Pse Kosova duhet të investojë në “Patriotizmin Shtetformues” të Rinisë
*Në kohën e fundit, e sidomos në fushata zgjedhore, një narrativë e re po zë vend në diskursin publik të Kosovës: ideja se gjeneratat e lindura pas vitit 1999 janë të zhveshura nga idealet e larta dhe se busulla e tyre e vetme është mirëqenia materiale. Sipas këtij këndvështrimi, vlerat e Luftës Çlirimtare (UÇK-së) dhe sakrifica për shtetësinë janë zëvendësuar me nevojën e punësimit, suksesit në biznes dhe ëndrrës për migrim.
Ndonëse dëshira për një jetë më të mirë është legjitime dhe shenjë e një shoqërie që synon normalitetin, injorimi i bazamentit historik mbi të cilin ngrihet ky shtet është një rrezik strategjik. Në një mjedis gjeopolitik ku Serbia ende nuk e njeh realitetin e Kosovës dhe shfrytëzon çdo mundësi për destabilizim, dobësimi i ndjenjës kombëtare te rinia nuk është thjesht çështje nostalgjie, por çështje e sigurisë kombëtare.
*Mirëqenja dhe siguria!
Gabimi kryesor i politikëbërësve dhe medieve është trajtimi i këtyre dy sferave si të ndara. Një i ri që nuk e njeh çmimin e lirisë dhe rrugëtimin e vështirë të shtetformimit, e ka më të lehtë ta shohë shtetin thjesht si një “shërbim ofiçarie” apo “agjenci punësimi”. Kur shteti dështon t’i ofrojë punë, ai humb lidhjen me të. Por, kur rinia edukohet se shteti është trashëgimi e fituar me gjak dhe përpjekje titanike, mbrojtja dhe ndërtimi i tij kthehen në mision moral, jo vetëm kontraktual.
*Roli i Kurrikulave Shkollore! (Historia si Mbrojtje)
Qeveria duhet të ndërhyjë urgjentisht në sistemin arsimor. Historia e UÇK-së dhe procesi i pavarësisë nuk mund të mbeten vetëm si data ceremoniale apo paragrafe të shkurtra. Ato duhet të strukturohen në kurrikula që nxisin analizën kritike dhe krenarinë kombëtare.
Vizitat studimore në vendbeteja, në varreza të dëshmorëve, në ve det e masakra e si Reçak,Meje,Krushë, Izbicë, Makovc, Obri etj, pastaj vizita Memorialeve si ai i Jasharëve në Prekaz, Kullat në Gllogjan e Orllan, Shkronjat e UÇK-së në Gjylekar, Visoqë, Ngucat etj. duhet të jenë pjesë obligative e rritjes intelektuale të çdo nxënësi.
*Edukimi qytetar dhe mbrojtja: Rinia duhet të mësojë se patriotizmi modern nënkupton pagimin e tatimeve, sundimin e ligjit, mos blerjen e produkteve serbe, por edhe gatishmërinë për të kontribuar në sigurinë e vendit nëse ajo kërcënohet.
*Mediet dhe dekonstruktimi i narrativave të huaja!
Mediet kanë një rol kyç në luftimin e defetizmit. Në vend të portretizimit të rinisë vetëm si konsumatorë të kulturës globale, duhet të promovohen tregime suksesi ku biznesi dhe inovacioni lidhen me forcimin e shtetit të Kosovës. Narrativa se “këtu nuk bëhet asgjë” shpesh ushqehet nga qarqet që duan ta shohin Kosovën si një projekt të dështuar.
*Patriotizmi si motor i zhvillimit!
Nuk ka kontradiktë mes të qenit patriot dhe të qenit i suksesshëm në biznes. Përkundrazi, patriotizmi më i lartë sot është ndërtimi i fabrikave, krijimi i vendeve të punës dhe eksporti i produkteve “Made in Kosovo”. Por, që kjo të ndodhë, i riu duhet të ketë një lidhje emocionale me tokën e tij. Nëse Serbia pret rastin për invazion apo çrregullim, arma jonë më e fortë nuk është vetëm ushtria e policia (Njësitë e veçanta), por një rini e vetëdijshme që e di saktësisht se çfarë ka për të humbur.
Përfundim
Kosova nuk guxon t’ua lërë edukimin e rinisë rastësisë apo rrjeteve sociale. Një komb që harron rrugën e tij drejt lirisë, rrezikon ta humbasë atë rrugë në të ardhmen. Integrimi i historisë sonë sublime në mendjen e secilit të ri është garancia më e mirë që, pavarësisht sfidave ekonomike, themelet e Republikës do të mbeten të paprekshme. Rinia duhet ta kuptojë se liria që gëzojnë sot për të bërë biznes e karrierë, është mbjellë nga ata që sakrifikuan gjithçka.
P.S.Ky shkrim shpresoj të nxitë debatin mbi nevojën e reformës arsimore dhe kulturore në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
