Mehmet Bislimi: Tahir Meha ( 1943 - 1981)

Mehmet Bislimi: Pushkët e Lirisë në vitin 1981

(Me rastin e dyzetë vjetorit të rënies heroike të Tahir e Nebih Mehës!)

Dyzetë vite që flasin vet, pa pasur nevojë të flasim ne! Po, që mbi një shekull, kjo vatër lirie e rezistence, pushtuesit i tha pareshtur:
“Unë jam këtu denbabaden, këtu jam e këtu kam qenë, e këtu do të jam përherë, derisa mali të bëhet hi e hiri mal përsëri!… Këtu ku i thonë Shqipnisë- Shqipni, nuk lejojmë këmbë pushtuesi me hy, jo asnjëherë!… Ooo ju bijtë tanë; legjendë e legjendave, anë e mbanë në tokat shqiptarë, lagur me gjak lirie pëllëmbë për pëllëmbë!
Kombi ju mbanë në gji, pa juve nuk do fliste me kaq zë kjo histori, ju jeni krenaria jonë kombëtare, jeni historia e motit, të gjithë ju flamurtar lirie, ju bijtë e Kastriotit, jeni krenaria e kombit- ju emblema e lirisë, ju djem të përflakur të vegjëlisë- ju jeni nderi dhe emri ynë!…
Që nga Meha i parë, në vazhdim Emin Lati, Nebih, Tahiri e Beqir Meha, Mehajt tjerë në përgjithësi populli ynë liridashës, me pushtuesin u panë për mes grykës së pushkëve të lirisë – sot dyzet vjet, Tahiri dhe Nebihu, historisë çlirimtare i dhanë edhe emrin e vet!…

13 maji, ishte dita e milicisë së ish pushtuesit Jugosllav, Tahir e Nebih Meha, vranë me pushkët çlirimtare, para së gjithash namin e ish pushtuesit. Tahir Mehës, 13 majin e shndërrojë në ditë kushtrimi për liri. Ishte kjo pothuaj pushka e parë kaq e zëshme pas Luftës së Dytë Botërore, që u shkrep hapur e publikisht kundër pushtuesit jugosllav nga një shqiptar bujar e atdhedashës siç ishte Tahir Meha i Prekazit me babanë e vet, Nebihun!

Pushka e Tahir e Nebih Mehës (babë e bir), vrau 13 majin e pushtuesit dhe ngriti një 13 maj shqiptar me heroizëm e kushtrim për luftë të pa kompromis kundër të gjithë atyre që kishin shkelur tokat ton. Kushtrimi i pushkës së Tahir e Nebih  Mehës, më vonë lidhi në kushtrim gjithëpërfshirës  pushkët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilat quan në vend amanetin e Tahirit dhe të qindra dëshmorëve tjerë të rënë për liri e bashkim kombëtar…
Sa shpejt ikën vitet, por kujtimi për heronjtë  mbetet i freskët, sikur të kishte ndodhur sot… Ne kujtojmë, dhe duhet të kujtojmë përgjithmonë heronjtë tanë kombëtar, ata dhanë gjithçka për atdheun, madje edhe jetën!, prandaj është detyrë jona që emrin e tyre ta mbajmë lartë e më lartë  në zemër të atdheut. Ishte 13 maji i vitit 1981, atë pranverë e tërë Kosova ishte ngritur në këmbë dhe po kërkonte lirinë e vet, të drejtat e veta që shkeleshin me këmbë nga pushtuesi serb. Rënia e qindra të rinjve në zemër të Kosovës për lirinë dhe të drejtat tona të patjetërsueshme , ngriti në këmbë mijëra atdhedashës, si; djem e vajza, nxënës, studentë, intelektual, punëtorë, të rinj e të moshuar- ata së bashku me zërin e tyre të fuqishëm  tundën përgjithmonë themelet e ish Jugosllavisë pushtuese!

Tahir Meha (10 tetor 1943 – 13 maj 1981)

Tahir Meha ishte fortifikuar në kullën e vet, si dikur Oso Kuka, dhe po priste momentin e duhur për t’i treguar pushtuesit jugosllav se tokat shqiptare kanë të zot e vet! Qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, ditën e 13 majit i bëri të qartë pushtuesit serb se këtu është taka e bijve të shqipes!… … Na ishte një herë një 13 maj (dita e themelimit të milicisë jugosllave). UDB-ja, dëshironte që këtë festë ta shënonte si fitimtare, duke e arrestuar dhe nënshtruar Tahirin e shumë kërkuar për ta dërguar atë më pas në Beograd, si trofe për triumfin mbi rebelimin e shqiptarëve të “padëgjueshëm”. Pushtuesi kishte planifikuar lavdinë e këtij aksioni që do të forconte imazhin e njësitit special të milicisë së UDB-së- dhe KOS-it, që do të festohej më pastaj në qarqet e atjeshme serbe, se më në fund e zumë edhe Tahir Mehën të gjallë!… Jo, kjo nuk kishte si të ndodhte, ngase Tahir Meha nuk po flinte, nuk kishte fjetur as Meha i parë, as gjyshi i tij Emin Lati, nuk kishin fjetur as mijëra atdhedashës si Milush Kopiliqi, Gjergj Kastrioti, Zaharia Gropas, Oso Kuka, Abdyl Frashëri, Mic Sokoli, Bajram Curri, Azem e Shotë Galica, Rrapo Hekali, Zenel Gjleka, Shpend Dragobia, Qerqiz e Bajo Topulli, Ismail Qemali e shumë të tjerë. Të gjithë ne, së bashku, mbështjellë fort rreth palcës e kombit, bëmë që zëri i shqiptarit të ndihet deri atje ku puthitet qielli me tokën se ne duam lirinë dhe bashkimin e atdheut tonë!

Në këtë kontekst, Tahir Meha kishte bërë syrin pishë dhe gjoksin digë për t’i matur me pushtuesin. Madhështia e asaj pranverë të lulëkuqeve të Kosovës. Pa dyshim se ishte dhe mbeti vepra heroike e Tahir dhe Nebih Mehës më familjen e tij.
Pushka liridashës e Tahir Mehës, pa dyshim se mori haraçin e vet, mirëpo nuk kishte si të bëhej ndryshe; nuk ka  liri pa gjak!, kjo u vërtetua më vonë katërçipërisht. Kushtrimi i pushkës së lirisë të Tahir Mehës, më vonë i lidhi në kushtrim gjithëpërfshirës pushkët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prirë nga Komandanti ynë legjendar Adem Jashari, të cilat quan në vend amanetin e Tahirit dhe të qindra dëshmorëve tjerë të kombit tonë.

Emin Lati, Nebih, Tahir dhe Beqir Meha.
(tri gjenerata)

Qëndresa e Tahirit, bëri të ditur edhe njëherë se me pushtuesin nuk ka zgjidhje tjetër, dhe kjo zgjidhje e imponuar ishte lufta për liri. Tahiri nuk e bëri luftën për emër e nam, për këngë e histori, ngase emrin, namin, këngën dhe historinë e kishte në themelet e kullës së tij. Gjyshi i tij Emin Lati – Meha, ishte bashkëluftëtar i Azem Bejtë Galicës, babai i tij Nebihu ishte, bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës, vëllai i Tahirit Beqir Meha, ishte i përndjekur politik, më vonë rreshtuar në radhët e UÇK-së. Beqiri, luftoi edhe në emër të të vëllait Tahirit, dhe në emër të babait Nebihut edhe në emër të Gjyshit Eminit, ai ishte bashkëluftëtarë i denjë i Komandantit Legjendarë Adem Jasharit. Edhe Beqir Meha, si gjyshi i tij, babai dhe vëllai i tij, luftoi dhe ra për liri me pushkën në dorë, dhe nuk kishte si të ndodhet ndryshe:  tre breza heronjsh, a ka diçka më madhështore, diçka më hyjnore, diçka më fisnike ; në altarin e lirisë së atdheut u flijuan tre breza me radhë;

Gjyshi Emini, babai Nebihu, vëllai Tahiri dhe vet Beqiri!
Gjyshi, i ati dhe i biri – Lavdi e përjetshme!

13.5.2021

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – XII

-130- Konfidenciale Kërkesë e ambasadorit jugosllav për Z. Bullard,  23 dhjetor 1981 Kërkesa e Z. …