Ministri Reçica: Marrëveshja për Sigurime Sociale me Zvicrën pritet të nënshkruhet në mars

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica mori pjesë në takimin e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, gjatë të cilit u diskutua rreth marrëveshjes për Sigurime Sociale në mes të Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës. Ministri Reçica, duke raportuar para anëtarëve të komisionit, lidhur me marrëveshjen në fjalë, paralajmëroi se ajo pritet të nënshkruhet kah fundi i muajit mars. Ministri njoftoi të pranishmit se grupet teknike të të dyja shteteve tashmë kanë finalizuar draftin e marrëveshjes së përgjithshme për sigurime sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës dhe Marrëveshjes Administrative për zbatimin e marrëveshjes së përgjithshme, të dy këto draft marrëveshje të cilat MPMS i ka përcjellë për në Ministrinë e Jashtme të Kosovës. Duke folur rreth përmbajtjes së marrëveshjes, ministri Reçica tha se qytetarët që përfitojnë nga kjo marrëveshje do të gëzojnë pensionet kontributpaguese, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës dhe pensionin bazik të moshës. “Me këtë marrëveshje, qytetarëve kosovarë të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Konfederatën Zvicerane, do të ju mundësohet, që pas arritjes së moshës të pensionimit, të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë”, tha Reçica. Në anën tjetër, personat të cilët banojnë në Zvicër dhe plotësojnë kushtet për përfitim të ndonjërit pension sipas legjislacionit të zbatueshëm, pala kosovare është e obliguar që ta eksportoj pagesën e pensionit nga Kosova në Zvicër.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …