Ministri Gashi: Prizreni, tashmë jo vetëm qytet i kulturës por edhe qytet administrativ i kulturës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tanimë do të jetë e pranishme zyrtarisht në qytetin jugor të Kosovës, në Prizren. Në një ceremoni të organizuar nga MKRS-ja është bërë hapja e zyrave të ministrisë në qendrën historike të qytetit, në ish-objektin e Rektoratit të Universitetit të Prizrenit. Në ceremoni morën pjesë personalitete të shumta nga jeta politike e kulturore e vendit. Ndër të pranishmit në këtë ngjarje ku u përurua hapja e zyrave të MKRS-së në Prizren ishin Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ministri i MKRS-së Kujtim Gashi, e deputetë të Kuvendit të Kosovës. Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi, foli për rolin që do të ketë Ministria në Prizren duke e pasur parasysh edhe rëndësinë historike, kulturore dhe të trashëgimisë që ka qyteti dhe rrethina e tij. Me ketë rast, ministri Gashi tha se kemi hapur edhe zyrtarisht zyrat e MKRS-së në qytetin historik të Kosovës në Prizren. “Me qëllim të avancimit dhe përkrahjes më të madhe institucionale ndaj vlerave historike, kjo zhvendosje u bë për të qenë sa më afër qytetit më kulturor të Kosovës, dhe nga sot zyrtarisht një pjese e stafit politik, administrativ dhe profesional u zhvendos në Prizren” tha ministri Gashi. “Sërish Prizreni, kryeqyteti historik i shqiptarëve na ka bashkuar, kësaj here për t’i inauguruar zyrat e MKRS-së në të cilat do të punojnë një pjese e kabinetit tim ministror, si pjesë e fazës së parë për ta sjellë Ministrinë e Kulturës në Prizren dhe për ta jetësuar premtimin elektoral të Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Veseli”, u shpreh tutje ministri. Ministri hapjen e zyrave të MKRS-së e konsideroi një ditë feste për qytetarët e Prizrenit. “Sot Kryeqyteti i kulturës, merr edhe epitetin e një qyteti administrativ, sepse atë që Qeveria e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit nuk arriti ta bënte, Qeveria e Republikës së Kosovës, shteti ynë po e bën histori”. “Nga sot, MKRS-ja do të jetë afër festivaleve kulturore e afër traditës sportive, për t’i mbështetur ato, për ta ruajtur e mbrojtur trashëgiminë e pasur kulturore. Nga sot, MKRS-ja është në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në qytetin e Bekim Fehmiut, në qytetin e Dokufestit, Zambakut të Prizrenit, qytetin e diversitetit kulturor, komunikimit kulturor ndërkombëtar, në qytetin e shoqërisë Agimi e Ansamblit Emin Duraku, në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, të patriotëve e heronjve si Ymer Prizreni, Remzi Ademaj, Xhevat Berisha, Agim Shala e shumë dëshmorëve të UÇK-së”, shtoi mes tjerash ministri Gashi në fjalën e tij duke falënderuar Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për mbështetjen dhe premtimin e mbajtur që në perlën e trashëgimisë së kulturës, në Prizren, ta sjellin Ministrinë e Kulturës. Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se “prej sot Prizreni do ta ketë qendrën e vet përderisa ky s’do të jetë i vetmi institucion qe do të ketë Prizreni. Sa herë që pyetem nga ndërkombëtarët se cili është vendi që duhet vizituar në Kosovë, unë i them Prizreni, Ky qytet është nyje e kombit tonë, nyje e transformimit të një identiteti të ri. Prizreni është interes i një Kosove dhe jo i një partie”, tha Veseli.

Kontrolloni gjithashtu

Me ftesë të kryetarit Kastrati udhëheqja e komunës së Meyrinit (Zvicër) po qëndron në Malishevë

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, një delegacioni i komunës së …