës e të mohojmë çdo gjë që lidhet me çlirimin e Kosovës, me çlirimtarët, në veçanti të mohojmë ata që lanë kokën në altarin e lirisë për ty, për mua, për të gjithë ne, për atdhe!…

E rëndë kjo sjellje e paedukatë, e rëndë kjo ngërdheshje, e rëndë kjo mbrapa mbetje që mund të identifikohet vetëm në meset e shoqërive primitive, ku hanë kokat e njeri-tjetrit, dhe në të ngrënë e sipër përjargën e zgërdhihen- kështu na qenka kjo botë, për fat a fatkeqësi; çdo popull ka mbeturinat e veta, prandaj nuk bëjmë përjashtim as ne!…

Për fatin tonë: ne që adhuronim ikonat e lirisë sonë kombëtare, nuk ushqeheshim vetëm me iluzione të çastit, por synonim në ato të perspektivës, nuk ishte dëshira jonë për të qenë vetëm si dëshmitarë të historisë sonë të përvuajtur, për më shumë se kaq, ne, synonim për të qenë personazhe dhe protaganist me besimin e madhe se edhe ne, do ta bënim historinë- siç e bënë Ademi, Hamza, Shabani, Zahiri, Edmondi, Luani, Shkëlzeni, Muji, Adriani, Xheva, Fehmiu e qindra dëshmorë tjerë, para të cilëve populli ynë duhet të përkulet përjetësisht.

Kjo gatishmëri u vërtetua katërçipërisht anë e mbanë atdheut, më shumë se njëherë, me qindra të rinj e të reja, me pushkët e lirisë krahut i vunë vulën historisë sonë më të re.

Tani edhe sot, ne, duhet ta bëjmë historinë e kohës bashkëkohore të cilën na e shtron nevoja imediate. Ne, si pjesëtarë të këtij globi, botën e madhe duhet ta shohim dhe ta jetojmë si të tjerët; të lirë e me mundësi të barabarta si gjithë njerëzimi. Pyetja e vetme që mund të shtrohet është: si duken këto personazhe që bëjnë historinë sot?!

Fare thjeshtë: të përkushtuar, modest, të afërt me popullin në nevojë, të përpiktë në zbatimin e ligjit, në ruajtjen e rendit dhe shtetit. Të pa kompromis me të gjithë ata, që me veprat e tyre të pamira vrasin imazhin e shtetit, kaq dhe vetëm kaq, në fakt, jo si deri tani, jo, JO!…

28-12-2020

Kontrolloni gjithashtu

Posta e Kosovës ka emërtuar pullën postare me portretet e heronjve ë kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në 29 vjetorin e rënies

Mehmet Bislimi: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

 (në 35 vjetorin e rënies së tyre heroike) Sa herë që vjen nëntori, malli më …