Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjëherë kontakt apo komunikim me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) dhe se një bashkëpunim i mundshëm për formimin e qeverisë është tërësisht i përjashtuar. “Nuk kam kurrfarë kontakti as komunikimi me Vetëvendosjen. Nuk pres kurrfarë kërkese, por po e them përmes jush: kot e dërgon kërkesën, sepse për këtë çështje as që e diskutojmë me Albin Kurtin çfarëdo lloj qeverie në çfarëdo opsioni. Qëndrimet tona janë konsistente që nga 10 shkurti, siç e ka thënë edhe Bedri Hamza”, tha Krasniqi në konferencën për media. Duke folur për procesin e formimit të qeverisë, Krasniqi theksoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk i ka numrat e nevojshëm për të krijuar kabinetin e ri, ndonëse i kanë mbetur edhe 11 ditë për ta provuar. “Kurti e ka pranuar mandatin nga presidentja, i ka edhe 11 ditë për me provu me bo qeverinë. Jam i bindur, siç kam qenë gjithmonë, që s’ka numra. Pas ezaurimit të kësaj faze, pason prova e dytë dhe më pas, nëse dështon, zgjedhjet janë të pashmangshme”, deklaroi ai. Sipas kreut të PDK-së, afatet kushtetuese e bëjnë të mundur që zgjedhjet e reja të mbahen ndërmjet datave 30 nëntor dhe 14 dhjetor, me gjasë më 7 dhjetor, nëse procesi aktual nuk prodhon qeveri funksionale.
