Milan Sufflay

Milan Shuflaj (1879-1931) albanologu i shquar kroat dhe miku i madh i shqiptarëve

Në mesin e albanologëve të huaj gjermanë, austriakë, anglezë, francezë e të tjerë shquhet edhe albanologu i mirënjohur dhe miku i madh i çështjes Kombëtare shqiptare, Milan Shiflaj nga Kroacia.  Ai ka lindur në vitin 1879, në Lepoglavë të Kroacisë. Shkollën fillore e kishte mbaruar  në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku ishte dalluar dhe ishte maturuar  si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij.  Më pas Studioi shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit. Doktoroi në vitin 1901. Menjëherë pas doktoratës, Shuflaj i futet punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare dalmatinase për “Codex Diplomaticus”.

Këtu ishin kontaktet e para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe të pa  hulumtuar fare, që i takonte Shqipërisë. Në vitin 1902, Shuflaj mbron me sukses provimin për profesor në shkencat ndihmëse të historisë, në Universitetin e Zagrebit. Në vitet 1902-1903 specializohet në Vjenë, në “Österreichische Institut für Geschichtsforschung”, në fushat e paleografisë latine, diplomacisë, kronologjisë dhe notariatin, te profesorët O. Redlicha dhe A. Dopscha.

Në këtë vit, regjistron te prof. K. Jireçeku “Studimet albanologjike në Kolegjin e Vjenës”, të cilat nuk ka arritur t’i përfundojë. Në vitet 1904-1908, dr. Shuflaj punon si asistent në bibliotekën kombëtare “Szeczeny” të Budapestit. Këtu thellon njohuritë në fushën e ballkanologjisë dhe sidomos albanologjisë. Vendos kontakte të shumta me intelektualë dhe shkencëtarë me famë botërore, kontakte këto që do t’i shfrytëzojë më vonë, gjatë gjithë punës së tij shkencore.

Në Budapest, Shuflaj botoi në revista dhe gazeta të ndryshme një numër të madh punimesh shkencore me vlera të jashtëzakonshme. Në revistën “Szazdok” boton dy punime për mesjetën kroate, ku me argumente shkencore tregon se dokumentet e Rabit të shekullit XI dhe XII, për Mbretin kroat Zvonimir, ishin falsifikat. Kjo gjë më vonë do t’i kushtojë shumë, sepse do të shpallet tradhtar i popullit kroat, dhe studentët e tij do t’ia bojkotojnë leksionet! Në vitin 1908 emërohet profesor i rregullt për shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Së bashku me Talocin dhe Jireçekun, në vitin 1913 dhe 1918, boton në dy vëllime kryeveprën “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. Në vitin 1918, me kërkesën e tij pensionohet, e pastaj boton pjesën e tretë të Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar ta shkruante në tetë vëllime, me titull: “Die kirchenzustände im vortürkischen Albanien.

Die ortodoxe Durchbruchszone im katolischen Damme”, për të vazhduar, pastaj në vitin 1920 me romanin me temë nga mesjeta shqiptare, “Konstantin Balsha”, të firmosur me pseudonimin Alba Limi. Në dhjetor të vitit 1920, burgoset. Dënohet me tre vjet e gjysmë burg, të cilat i bën në Mitrovicën e Sremit. Në vitin 1925 boton studimin: “Srbi i Arbanasi, njihova simbioza u srednjem vijeku”. Në vitin 1928 botoi librin me ese: “Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike”.

Po këtë vit emërohet profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit. Për shkak se nuk kishte pasaportë, detyrohet ta refuzojë këtë emërim. Në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozon dr. Shuflajt që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të ”Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vëllimet III-V. Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj që të hiqte shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme. Dr. Milan Shuflaj ftohet të vizitojë Shqipërinë.

Pas shumë peripecish rreth pajisjes me pasaportë, ai arrin në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. Për shkak të angazhimit të tij në favor të së vërtetës shkencori mbi shqiptarët dhe autoktoninë e  tyre në Ballkan, vritet nga dora e kriminelëve serbë më 18 shkurt të vitit 1931, një ditë pas kthimit nga Shqipëria, duke lënë pas shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb. Për vrasjen e dr. Shuflajt kanë reaguar shumica e intelektualëve të kohës, në mesin e të cilëve edhe shkencëtari i njohur me renome botërore, Albert Ajnshtajn.

Kontrolloni gjithashtu

Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora-Falaschi ( 1921- 2004), studiuese e zellshme dhe intelektuale e dalluar shqiptare

Nermin Vlora – Falaschi lindi më 18 prill të vitit 1921 në Tiranë. Filloi nxënien …