Milaim Isë Salihaj (6.5.1962 - 29.8.1998)

Milaim Isë Salihaj (6.5.1962 – 29.8.1998)

Dëshmori Milaim Salihaj ka lindur më 6 maj të vitit 1962, në Shushicë të Poshtme të komunës së Burimit. Ai ishte fëmija i gjashtë i Isë dhe Kadë Salihaj. Tetë vëllezërit dhe motrat e tij, Shabani (dëshmor), Uka, Ganiu, Hava, Sefedini, Milazimi, Fatmushi dhe Abedini (dëshmor) ishin tetë fijet e jetës së Milaimit, pa të cilat ajo do të kishte tjetër kuptim.
Milaimi kryen shkollën fillore në Shushicë të Epërme e në Rakosh dhe ky nivel i shkollimit i mjafton sa për të kuptuar drejt ligjin e luftës për liri. Kushtet familjare nuk ia mundësojnë ta vazhdojë shkollën e mesme, prandaj kur arrin moshën për të qenë krah pune, u bashkohet babait, Isës dhe vëllezërve më të mëdhenj, të cilët merren me punë ndërtimtarie. Në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, disa kohë punon edhe në vendet perëndimore, në Gjermani dhe Austri.
Sikurse edhe vëllezërit e tjerë, edhe Milaimi përcjell traditën e dashurisë për gjueti, prandaj sa herë që kishte kohë, në stinën e dimrit shkonte për gjah.
Me bashkëshorten, Igballen, kishte krijuar bashkëshortësi të frytshme e të harmonishme. Pesë fëmijëve të tyre ua vëjnë emrat kuptimplotë: Besnik, Besartë, Blerinë, Bashkim dhe Shotë. Këta pesë emra simbolikë për Milaimin përbënin yllin pesëcepësh të gëzimit familjar e të lirisë së ëndërruar për atdheun e robëruar.
Dëshmori Milaim Salihaj, i ndikuar nga tradita familjare e sidomos nga vëllai i madh, Shabani, nuk mund të qëndronte indiferent para dhunës dhe përsekutimit të popullit shqiptar në Kosovë nga soldateska okupatore e Serbisë. Terrori i sforcuar serb i ushtruar pas vitit 1981 e sidomos gjatë viteve 90 të shekullit të kaluar, e shton deri në kulm pezmin dhe urrejtjen e Milaimit kundër pushtuesit. Prandaj lindjen e Ushtrisë Çliririmtare të Kosovës, në vitin 1997 edhe ai e përjeton si rilindje të shpresës për lirinë e Kosovës. Milaimi kishte vendosur pa hezitim ta ndihmonte luftën çlirimtare, sepse vetëm ajo do t’ua sillte pesë fëmijëve të tij dhe gjithë fëmijëve të Kosovës lirinë e ëndërruar.
Në pranverë të vitit 1998, kur tashmë në Drenicën e Adem Jasharit UÇK-ja po luftonte me heroizëm kundër forcave pushtuese serbe, vëllai i Milaimit, Shabani, ngarkohet me detyra të caktuara për furnizim me armatim dhe për shtrirjen e organizimit të njësiteve të UÇK-së në trevën veriperëndimore të trevës së Drenicës, përkatësisht në fshatrat e rrethit të Rakoshit, Shushicë e Epërme dhe e Poshtme, Bollopojë, Rakosh, Zhakovë e të tjera. Në mbështetje të tij ishte edhe i nipi, Nazmi Gashi nga Vojniku i Skënderajt. Ndërkohë, mbështetje e Shabanit në misionin e tij u bë edhe vëllai, Milaimi, i cili do të kryejë me përgjegjësi detyrat që i ngarkohen për bartjen e armatimit të ardhur nga Shqipëria, prej shtëpisë së tij në Shushicë të Poshtme për në zonën e Drenicës. Një sasi armatimi, Shabani dhe Nazmi Gashi me bashkëluftëtarë e kishin sjellur nga Shqipëria edhe në muajin korrik të vitit 1998.
Milaimi ishte prapavijë mbështetëse e të vëllait, Shabanit, edhe në aksionet që ai kishte kryer ndërkohë kundër patrullave policore serbe të postës së Rakoshit që kishin ushtruar dhunë të tmerrshme ndaj popullatës shqiptare të kësaj treve.
Aktiviteti luftarak i Shabanit dhe vëllezërve të tij bie në sy të forcave serbe, prandaj ato bëjnë planin për kapjen e tyre. Ato e dinin se shtëpia e vëllezërve Salihaj në Shushicë të Poshtme ishte bërë çerdhe e UÇK-së, prandaj në mëngjesin e hershëm të datës 29 gusht të vitit 1998, e sulmojnë këtë shtëpi, pasi gjatë natës e kishin rrethuar në mënyrë të hekurt.
Në momentin e sulmit të armatosur, i rrethuar në shtëpi gjendet edhe dëshmori Milaim Salihaj. Zjarrit sulmues i kundërpërgjigjen edhe meshkujt e familjes së Isë Salihajt. Nën dufin e këtij zjarri numërojnë minutat e jetës edhe pleq, gra e fëmijë të kësaj familjeje. Luftimet zgjasin disa orë, derisa armët në duart e trimave pushuan së shkrepuri.
Në këtë duf luftimesh, të padorëzuar e të papërkulur në amshim hyjnë: i zoti i shtëpisë Isë Salihaj me djemtë: Shabanin, Milaimin e Abedinin; m e bijtë e bijve: Arbenin, Hysniun e Hysenin, si dhe me birin e vajzës, Nazmi Gashi nga Vojniku. Kishte rënë edhe reja e madhe e Isës, gruaja e Shabanit, Fatimja.
Të nesërmen, trupi i Milaimit dhe të rënët e tjerë të familjes Salihaj u varrosën në këndin e livadhit pranë zabelit, jo larg shtëpisë ku ishin rrethuar. Për respekt të sakrificës së treguar dhe në shenjë kujtimi për të rënët, afër rrugës së asfaltuar Mitrovicë-Pejë, te vendi ku ndahet rruga për në Shushicë të Poshtme, është ngritur përmendorja e lavdisë. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …